Takim madhështor në Fier, Lideri i LSI prezanton kandidatët për deputetë

Takim madhështor në Fier, Lideri i LSI prezanton kandidatët për deputetë

ilirmeta20052013-2

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim madhështor në sheshin qendror të qytetit të Fierit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 16 kandidatëve për deputetë në këtë qark. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar të gjithë ekipin fitues të LSI-së në Qarkun Fier, deklaroi se më 23 qershor Fieri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do t’i japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave sepse fierakët dhe shqiptarë duan një lidership që nuk tregon përralla por që shikon realitetin në sy dhe që i jep dorën çdo të riu dhe çdo të reje, çdo të moshuari, çdo gruaje dhe çdo burri, për të ecur përpara dhe më shpejt në rrugën e mirëqenies, në rrugën e begatisë. Z. Meta prezantoi kandidatët duke filluar me kryesuesin e listës së LSI-së në Qarkun Fier duke nisur me Petrit Vasilin, e duke vijuar me Robert Bitrin, Ornela Zonjën, Ardian Alushin, Albert Sanxhakun, Frederik Çukon, Elinor Shanin, Agim Çukon, Agim Rrasën, Bardhi Melin, Ferdinand Doksanin, Donika Canajn, me Majlinda Koçiun, Semela Hoxhën, Besmir Gropën dhe Anilda Aliajn.

Fjala e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta

Kam kënaqësinë që të jem sot në këtë podium së bashku me Petrit Vasilin, një nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shok i palodhur dhe i kudogjendur. Të jem sot këtu me mikun tim të vjetër të fillimviteve ’90, me një nga ata që reformoi Partinë Socialiste këtu në Fier dhe që u rikthye në jetën politike dhe publike me Lëvizjen Socialiste për Integrim, që vjen sot këtu para jush për të qenë përfaqësues i vlerave më të mira të intelektualëve dhe qytetarëve fierakë, me Robert Bitrin. Është kënaqësi që të jem bashkë me gjithë këta të rinj dhe të reja, me Ornelën, me këtë përfaqësuese të denjë të LRI-së dhe të LGI-së. Është kënaqësi të jem me Ardian Alushin, Albert Sanxhakun, me Frederik Çukon, me Elinor Shanin, me Agim Çukon, me Agim Rrasën, me Bardhi Melin, me Ferdinand Doksanin, me Donika Canajn, me Majlinda Koçiun, me Semela Hoxhën, me Besmir Gropën dhe një kënaqësi akoma më e veçantë të jem me Anilda Aliajn, e cila pak ditë më parë solli në jetë një foshnje të mrekullueshme.

Fieri dhe Myzeqeja nuk janë thjesht hambar i Shqipërisë apo ikona të vlerave të jashtëzakonshme të trashëgimisë kombëtare, historike dhe kulturore të Apolinisë, Bylisit, të Ardenicë etj, por janë dhe djepi i atdhetarëve të shquar, i intelektualëve, luftëtarëve dhe patriotëve që në dekada dhe në shekuj luftuan me mish e me shpirt për një Shqipëri të lirë e të begatë, për krijimin e një shteti modern dhe evropian. Fieri dhe mbarë Myzeqeja ka qenë djepi i luftës partizane, i luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe i qindra dëshmorëve të shquar të këtij populli. Po me aq vetëflijim myzeqarët sakrifikuan mundin e tyre, djersën dhe punën e palodhur për tu çliruar nga skamja dhe varfëria që kishte pllakosur Shqipërinë e pasluftës duke tharë moçalet dhe kënetat dhe duke rikthyer shpresën e zhvillimit. Edhe sot pas kaq kohësh myzeqarët dhe shqiptarët, të lodhur nga politika e moçalit dhe e baltosjes që ka plagosur rëndë shpresën dhe besimin e të rinjve dhe të moshuarve, e grave dhe burrave, te Shqipëria e punës, te Shqipëria e mirëqenies, te Shqipëria e zhvillimit dhe e mundësive të barabarta për të gjithë, te Shqipëria evropiane. Janë këtu të bashkuar për tu rikthyer shpresën e Fierit dhe të Shqipërisë që duam, të asaj që do të bëjmë të gjithë së bashku, për të çliruar plagët e papunësisë, për të kuruar ekonominë, për të luftuar polarizimin dhe varfërinë, për të arsimuar denjësisht të rinjtë tanë të mrekullueshëm që nesër të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësitë e tyre.

