18 May Takim madhështor në Durrës, Lideri i LSI prezanton kandidatët për deputetë .Ilir Meta- Nga Durrës më 24 qershor zhbllokohet rrugëtimi ynë drejt BE-së
Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim madhështor në sheshin qendror të qytetit të Durrësit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në këtë. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar të gjithë ekipin fitues të LSI-së në Qarkun Durrës, deklaroi se nga Durrësi më 24 qershor do të zhbllokohet rrugëtimi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më pas z. Meta prezantoi kandidatët duke filluar me kryesuesin e listës së LSI-së në Durrës, Lefter Kokën, duke vijuar m, Prof. Dr. Edmond Panaritin, Bujar Dervenin, Kristo Hutën, Silvana Maksutin, Hysen Llacën, Ermion Arapin, Hajri Nuhun, Merita Kuçin, Ilir Memkon, Klodiana Pashkajn dhe Ermira Koçin. Në fjalën e tij Lefter Koka deklaroi se “në këtë rrugëtim të fushatës elektorale jemi shumë më shumë. Besojmë shumë më shumë tek njëri tjetri. Besojmë më shumë tek e ardhmja. Besojmë më shumë te LSI-a. Besojmë më shumë tek Shqipëria Evropiane. E këtë të ardhme miqtë e mi, jua a garanton ekipi ynë i mrekullueshëm garues i LSI-së. Zonja dhe zotërinj, ndryshimi i qeverisë aktuale është një nevojë e domosdoshmëri, sepse vendi, Durrësi e në përgjithësi janë në një situatë të mjerueshme, papunësia në rritje, ekonomia e rrënuar, shkatërrimi i administratës publike, pasiguria e kaosi, kanë bërë të vështirë jetën e çdo qytetari shqiptar”.Ndërkohë që nga ana e tij “ne kemi programin më vizionar, më energjik, më praktik, më konkret, i cili përqendrohet tek rritja e mirëqenies së qytetarit. Dhe baza e kësaj mirëqenie është pa dyshim rritja e punësimit. Padyshim në vizionin tonë është edhe adoptimi i politikave fiskale, të zgjuara, të balancuara, jo diskriminuese, nxitëse të cilat do të bëjnë të mundur krijimin e vendeve të reja të punës”.
Fjala e plotë e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta
Të dashur motra dhe vëllezër durrsakë! Jam i privilegjuar që ndodhem sot së bashku me ju në qytetin madhështor të Durrësit, ne qytetin simbol të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike, në portën tonë të përhershme në ta kaluarën dhe më 24 qershor përsëri nga Durrësi do të zhbllokojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sot është një ditë e shënuar për të gjithë ne sepse sot paraqesim ekipin tonë të kandidatëve, ekipin tonë fitues për zgjedhjet e 23 qershorit për Qarkun e Durrësit. Ndaj unë do të doja që t’i ftoja në podium të gjithë ata që ju përfaqësojnë juve dhe mijëra e mijëra të tjerë anembanë qarkut. Në radhë të parë do të ftoja njeriun e këtij komuniteti, që ka treguar me vepra, edhe në krye të Bashkisë por edhe si deputet që preokupimi i tij i parë janë problemet dhe shqetësimet e Durrësit, i cili do të jetë nesër edhe zëri juaj në qeverisjen e 24 qershorit, Lefter Kokën. Kam nderin të ftoj një intelektual të jashtëzakonshëm, një personalitet të shquar, një profesor të shumë universiteteve në Amerikë dhe në Evropë, një nga drejtuesit kryesorë të LSI-së, Prof. Dr. Edmond Panaritin. Njëkohësisht do të doja të ftoja të gjithë kolegët e tjerë si Bujar Dervenin, një njeri i shquar në komunitetin e Krujës, mjekun aq të dashur për të gjithë popullin tuaj, Kristal Hutën, Silvana Maksutin, Hysen Llacën, Ermion Arapin, Hajri Nuhun, Merita Kuçin, Ilir Memkon, Klodiana Pashkajn dhe Ermira Koçin.
Entuziazmi juaj, energjia e këtij e këtij ekipi ngjall flladin pranveror dhe erën e ndryshimit, e cila e bashkon Durrësin dhe gjithë Shqipërinë me Evropën me votën tuaj më 23 qershor. 23 qershori është një ditë ditë e rëndësishme që i fton të gjithë qytetarët e Durrësit dhe Shqipërisë për reflektim dhe të gjithë përpara se të marrin një vendim përfundimtar më 23 qershor patjetër që do të pyesin veten nëse ata ndihen më mirë për veten e tyre, për familjen e tyre, për fëmijët e tyre, për komunitetin e tyre dhe për të gjithë shoqërinë.
