LSI nënshkruan Kontratën e Gjelbër me Zyrën Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit

LSI nënshkruan Kontratën e Gjelbër me Zyrën Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit

ilirmeta19062013

Konferenca e përbashkët për shtyp

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta:

Kam kënaqësinë të jem sot këtu me përfaqësues të Zyrës Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, me të cilët sapo kemi nënshkruar një Kontratë të Gjelbër për katër vitet e ardhshme, e cila presupozon një bashkëpunim të ngushtë institucional, si një forcë e ardhshme parlamentare por besojmë edhe qeverisëse, për 40 çështje mjedisore, të cilat janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, për mbrojtjen e mjedisit, natyrisht për të rritur edhe cilësinë e jetës së qytetarëve tanë.

LSI ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një avokate e përhershme e çështjeve të mjedisit sepse ne jemi të bindur se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm pa realizuar një ambient miqësor me mjedisin që na rrethon. Ne si vend vazhdojmë ende të paguajmë pasojat e një degradimi ambiental apo të betonizimit të shumë prej qyteteve dhe komunave tona, siç është rasti tipik i Durrësit por edhe shumë raste të tjera. Prandaj, në këto kushte planifikimi urbanistik merr një rëndësi të jashtëzakonshme.

Ne besojmë fort tek një zhvillim ekonomik që bashkëjeton me një Shqipëri ekologjike. Dhe tek sensibilizimi dhe roli i qytetarëve për ruajtjen dhe për mbrojtjen e mjedisit sepse kjo ka të bëjë shumë me cilësinë e jetës së tyre dhe të shëndetit të tyre.

Ne si vend jemi të bekuar nga bukuri përrallore natyrore por për fat të keq një pjesë e mirë e tyre i është nënshtruar dorës shkatërruese të njeriut, e cila ka vepruar për shkak të mungesës së përgjegjshmërisë se qeverive për t’i mbrojtur ato.

Ndaj ne sot nënshkruam Kontratën e Gjelbër me profesor Sazan Gurin dhe me gjitha Shoqatat e Ambientalistëve të Zyrës së Qytetarit për Mbrojtjen e Mjedisit në shenjë të vullnetit tonë të plotë politik dhe të angazhimit qytetar për t’i trajtuar çështjet e mjedisit me prioritet të veçantë sepse edhe sfidat ekonomike që ne kemi përpara për vitet dhe dekadat që vijnë janë shumë të lidhura me këto çështje, duke përfshirë edhe çështjet e shëndetit dhe të punësimit.

Ne do të angazhohemi përmes kësaj kontrate për një Shqipëri me më shumë hapësira të gjelbra, për një ekonomi të gjelbër, madje edhe për një sektor energjetik të gjelbër, ku besojmë se potencialet e punësimit janë jashtëzakonisht të mëdha, pra e kam fjalën për energjinë e rinovueshme. Por në radhë të parë ne duhet të angazhohemi për ruajtjen dhe për mbrojtjen e mjedisit sepse kjo ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë dhe me një cilësi të jetës të standardeve më të larta evropiane.

Sazan Guri:

Së pari, do doja të falënderoja Lëvizjen Socialiste për Integrim për këtë mundësi që krijon që në programin e saj politik, për herë të parë në vendin tonë ndodh që programi mjedisor apo kërkesat e qytetarëve për ndryshimin e cilësisë së jetës merren dhe pasqyrohen në një program të tillë politik. Me anë të kësaj, u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në këto ditë që kanë mbetur ta kenë programin mjedisor jo mbrapa liste, as në fund të listës por duke qenë cilësia e jetës së gjithsecilit prej shtetasve shqiptarë, të jetë po aq pjesë apo preambulë e programeve të tyre, sepse programi mjedisor i dalë nga një Kuvend, nga një përfaqësi ekspertësh mjedisorë, shoqatash, rrjete mjedisore, pra gjithë ëndrra apo kërkesa e qytetarëve pasqyrohet në këtë program mjedisor që njëherësh po bëhet edhe program politik, duke filluar nga kjo forcë politike. Ne do të jemi në kontakt me të gjitha forcat politike ne qeverisje, në vendimmarrjen dhe politikëbërjen në pozitë apo në opozitë, ku do të bashkëpunojmë me ta brenda vendimmarrjes se tryezave të tyre, se si do të zbatohen këto 40 çështje të shenjta për qytetarin por që njëherësh janë 40 detyra të shenjta për politikanin apo vendimmarrësin shqiptar. Në mbyllje, do doja të falënderoja këtë forcë politike që po na jep atë vizion që ka nevojë çdo forcë politike të ketë. Falënderojmë edhe median që i ndodhet pranë lëvizjeve të tilla bashkëpunuese midis politikanit dhe qytetarit.