Prandaj më 23 qershor Fieri, Lushnja, Mallakastra dhe të gjithë shqiptarët do t’i japin fund përrallave të doktorit në botën e çudirave sepse fierakët dhe shqiptarë duan një lidership që nuk tregon përralla por që shikon realitetin në sy dhe që i jep dorën çdo të riu dhe çdo të reje, çdo të moshuari, çdo gruaje dhe çdo burri, për të ecur përpara dhe më shpejt në rrugën e mirëqenies, në rrugën e begatëse. Duan një lidership që nuk i shmanget sfidave ekonomike por që përvesh mëngët për t’i zgjidhur ato. Duan një lidership që papunësinë nuk e shikon si statistikë por si një fatkeqësi ndaj jetës dhe mirëqenies të njerëzve të thjeshtë. Duan një lidership dhe një qeverisje që nuk bën listaprezence nëpër mitingjet e saj por një lidership dhe një qeveri që i jep fund ushqimeve me lista nga qytetarët në dyqanet tona. Duan një lidership që nuk uzurpon pushtetet dukë gjymtuar shtetin dhe pavarësinë e institucioneve. Duan një lidership drejt integrimit dhe perëndimit dhe jo drejt izolimit. Duan një lidership që nuk mendon për grabitjen e zgjedhjeve të radhës por për aspiratat dhe perspektivat e gjeneratave të së nesërmes. Fierakët dhe shqiptarët nuk duan një lidership që ndryshon sloganet e fushatës elektorale për tu dukur “trendy” por një lidership që ndryshon faqen e Fierit, të Lushnjës, Mallkastrës dhe të gjithë Myzeqesë.

Ndaj sot si asnjëherë tjetër ne jemi këtu më të shumtë dhe më të bashkuar sepse ju besoni tek LSI, sepse LSI është një garanci për rrotacionin e sigurt të 23 qershorit. Për një ndryshim të madh në jetën ekonomike dhe shoqërore sepse LSI ka treguar që nuk mbjell urrejtje midis shqiptarëve dhe nuk ndërton mure ndarëse por ura bashkëpunimi. Njëkohësisht ajo ka treguar vizionin dhe energjitë e duhura për të çliruar potencialet e fjetura që ka shoqëria jonë dhe ekonomia shqiptare. Sepse ne duam të ecim më shpejt drejt një modeli ekonomik të zhvillimit që sjell punësim, që mbështetet tek rritja e prodhimit vendas dhe në veçanti tek rritja e eksporteve, që nxit investimet vendase dhe ato të huaja, që ul koston e kreditimit për sipërmarrjen e lirë, që konsolidon partneritetin publiko-privat në ndërtimin e veprave publike që përmirësojnë rrënjësisht shërbimet publike në interesin më të mirë të qytetarëve dhe komunitetit. Sepse ne kemi një plan punësimi me pesë prioritete të qarta, i cili përcakton sesa vende pune do të hapen, si dhe në çfarë mekanizmash dhe në cilët sektorë të ekonomisë duke transformuar dhe modernizuar në veçanti bujqësinë.

Askush më mirë se myzeqarët nuk e di se sa i pa mbështetur dhe i shpërfillur është sot fermeri myzeqar nga qeveria aktuale, që jep sot më pak se 15 dollarë grante për çdo fermer shqiptar i cili pavarësisht përpjekjes dhe mundit të një viti, lut Zotin që të mos ketë breshër gjatë korrjeve apo që prodhimi i tij bujqësor të mos kalbet, pa e shitur duke lënë kështu pa ushqyer familjen e tij. Fatkeqësisht buxheti i shtetit për ta dhe për bujqësinë është thjesht një lëmoshë. Prandaj ne do ti japim prioritetin e duhur bujqësisë dhe do të shumëfishojmë grantet dhe subvencionet për fshatin dhe fermerët. Kjo në radhë të parë do të jetë në interesin e të gjithë fermerëve myzeqarë. Ne do të aplikojmë skemën e granteve, të subvencioneve të kredive agrare me interesa 3 për qind, për të rritur prodhimin bujqësor dhe për të ulur kostot e ti
j, për të rritur cilësinë e produkteve bujqësore dhe për t’u ulur çmimet e tyre për konsumatorët vendas, për të shtuar numrin e fermerëve dhe krijuar vende të reja pune në industritë agropërpunuese.

LSI premton për fermerin myzeqar dhe shqiptar subvencionim me 50 për qind të çmimit të farërave me rendiment të lartë, të pesticideve dhe plehut kimik, subvencionim me 50 për qind të kostos të instalimit të pompave dhe investimeve në sistemet e vaditjes për fermat dhe serat tuaja. Fermerët që do të angazhohen në shoqëritë bujqësore do të subvencionohen me 25 për qind të blerjes në grup të traktorëve dhe motokultivatorëve. Ne angazhohemi për ta shndërruar Shqipërinë në një destinacion turistik ndër më tërheqësit, duke ndërtuar resorte turistike me shërbime cilësore dhe me çmime konkurruese me rajonin përmes stimujve fiskalë për operatorë vendas dhe të huaj në mënyrë që të kalojmë nga turizmi familjar një një turizëm elitar. Kam një pyetje për të gjithë ju e sidomos për të gjithë ata qytetarë të Fierit dhe të Lushnjës që banojnë përgjatë bregdetit të mrekullueshëm.

