19 May Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në Konventën e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane"
I nderuar kryetar i Partisë Socialiste! Të nderuar kryetarë të partive të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, të dashur motra dhe vëllezër socialistë dhe progresistë kudo ku jeni. Më 23 qershor shoqëria jonë është përpara sfidës së madhe për të dëshmuar zgjuarsinë dhe pjekurinë, forcën dhe vendosmërinë, për të realizuar më në fund ndryshimin e madh, për të bërë rrotacionin e domosdoshëm, që do t’i çelë rrugën e pandalshme Shqipërisë së vlerave të vërteta evropiane.
Bashkimi i së majtës është një aksion politik për forca politike evropiane dhe për misionarë të së nesërmes evropiane të Shqipërisë. Bashkimi ynë është reflektim i përgjegjshëm dhe në koherencë të plotë me interesin publik të shoqërisë sonë dhe të çdo qytetari shqiptar. Ky koalicion nuk është një kalkulim numrash por është një detyrë dhe përmbushje e përgjegjësisë historike që buron prej dëshirës dhe vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë t’i japin fund tranzicionit por edhe që presin ndryshime thelbësore pikë së pari në jetën e tyre sociale dhe ekonomike. Nevoja e bashkëpunimit për të ardhmen evropiane të vendit, energjia dhe vizioni ynë i përbashkët për atë se çfarë do të jetë Shqipëria e pas 23 qershorit, vlerat e së majtës moderne dhe progresiste evropiane, solidariteti, humanizmi e kohezioni social formësuan dhe e konsolidojnë çdo ditë koalicionin tonë të fitores, si fuqi kryesore që do të garantojë përfundimisht në këtë vend vendosjen e shtetit mbi pushtetin dhe pushtetit në shërbimin e qytetarëve.
Shqipëria, anëtare e NATO-s; Shqipëria, faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon; Shqipëria që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, nuk mund t’ia lejojë vetes që të jetë vendi i vetëm në Evropë që shkon në zgjedhje me gjysmë KQZ-je. Është përgjegjësia jonë, është misioni ynë ta mbyllim përfundimisht këtë kapitull dhe të nisim më 23 qershor, me fitoren plebishitare në zgjedhje, me një ritën tjetër, me një vizion tjetër dhe me një angazhim e përgjegjshmëri rrugëtim e pandalshëm drejt Evropës së bashkuar. Në përmbushje të këtij misioni historik dhe jetik për fatet e vendit dhe të qytetarëve tanë, për të mbërritur në horizonte evropian që e kemi të qartë dhe të projektuar, ne bashkërisht do të ndërtojmë një Shqipëri me stabilitet politik dhe institucional, do të ndërtojmë një Shqipëri ku prioritetet e vendit dhe të qytetarëve janë edhe prioritetet e politikës. Me të drejtë shqiptarët presin jo vetëm një ndryshim thelbësor të vizionit të qeverisjes por realizimin e një qeverisjeje ndryshe, të qeverisjes së progresistëve, të cilët nuk do ta përplasin më Shqipërinë me Perëndimin, as me Evropën dhe as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që do të ridimensionojë dhe forcojë gjithnjë e më shumë urat e bashkëpunimit dhe të partneritetit euroatlantik.
Fitorja e sigurt e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” në zgjedhjet e 23 qershorit do të vendosë të gjithë shoqërinë shqiptare përballë sfidave, të cilave mazhoranca e re do t’i përgjigjet me vendimmarrje energjike dhe dinamike për të forcuar stabilitetin ekonomik, për të rritur prodhimin vendas, për të rritur eksportet shqiptare dhe për të pasur një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm që sjell punësim të garantuar dhe afatgjatë për të gjithë, për të stimuluar investimet vendase dhe tërhequr investimet e huaja, me qëllim çlirimin e potenciale ekonomike për sipërmarrjen e lirë dhe konsolidimin e partneritetit publiko-privat.
Pas 23 qershorit, kur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” do të fitojë në mënyrë plebishitare votëbesimin e qytetarëve shqiptarë, ne do të punojmë për të mbrojtur shtresat sociale në nevojë për të zgjeruar dhe fuqizuar klasën e mesme, për të nxitur investimet në sektorët potencialë të ekonomisë që kanë intensitetin më të lartë të punësimit si dhe për të krijuar hapësirat për një shoqëri civile aktive, e cila i imponohet klasës politike dhe rrit llogaridhënien në jetën publike.
Rinia sot, në këtë sallë dhe kudo në Shqipëri, mezi po e pret këtë ndryshim. Janë ata që duan të ecin më shpejt dhe që duan dhe duhet të diktojnë ritmin e progresit për të gjithë shoqërinë tonë. Ata nuk duan të jenë më fasada e një politike konfliktuale por duan të jenë dhe do të jenë protagonistë të fateve të tyre, siç ishin edhe në fillim të viteve ’90. Sepse gjithmonë ndryshimi është shpirti i rinisë.
Të dashur motra dhe vëllezër socialistë. Pas 23 qershorit ne të gjithë do të punojmë për të krijuar një shoqëri më të denjë, më të barabartë dhe më të drejtë për të gjithë. Për një mirëqeverisje transparente, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme, duke i qëndruar besnik vlerave të një shoqërie të emancipuar për të garantuar atë që shqiptarët e ëndërrojnë prej 22 vitesh, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Edhe pak javë na ndajnë nga fitorja historike dhe plebishitare e 23 qershorit, nga lindja e një Republike të re, e asaj të Shqipërisë së vërtetë evropiane. Rroftë Shqipëria Evropiane. Fitore.