Tre problemet kryesore që keni ju, që kanë të gjithë qytetarët e Shqipërisë, janë të gdhendura në vetë sloganin e Partisë Demokratike që në fakt tregon tre shqetësimet dhe plagët kryesore të krijuara dhe të akumuluara nga qeverisja e saj. Ata kanë punësimin por shqetësimi më i madh për të gjithë ju dhe në të gjithë anketimet mbetet papunësia. Ata kanë mirëqenien por problemi kryesor është rritja e çmimeve dhe rënia e fuqisë blerëse. Ata kanë integrimin por, për fat të keq, javët e fundit demonstruan një intolerancë të jashtëzakonshme, jo për t’i shërbyer këtij procesi duke refuzuar kompromisin që unë bërë në emër të LSI-së për miratimin e tre ligjeve brenda këtij sesioni parlamentar dhe për futjen e tyre në fuqi në qershor me Parlamentin e ri.
Realiteti i sotëm është ai që prekni ju. Realiteti i sotëm është gjithnjë e më problematik për familjet tuaja. Kjo sepse situata jo bashkëpunuese, përçarëse dhe konfliktuale ka mbajtur peng zgjidhjen e shumë problemeve dhe e shqetësimeve të përditshme sepse për Kryeministrin tonë vetëm në fjalime dhe mitingje qytetarët janë të parët. Por në fakt për të të parët janë vetëm fishekzjarrët.
Ekonomia jonë po vuan dhe po lëngon duke demonstruar shenja të qarta të krizës. Ndaj askush nuk mund të gënjehet nga statistikat që përpunohen në zyrën e Kryeministrit. Të gjithë ju përpara se të dëgjoni statistikat zyrtare në familje, në lagjen tuaj, në rrethin tuaj, keni një djalë apo një vajzë të papunë, një komshi apo një komshie të papunë, një kushëri apo një kushërirë të papunë, një shok apo një shoqe të papunë. Ka edhe nga ata që janë të gjithë të papunë në një familje. Kjo nuk ndodh për shkak të paaftësisë së tyre apo të mungesës së potencialeve të punësimit në sektorët tanë ekonomikë. Kjo ndodh për shkak të verbërisë dhe shurdhërisë të lidershipit të qeverisjes së sotme, të mungesës së vizionit për të zhvilluar dhe gjallëruar ekonominë dhe për të rritur punësimin.
Sot problemi më i madh i ekonomisë sonë është kriza e besimit, jo vetëm të konsumatorëve por edhe të bizneseve për të investuar. Biznesi është në një presion të jashtëzakonshëm, jo vetëm nga pagesat e parealizuara nga ana e qeverisë, rreth 500 milionë euro punë publike të papaguara dhe TVSH e parimbursuar, por edhe nga një administratë e cila i është vërsulur, sidomos muajt dhe javët e fundit, për ta mjelur biznesin në mënyrën më të pashpirt. Këtë fakt të trishtueshëm e tregon edhe anketa e fundit e komunitetit të biznesit, ku mbi 74% e tyre nuk kanë besim tek ambienti ekonomik dhe ku rreth 60% ankohen për burokracitë rraskapitëse të administratës publike e sidomos asaj tatimore, e cila në fakt është taksa më e lartë që ata paguajnë. Ne të
gjithë e dimë se perceptimi i biznesit sot është realiteti i ekonomisë nesër duke pasur në konsideratë se janë rreth 1 miliard dollarë kredi të pashlyera në Bankë. Kjo gjë i ka vënë bizneset në prag falimenti, ka sjellë humbje të jashtëzakonshme të vendeve të punës, ka sjellë më pak para për konsum nga qytetarët, më pak shitje për dyqanet e vogla. Në fakt të gjithë këto nuk i sheh Sali Berisha se kanë sjellë më shumë fishekzjarrë për mitingjet e qeverisë.