Më thoni të nderuar se çfarë investimi serioz në këto 8 vite, se çfarë resorti, se çfarë fshati turistik është bërë në bregdetin e Fierit dhe atë të Lushnjës në një vijë bregdetare prej 48 kilometrash që është e gjatë se ajo e Sllovenisë? Si ka mundësi që plazhet e mrekullueshme të Divjakës, të Semanit, hidrovorë etj., të lihen në harresë dhe në mëshirë të fatit, kur ato kanë vlera të jashtëzakonshme turistike dhe kurative, dhe kur mund të sjellin një progres të jashtëzakonshëm për mbarë komunitetin dhe gjithë zhvillimin e vendit. LSI është angazhuar për uljen me 10 për qind të TVSH-së për shërbimet turistike pasi kjo do të ndihmojë për të konkurruar akoma më mirë në fushën e turizimit me vendet e tjera të rajonit. Është paradoksale kur dëgjon shifrat e qeverisë për bum turistik, për 4.7 milionë turistë në vit. Ndërkohë që banka e Shqipërisë që të ardhurat nga turizmi kanë rënë me 5 për qind për vitin 2012. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë një fakt shumë të rëndë i cili ka të bëjë me atë se shqiptarët pothuajse më shumë shpenzojnë jashtë shtetit për turizëm, sesa fitojnë nga zhvillimi i turizmit në vendin e tyre. pra, kjo tregon qartë se zhvillimi i turizmit ka qenë një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie, të një potenciali të pashfrytëzuar.

Ndaj ne jemi të angazhuar për ti çliruar të gjitha këto potenciale për të krijuar resorte dhe fshatra turistikë të cilët do ta lulëzojnë bregdetin e qarkut të Fierit. Ashtu sikurse jemi të angazhuar për t’i kthyer Fierit gjallërinë e dikurshme, ku punësoheshin me dhjetëra e mijëra punëtorë, Fierit, i cili ishte një ndër zonat industriale dhe energjetike më të zhvilluara. Ndaj ne angazhohemi për një reformë industriale, angazhohemipër të realizuar në Fier dhe në Lushnjë parqe industriale, të cilat përmes lehtësive fiskale do të bëjnë të mundur tërheqjen e shumë bizneseve me qëllim rritjen e punësimit. Sepse Fieri, Lushnja, Patosi, Roskoveci, Ballshi nuk vuajnë për fuqi të kualifikuar punëtore. Shqipëria është e pasur më burime natyrore, me burime hidrokarbure, minerale dhe ne nuk do të lejojmë që vendi ynë do të afrikanizohet, sepse jemi në zemër të Evropës dhe nuk duhet të pranojmë që të jetojmë si njerëz të varfër sipër një toke mjaft të pasur. Ndaj fierakët dhe shqiptarët duhet t’i gëzohen bekimit të bërë nga burimet natyrore të cilat për fat të keq kanë sjellë vetëm varfëri dhe harresë për minatorët në Bulqizë, por edhe për naftëtarët në Fier, Patos, Ballsh, Divjakë, etj. Ne kemi nevojë për një lidership që pasuritë kombëtarë të nëntokës t’i menaxhojë me efikasitet dhe transparencë, t’i kthejë në një vlerë të shtuar për ekonomi, përmes fabrikave të pasurimit dhe rafinerive të naftës, duke punësuar mijëra minatorë dhe naftëtarë të rinj dhe duke lënë në rrugë minatorët dhe naftëtarët e vjetër të cilët sot janë edhe pa punë dhe pa pension. Ndaj ne sot angazhohemi për dhënien e statusit të veçantë për naftëtarët dhe minatorët.

Të dashur motra dhe vëllezër. 23 qershori është beteja midis të ardhmes dhe të shkuarës, midis të resë dhe të kaluarës, midis stanjacionit politiko-ekonomik dhe zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Ndaj unë jam i bindur se me 23 qershor Fieri, Lushnja dhe Mallakastra do të votojnë me bindje dhe me zemër për LSI-në. Një falënderim të veçantë doja t’i bëja të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së në rrethin e Fierit dhe kryetarit të LSI-së në Fier, Robert Bitrit dhe jam i bindur se puna e shkëlqyer e bërë sidomos gjatë vitit të fundit, jo vetëm do të japë rezultate të shkëlqyera më 23 qershor, por LSI do të jetë ajo forcë që do të bashkëpunojë, që do të përfshijë në të gjitha politikat e saj për të ardhmen e Fierit, të gjithë intelektualët e Fierit me dhe pa parti, të gjithë ata që e duan Fierin. Sepse Fieri ka qenë një qendër e jashtëzakonshme e inxhinierëve, e intelektualëve, e agronomëve, e zooteknikëve dhe jam i bindur se këta njerëzit që do e çojnë Fierin më përpara dhe do ta çojnë shumë më shpejt pikërisht ashtu siç thotë edhe slogani ynë.