Pyetje nga gazetarët për Kryetarin e LSI-së, Ilir Meta

Kryetari i PS-së ka deklaruar se në 100 ditët e para të qeverisjes do të anulojë ligjin për importin e mbetjeve. Çfarë qëndrimi do të mbajë LSI për këtë çështje?

Lëvizja Socialiste për Integrim për çdo vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me mjedisin do të konsultohet me shoqërinë civile, me zyrën qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe me të gjithë ekspertët e tjerë të kësaj fushe. Mbrojtja e mjedisit do të jetë prioritet i jashtëzakonshëm për ne sepse janë bërë mjaft gabime në të kaluarën edhe për shkak të mungesës të ekspertizës së kërkuar, pra nuk është kërkuar ekspertiza, edhe për shkak të nënvlerësimit të impaktin mjaft të rëndësishëm që ka mjedisi në cilësinë e jetës së qytetarëve por edhe në pasojat e pallogaritshme ekonomike që sjell dëmtimi i mjedisit.

Ditët e fundit janë shtuar zërat e faktorit ndërkombëtar plotësim të vendeve vakante në KQZ. Cili është pozicioni juaj?

Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me faktorin ndërkombëtar, me misionin e ODIHR-it në mënyrë të veçantë, me SHBA-të dhe BE-në, për të arritur standardet më të larta të zgjedhjeve, për të mbrojtur zgjedhjet nga përpjekjet e dukshme të qeverisë në ikje për të dëmtuar klimën e besimit tek standardi i këtyre zgjedhjeve. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë shumë të qetë dhe të sigurt se zgjedhjet do të jenë plotësisht të garantuara nga ana e opozitës, në mënyrë të veçantë nga ana e LSI-së. Për herë të parë në këto zgjedhje LSI do të ketë komisionerët e saj në të gjitha nivelet, numëruesit e saj dhe kjo do të jetë një garanci për transparencë maksimale të procesit dhe jo vetëm për të mbrojtur votat që do të jepen për LSI-në por për të mbrojtur votën e çdo qytetari për çdo forcë politike që ai beson dhe voton. Për ne procesi është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër ndërkohë që m
ë falni pë mungesën e modestisë por fitorja është e padiskutueshme. Megjithatë e përsëris që procesi është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër.

Në qeverisjen e ardhshme me PS-në cila do të jetë ndarja e pushtetit? Duhet pasur parasysh që pak ditë më parë z. Tavo ka thënë që LSI do të ketë rreth 40%. Është e vërtetë kjo?

LSI synon që më 23 qershor të garantojë integritetin e votës së çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë dhe standardin më ta lartë dhe transparent të zgjedhjeve. Për këtë ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2009 apo të vitit 2005 ne kemi mundësinë të kontribuojmë realisht sepse për herë të parë do të kemi komisionarët, numëruesit dhe përfaqësuesit tanë në KZAZ kudo në të gjithë vendin. Kjo është garanci shumë e fortë jo thjesht për votuesit dhe përkrahësit e LSI-së por për të gjithë qytetarët shqiptarë. Parësore për ne do të jetë respektimi me rigorozitet i votës së çdo qytetari shqiptar. Për sa i takon rezultatit të zgjedhjeve është i padiskutueshëm që do të jetë rezultati më i mirë, historik, ndërsa roli i LSI-së në të ardhmen do të jetë shumë më i lartë se sa ka qenë në të kaluarën. Kjo do të vijë për shkak të përkrahjes që ka gjetur dhe do të verifikohet më 23 qershor në të gjithë Shqipërinë, kudo në çdo qark për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

E konfirmoni 40% e përfolur?

Nuk jemi këtu për të hyrë në gjërat më të parëndësishme. E rëndësishme është standardi i zgjedhjeve. Për fat të mirë tre javë më parë u miratuan me konsensus tre ligjet në Kuvend atëherë kur askush nuk e mendonte, kur të gjithë e kishin humbur shpresën, përfshirë këtu edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo ishte një gjë shumë e rëndësishme sepse në rast se tre ligjet nuk do të isin miratuar tani atëherë Shqipëria nuk do të kishte asnjë mundësi që të merrte statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Por kaq nuk mjafton. Duhet patjetër që Shqipëria të arrijë standardet më të larta të zgjedhjeve më 23 qershor. Për këtë ne jemi plotësisht të angazhuar dhe në bashkëpunim shumë të ngushtë me misionin e ODIHR-it, me SHBA-të dhe me BE-në. Për sa i takon qeverisjes së ardhshme gjithçka do të jetë transparente siç ishte edhe marrëveshja e nënshkruar në Shkodër dhe do të reflektojë respektin për votën dhe verdiktin që do të japin qytetarët tanë.