Ndaj Shqipëria sot është në një kontrast. Qeveria është kudo në festë dhe qytetarët janë gjithnjë e më me halle. Ndaj më 23 qershor Durrësi dhe e gjithë Shqipëria do t’i thonë mjaft retorikës boshe për suksese epike të qeverisë që do të largohet. Qytetarët Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë do të zgjedhin ndryshimin, do të zgjedhin rrotacionin, dhe jo ngërçin ku jemi. Do të votojnë rritjen dhe zhvillimin ekonomik që sjell punësim dhe jo stanjacionin që shton papunësinë, varfërinë dhe rrit çmimet. Do të zgjedhin shtetin ligjor për të gjithë dhe jo të gjitha pushtetet në dorën e një personi të vetëm. Do të zgjedhin të ecin më shpejt me hapin e qytetarëve dhe në radhë të parë me hapin e 20-vjeçarëve.
Ndaj në 23 qershor ne të gjithë kemi shansin historik dhe përgjegjësinë që të votojmë për realitetin evropian që duam dhe unë jam i sigurt që do ta ndërtojmë së pari në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Ishin motrat dhe vëllezërit tanë, të cilët në fillim të viteve ’90, morën rrugën e guximshme të eksodit duke u varur edhe litarëve të anijeve që u nisën nga Durrësi sepse nuk u pajtuan me një realitet vrastar dhe të pashpirt. Ne sot kemi një detyrë më të lehtë. Pas 22 vitesh,ka ardhur koha ti japim fund tranzicionit, ka ardhur koha për rrotacion sepse shqiptarët këtu dhe shumë të tjerë që duan të kthehen nga emigracioni për të realizuar këtu Shqipërinë Evropiane, kërkojnë të ecin më shpejt drejt zhvillimit, punësimit, mirëqenies dhe integrimit. Dhe ne do ta sjellim Evropën në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë duke larguar nga pushteti qeverinë e cila nuk e pranon kompromisin tonë për tu afruar më shpejt drejt Evropës.
Shqiptarët nuk mund të gënjehen nga një qeveri që u premton ëndrrën amerikane me sy hapur, por e cila ka treguar qartë se nuk ka vizionin dhe aftësinë për të bërë realitet ëndrrën durrsake dhe ëndrrën shqiptare për një Durrës dhe një Shqipëri të zhvilluar.
Prandaj durrsakët dhe shqiptarët kërkojnë një lidership të ri, një qeverisje të re, një ekuilibër të ri politik, institucional dhe ekonomik. Urat e bashkëpunimit të zëvendësojnë muret e sotme ndarëse dhe ku të majtët dhe të djathtët nuk janë armiq pro janë bashkudhëtarë në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian sepse Durrësi dhe Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët dhe vetëm sepse kështu përmes bashkëpunimit ne do të mundet të ecim më shpejt.
Ne jemi realist në ofertën tonë politike sepse jemi të vetëdijshëm për pasojat e krizës financiare në Greqi, Itali dhe në Evropë. Ndaj, të gjitha politikat e LSI-së, politikat në fushën e arsimimit, politikat në fushën sociale, politikat fiskale dhe ekonomike kanë si prioritet kyç punësimin dhe vetëm punësimin. Sepse vetëm përmes punësimit durrsakët dhe shqiptarët do të arrijnë një mirëqenie të sigurt dhe afatgjatë. LSI ka një plan të qartë për rritjen e punësimit në bujqësi dhe në industrinë agropërpunuese. LSI ka një plan të qartë për zgjerimin e bizneseve fason dhe për mbështetjen e jashtëzakonshme të tyren në të ardhmen. Për zgjerimin dhe mbështetjen e bizneseve call-center dhe në të gjitha fushat e shërbimit.
Më mirë se kudo tjetër, ju në Durrës, e ndjeni mungesën e një strategjie kombëtare të integruar për turizmin. Ndaj, duke nxjerrë leksionet e duhura nga katrahura urbanistike që i ndodhi Durrësit dhe bregdetit tonë në dy dekadat e fundit, ne kemi nevojë që të ecim më shpejt në këtë drejtim. Ne kemi nevojë për shërbime turistike cilësore dhe me çmime konkurruese me rajonin përmes stimujve fiskalë për operatorët vendas dhe të huaj, në mënyrë që të kalojmë nga një turizëm familjar në një turizëm elitar. Prandaj LSI ka propozuar uljen 10 për qind të TVSH-së për shërbimet turistike dhe ofrimin e një pakete me të gjitha potencialet turistike që ofron Shqipëria e sidomos Durrësi që nuk mund të jetë një destinacion turistik sezonal, por që duhet të jetë një mozaik i çmuar turistik përgjatë gjithë vitit. Është mëkat që në 8 vite të drejtimit të Berishës, askush nuk mund të gjejë një resort turistik i cili ka filluar dhe ka përfunduar në kohën e Sali Berishës, ndërkohë që ai flet pa pushim për sukseset në fushën e turizmit.
