Meta : Shqipëria e ka marrë vendimin e saj për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Ilir Meta: LSI do të ketë deputetë nga të gjitha qarqet e vendit

Meta : Shqipëria e ka marrë vendimin e saj për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Ilir Meta: LSI do të ketë deputetë nga të gjitha qarqet e vendit

ilirmeta18062013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidati për deputet i LSI-së në Njësinë Bashkiake nr. 9 në Tiranë, ka zhvilluar një takim mjaft entuziast me qindra banorë të kësaj njësie.

Në fjalën e tij z. Meta i falënderoi strukturat e LSI-së në Njësinë nr. 9 për angazhimin dhe përkushtimin dhe gjithçka kane bërë deri më tani. Lideri i LSI u shpreh se LSI ka treguar gjithmonë se di të sjellë energji pozitive për vendin, shoqërinë e jetën politike.

“LSI di të sjellë emancipim, di të sjellë risi, di të çojë përpara integrimin në Bashkimin Evropian si një proces jetik dhe i domosdoshëm për shoqërinë tonë dhe për vendin tonë. Ne e filluam në këto katër vite angazhimin tonë me kontributin e jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave dhe e përfunduam dy javë më parë duke arritur që me këmbëngulje, urtësi dhe mençuri, të bënim atë që nuk pritej, të miratoheshin tre ligjet që do ta afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian dhe do të japin statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Në këtë mënyrë do të përfitohen më shumë ndihma financiare dhe më shumë projekte për zhvillimin e vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se LSI është një forcë politike e cila kujdeset për njerëzit, një forcë politike me këmbë në tokë, një forcë politike që do dhe di të eci më shpejt dhe të ndihmojë të gjithë qytetarët që të ecin në rrugën e progresit, në rrugën e mirëqenies, në rrugën punësimit, në rrugën e integrimit. “Ndaj më 23 qershor rezultati për Lëvizjen Socialiste për Integrim do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm, sepse në radhë të parë ne do të kemi mbështetjen e të gjithë të rinjve të Shqipërisë që duan të ecin më shpejt. Kemi mbështetjen e të gjitha shtresave të shoqërisë sonë të cilat kërkojnë të integrohen përmes politikave sociale më të mira dhe njëkohësisht kemi programin më të qartë se çdo forcë tjetër politike. Një program i cili kap çështjen më kryesore dhe synon ta zgjidhë atë që është pikërisht ristrukturimi i ekonomisë sonë, që ekonomia jonë të rritet përmes burimeve të sigurta për një rritje ekonomike të qëndrueshme përmes politikave të cilat nxisin rritjen e prodhimit në vend, që ulim importet, që rrisin eksportet që krijojnë bazat për një ekonomi konkurruese, të shëndetshme, që garanton vende të reja pune në mënyrë afatgjatë dhe të sigurt”, vijoi z. Meta.

Ai u shpreh se fitorja e Lëvizja Socialiste për Integrim është e padiskutueshme. “Kështu që unë besoj se Shqipëria e ka marrë vendimin e saj për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Roli i LSI-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përcaktues, suksesi ynë do të jetë i jashtëzakonshëm. Nuk ka qark në Shqipëri ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e merr të paktën një mandat, ndërkohë në Berat, në Fier, në Durrës, në Elbasan ne luftojmë për të pasur të sigurta nga 2 mandate. Ndërsa lufta më e madhe është në Qarkun e Tiranës, ku jam i bindur se do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm dhe për këtë jam i bindur që edhe njësia 9 do të kontribuojë fuqishëm”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Duke përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Njësinë Bashkiake nr. 9, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se vota për LSI-në është një votë e mençur. “Është një votë e mençur sepse ndihmon stabilitetin e vendit, ndihmon ndryshimin e vendit, ndihmon paqen sociale, ndihmon integrimin evropian të vendit. Fitorja është e padiskutueshme por ajo duhet të jetë sa më solide në mënyrë që të kemi pas zgjedhjeve një qeveri që bën reforma, që ristrukturon ekonominë, që hap vende të reja të punës, që zgjidh problemet sociale të qytetareve kudo dhe këtu në njësinë nr. 9 ku ka mjaft probleme dhe ka shumë zona tepër problematike dhe ende të paintegruara siç duhet sipas standardeve evropiane që meriton një zonë e tillë që është në qendër të Tiranës”, tha ndër të tjera në fjalën e tij z. Meta.