Ilir Meta: Vetëm bashkëpunimi dhe partneriteti me biznesin fason ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt. Meta : Taksa zero për lëndët e para për biznesin fason

Ilir Meta: Vetëm bashkëpunimi dhe partneriteti me biznesin fason ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt. Meta : Taksa zero për lëndët e para për biznesin fason

ilirmeta19062013-1

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar dy vizita në dy biznese fasone në vendin tonë, konkretisht në një fabrikë këpucësh në qytetin e Shkodrës dhe në një biznes veshmbathjesh në Njësinë nr. 8 në Kryeqytet.

Duke folur para punonjësve të këtyre bizneseve, i shoqëruar një sipërmarrësit, Lideri i LSI-së deklaroi se vetëm bashkëpunimi dhe partneriteti midis shtetit dhe qeverisë me biznesin dhe sipërmarrjen do të ndihmojë Shqipërinë që të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit dhe në rrugën e punësimit, në rrugën e mirëqenies dhe të braktisjes së varfërisë për mijëra e mijëra familje shkodrane dhe shqiptare. “Prandaj, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kushtuar dhe i kushton një vëmendje të veçantë mbështetjes së biznesit fason sepse është biznesi më i rëndësishëm punëdhënës për gratë dhe vajzat në Shqipëri, por njëkohësisht është edhe një faktor shumë i rëndësishëm për eksportet tona dhe është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit tonë. Prandaj ne jemi të angazhuar për ta mbështetur edhe më tej këtë biznes për të ndihmuar në zgjerimin e këtyre aktiviteteve me hapjen e vendeve të reja të punës”, tha z. Meta.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se gjatë viteve të kaluara disa hapa janë bërë, të cilat kanë qenë edhe insistim i veçantë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që nga taksa zero për lëndët e para për këtë lloj aktiviteti, taksa doganore. “Po kështu, ka qenë insistim yni edhe heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet që lehtëson zgjerimin e këtyre aktiviteteve në të ardhmen apo rinovimin e makinerive ekzistuese si dhe taksa zero përsa i takon heqjes së taksës për pagën deri në 30 mijë lek të reja. Ne jemi të angazhuar për të mbështetur më tej biznesin fason dhe biznesin në tërësi. Qëllimi ynë kryesor është punësimi në të gjitha drejtimet. Të gjitha politikat tona si në fushën e arsimit si në fushën e taksave synojnë gjallërimin e biznesit dhe rritjen e punësimit”, vijoi ai.

Z. Meta u shpreh se LSI do të vazhdojë të japë një mbështetje të veçantë për biznesin fason në vendin tonë, në mënyrë që ky biznes të shtojë vendet e reja të punës dhe njëkohësisht të rrisë kapacitete eksportuese të vendit pasi mban një peshë edhe sociale edhe ekonomike. “Në këtë drejtim LSI do të angazhohet në qeverisjen e ardhshme për të mbështetur këtë biznes me kredi të buta dhe me grante, në mënyrë të veçantë për makineritë dhe pajisjet më bashkëkohore, me kushtin që të shtohen sa më shumë vende të reja pune dhe njëkohësisht do të punojmë së bashku me sipërmarrësit shqiptarë por edhe të huaj në vendin tonë për të gjetur tregje të reja dhe për të gjetur klientë të rinj. kjo krizë që është në Evropë duhet të shfrytëzohet si një mundësi për zgjerimin e këtyre aktiviteteve në vendin tonë dhe për të tërhequr aktivitete të tilla nga Italia, Tunizia, ku tani për arsye të ndryshme ka një interes për t’i vendosur në Shqipëri. Kjo do t’i jepte një bum të mëtejshëm industrisë fasone në vendin tonë, do të krijonte mundësi të jashtëzakonshme për hapjen e shumë vendeve të reja të punës. Ne do të angazhohemi për të subvencionuar një pjesë të pagës për çdo punonjëse të re që do të punësohet në biznesin fason”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Në vizitën që kreu në fabrikën e këpucëve në qytetin e Shkodrës z. Meta foli edhe për kandidatët e LSI-së në këtë qark. Ai u shpreh se fakti që listën e LSI-së në këtë qark e kryeson një sipërmarrës si Agron Çela, është garanci që ai do të përfaqësojë interesat e gjithë komunitetit shkodran dhe të mbështesë të gjithë kolegët e tij, sipërmarrësit shkodranë, të cilët ndeshen me vështirësi të shumta.” Ndaj besoj se vota për Agron Çelën është një mbështetje për gjithë sipërmarrësit e Shkodrës. Është një mbështetje për të hapur vende të reja pune dhe për të ngritur problemet në Kuvendin e ri të Shqipërisë. Po kështu është një kënaqësi e veçantë që kandidatja jonë për qarkun e Shkodrës është Nora Malaj. Nora është në radhë të parë një shoqe e jashtëzakonshme dhe ju do të ndiheni shumë mirë me të. Ajo do të jetë shoqja juaj, do të jetë mbrojtësja juaj, do të jetë avokatja e juaj sepse ajo lufton për të drejtat e grave dhe të vajzave kudo dhe jam i bindur se do të bëjë maksimumin që gratë dhe vajzat shkodrane të ndihen të përfaqësuara, të ndihen vërtet se kanë një shoqe që i mbron interesat e tyre. Unë nuk po ju them se për kë të votoni. Ju votoni për atë që u thotë zemra juaj. Unë dua t’ju falënderoj që latë punën dhe na kushtuat vëmendje”, tha z. Meta.

Duke iu uruar LSI-së dhe kandidatëve të saj në Shkodër fitore fjalën në këtë takim e mori edhe investitori i këtij biznesi fason në këtë qytet, Paulin Radovani, u shpreh i bindur se LSI në qeverisjen e ardhshme do të jetë avokat i rëndësishëm i biznesit fason. “Fabrika jonë është fabrika e parë fasone në Shqipëri. Kemi kaluar disa periudha të vështira, në vitin 1997 jemi shkatërruar pothuajse plotësisht. Megjithatë sot ekzistojmë dhe do të vazhdojmë kështu. Ne i kërkojmë z. Ilir Meta që kur të jetë në qeverisjen e ardhshme pas zgjedhjeve të 23 qershorit t’i japë mbështetjen e duhur biznesit fason dhe eksportet në përgjithësi”, tha z. Radovani.