Ndërkohë, dua t’ju jap një rast i cili është plotësisht i vërtet dhe i provuar. Na Malin e Zi fqinj, përpara 5 vitesh, një kompani e njohur kanadeze ndërtoi një port të standardeve më të larta botërore, të anijeve dhe të jahteve, i cili quhet Porto Montenegro.
Në fakt ky investitor përpara se të shkonte në Malin e Zi për të realizuar këtë projekt, erdhi në Shqipëri, por këtu burokracitë e detyruan që të largohet. Si ai ka dhjetëra e qindra investitorë që janë larguar dhe që largohen çdo ditë duke shkuar në vende ku qeveritë janë të afta të marrin vendime të shpejta, efikase dhe transparente. Prandaj turizimi nuk mund të zhvillohet në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë me hapin e breshkës së Sali Berishës. Ekonomia jonë ka ende potenciale të jashtëzakonshme të pashfrytëzuara. Ka hapësira të mëdha për të thithur biznese të reja përmes krijimit të zonave të lira ekonomike dhe industriale. Si ka mundësi që në 8 vite, qeveria nuk mundi të realizojë asnjë zonë të lirë ekonomike apo asnjë park industrial që do të mundësonte tërheqjen e dhjetëra investitorëve të huaj dhe hapjen e mijëra vendeve të punës. Kriza në Itali dhe në vende të tjera të zhvilluara evropiane përfaqësojnë një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë, për të tërhequr të gjithë ata investitorë që tërheqin bizneset e tyre nga ky vend. Tërheqja e tyre është detyrë e një qeverie që krijon zona të lira ekonomike dhe parqe industriale dhe në radhë të parë ato duhet të krijohen këtu në Durrës, pranë portit i cili është porta e parë e komunikimit me tregjet evropiane.
Ndaj të dashur motra dhe vëllezër durrsakë jemi të gjithë këtu sepse jemi të bindur se shqiptarët do të ecin më shpejt në rrugën e integrimit evropian. Jo vetëm për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian por edhe për të zhbllokuar dhjetëra dhe miliona euro financime për ekonominë tonë dhe institucionet tona. Ndaj ka ardhur koha që të ndëshkojmë në mënyrë qytetare konfliktet shterpë dhe të përveshim mëngët të gjithë së bashku për të punuar dhe për të ndërtuar Shqipërinë e vërtetë evropiane dhe jo Shqipërinë imagjinare të fishekzjarrëve të qeverisë aktuale. Shqipërinë ku punësimi i fëmijëve tuaj, i komshinjve tuaj, i
vëllezërve dhe i motrave tuaja, i shokëve tuaj të mos jetë më ankthi i përditshëm i familjeve durrsake dhe shqiptare, ku arsimimi u jep të rinjve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dijet që u përgjigjen nevojave të tregut dhe u garantojnë një punësim të sigurt.
Më 23 qershor durrsakët dhe shqiptarët nuk do të zgjedhin alternativën që thotë “papara drejt humnerës ekonomike dhe rritjes së borxheve në mënyrë të pakontrolluar”. Apo “përpara drejt përplasjes me Perëndimin” sepse durrsakët dhe shqiptarët e dinë që në 23 qershor janë në garë e shkuara me të ardhmen, janë në garë e vjetra dhe me të renë, stanjacioni me zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, bllokimi me integrimin evropian. Punësimi i të gjithë të rinjve dhe qytetarëve me papunësinë në rritje. Pra, në 23 qershor është në dorën tonë të zgjedhim mes humbjes së disave në pushtet apo fitores të të gjithë, edhe të atyre që do të jenë në opozitë. Në 23 qershor Durrësi dhe e gjithë Shqipëria do të votojnë për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Në 23 qershor do të nisë një epokë e re, epoka e Shqipërisë evropiane për të cilën do të punojmë të gjithë së bashku dhe çdo ditë. Ndaj ju ftoj të gjithëve të ecim më shpejtësinë e të rejave dhe të rinjve të Durrësit që janë sot këtu, me shpejtësinë që kërkon e ardhmja jonë sepse ne duam dhe do ta ndryshojmë Shqipërinë. LSI është garancia më e sigurt për stabilitetin dhe integrimit evropian të Shqipërisë. Rroftë populli i Durrësit, rroftë Shqipëria evropiane, fitore, fitore dhe përsëri fitore.