Ilir Meta: Era e fitores po fryn nga Kukësi në Sarandë

Ilir Meta: Era e fitores po fryn nga Kukësi në Sarandë

ilirmeta16062013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së në Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranës, njëherazi kryetar i kësaj minibashkie, Elez Gjoza, ka zhvilluar një takim me qindra banorë të kësaj njësie në kryeqytet. Në fjalën e tij z. Meta u shpreh se fitorja, jo vetëm në Njësinë 2 dhe në të gjithë kryeqytetin por edhe në të gjithë Shqipërinë, është e padiskutueshme.

“Dhe këtë herë fitorja është e padiskutueshme për LSI-në edhe në qytetin dhe në Qarkun e Kukësit, meqenëse këtu kemi edhe disa banorë, të cilët janë me origjinë nga Kukësi dhe që e dinë shumë mirë që LSI-ja do ta fitojë deputetin edhe në Kukës, ku janë vetëm katër mandate”, tha ai.

Z. Meta tha se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë e hapur, është një forcë e komunitetit, është një forcë e njerëzve të thjeshtë, është një forcë e njerëzve që kanë ide, që kanë projekte për të çuar vendin përpara dhe njëkohësisht mbi të gjitha për të ecur më shpejt”. Kjo është më e rëndësishme.

Ne kemi një LSI tepër aktive dhe të fuqishme në Njësinë nr. 2, e cila e tregoi veten edhe në zgjedhjet vendore, kur ne fituam edhe kryetarin e Minibashkisë, që është shoku jonë Elez Gjoza por edhe shumë këshilltarë. Era e fitores fryn në të gjithë Shqipërinë, nga Kukësi në Sarandë por fitoren më të rëndësishëm, më të çmuar dhe më të madhe për LSI-në do ta arrijmë në kryeqytet dhe në të gjithë qarkun e Tiranës”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Sipas z. Meta LSI ka në listën e saj të Qarkut të Tiranës, 4 ndër 7 kandidatët e parë i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim sepse sipas sipas “ne jemi forcë që kujdesemi për të rinjtë, që investojmë për të rinjtë, që i vëmë në lëvizje energjitë dhe idetë e tyre. Me të rinjtë mund të ecim të gjithë së bashku më shpejt përpara”.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se qytetarët e Tiranës do të votojnë LSI-në më 23 qershor pasi është një forcë politike e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në integrimin e vendit.

“Qytetarët e Tiranës do të votojnë për ne se ata çmojnë LSI-në si një forcë qytetare, si një forcë që është për bashkëpunim, për zhvillim dhe për integrimin e vendit. Edhe në kulmin e fushatës elektorale, edhe në kulmin e luftës politike ne arritëm, me mençuri, me urtësi dhe me këmbëngulje që të mblidhnim Parlamentin dhe të gjithë të votonin tre ligjet që do t’i japin Shqipërisë në dhjetor statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kjo është shumë e rëndësishme për të zhbllokuar shumë projekte dhe shumë ndihma financiare që do të ndihmojnë ekonominë e vendit dhe që do të ndihmojnë për hapjen e shumë vendeve të reja të punës”, deklaroi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Z. Meta tha se LSI, në mënyrën më të qartë, ka një vizion konkret për ristrukturimin e ekonomisë, për të garantuar një rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë, e cila synon stimulimin e rritjes së prodhimit të vend, uljen e importeve, rritjen e eksporteve për të pasur një ekonomi të qëndrueshme, e cila konkurron, e cila garanton vende të reja pune të qëndrueshme dhe afatgjata. “LSI si asnjë forcë tjetër politike ka një program të qartë për punësimin. Të gjitha politikat tona synojnë rritjen e punësimit, si ato arsimore për zhvillimin e arsimit të mesëm profesional dhe për formimin profesional, si politika e taksave njëkohësisht, sepse për ne çdo gjë duhet vënë në funksion të rritjes ekonomike dhe të rritjes së punësimit. Prandaj, duke mbështetur LSI, të gjithë mbështesim Shqipërinë të eci më shpejt në rrugën e rritjes ekonomike, në rrugën e mirëqenies së familjeve të Tiranës dhe të Shqipërisë, në rrugën e punësimit të të rinjve dhe të rejave, dhe natyrisht në rrugën e integrimit evropian të vendit”, vijoi ai.

Dukë përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Njësinë Bashkiake nr. 2 në kryeqytet, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LSI është një forcë që kujdeset për njerëzit dhe për fatet evropiane të vendit. “Duke ju falënderuar nga zemra për mbështetjen që i jepni LSI-së ju siguroj për përkrahjen më të madhe që do i japim komunitetit tuaj të njësisë numër 2, që do i japim kryetarit dhe njësisë bashkiake nr. 2 dhe njëkohësisht të gjithë anëtarëve të gjithë simpatizantëve tanë, të gjithë votuesve tanë.

Sepse LSI është një forcë që kujdeset për njerëzit, është një forcë që kujdeset për të rinjtë dhe për të rejat, është një forcë që kujdeset për vendin dhe për fatet evropiane të Shqipërisë. Prandaj, në datën 23 të gjithë të votojmë nr 26. Fitorja është e jona, është e padiskutueshme. Le ta bëjmë këtë fitore sa më solide, dhe sa më të fuqishme sepse kjo fitore do të jetë investimi më i madh që të gjithë ju bëni për të ardhmen tuaj, të familjeve tuaja, të fëmijëve tuaj, dhe të Shqipërisë, atdheut tonë të përbashkët”, përfundoi fjalën e tij z. Meta.