Më 23 qershor ne kemi përgjegjësinë dhe privilegjin historik që secili prej nesh të vendosë gurin e tij për të ndërtuar themelet e një republike të re kushtetuese demokratike dhe evropiane, duke lënë pas një regjim të ndryshkur kryeministror. Ndaj ju ftoj të gjithëve të ecim me shpejtësinë e rinisë së Fierit, të Lushnjës dhe Mallakastrës. Ju ftoj t’i kundërvihemi të gjitha presioneve ndaj votës së lirë, sepse rezistenca e parë ndaj Sali Berishës në prekjen e votës është bërë nga gratë dhe nga populli i Libofshës dhe nuk ka asnjë shans dhe asnjë mundësi ai dhe kushdo tjetër që të vërë dorë mbi votën tuaj dhe mbi të ardhmen e fëmijëve tuaj. Ju ftoj të ngriheni mbi padrejtësitë mbi pasiguritë mbi papunësinë, mbi varfërinë dhe mbi të gjitha mbi indiferencën dhe talljen e kryeministrit që po ikën. Prandaj le të veprojmë sot dhe të vrapojmë sot të gjithë së bashku drejt një të ardhme të sigurt, drejt një punësimi të sigurt dhe dinjitoz, drejt zhvillimit që kërkon koha dhe fëmijët tanë për të trokitur të sigurt dhe me dinjitet në dyert e Bashkimit Evropian. Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti dhe Shqipëria ka diell për të gjithë shqiptarët ndaj dhe dielli që do të lindi më 24 qershor do t’u takojë të gjithëve.

 

Ishte një kënaqësi e veçantë për mua që të merrja pjesë në këtë takim madhështor dhe të ndaj optimizmin dhe bindjen time të plotë se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të fitojë 80 mandate më 23 qershor dhe një nga fitoret më të mëdha do të jetë pikërisht në qytetin, në rrethin dhe në qarkun e Fierit. Jam i lumtur që shikoj sot Fierin të kuq dhe jam i bindur se Fieri dhe fierakët, duke votuar për LSI-në votojnë me bindje të plotë se kështu do të ecet më shpejt drejt të ardhmes evropiane dhe në këtë mënyrë do të jepet një kontribut historik që do të kujtohet edhe nga brezat e ardhshëm. Fitore, rroftë populli i mrekullueshëm i Fierit, rroftë Shqipëria evropiane, fitorja është e jona por edhe të gjithë shqiptarëve!  

Fjala e kryesuesit të listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Fier, Petrit Vasil
i

Motra dhe vëllezër. Ju përshëndes dhe ju përqafoj të gjithëve. Motra dhe vëllezër nga Fieri, Lushnja, Mallakastra, jeni bukuria dhe nderi i këtij sheshi. Të rinjtë e LRI-së, jeni bukuria e këtij sheshi. Ju përshëndes të gjithëve. Jemi këtu për të respektuar, për të nderuar dhe për të çuar më lart nderin e këtij qarku, i cili ka qenë nderi i punës, ka qenë nderi i historisë, ka qenë nderi i Luftës Nacionalçlirimtare ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Ka qenë nderi i qytetarisë së spikatur që në 23 qershor do dali dukshëm përsipër. Sot nga ne, presin përgjigje mijëra e mijëra fermerë, mijëra e mijëra naftëtarë, mijëra e mijëra gra dhe nëna, të rinj e të reja, të cilët s’mund të presin më deri më 23 qershor. Duan të çlirohen dhe ne do ti çlirojmë. Fieri është pa asnjë diskutim një qark me potenciale të jashtëzakonshme ekonomike, dhe sot ka ardhur dita që në 23 qershor ne ta kthejmë Fierin dhe gjithë qarkun në një metropol ekonomik. Por, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë, duhet që të ketë një forcë politike që ka gjithmonë një derë të hapur për njerëzit, ka zemrën e hapur për njerëzit, ndan çdo hall me çdo fermer, me çdo naftëtar, me çdo njeri të thjeshtë, dhe kjo forcë është një dhe vetëm një, LSI. Kjo forcë ka një fuqi, ka një gjë që nuk e kanë as të tjerët, kjo forcë politike ka atë njeri që di të jetë burri i madh shteti dhe e çon Shqipërinë përpara, dhe di që të jetë njeriu që qan hallin e thjeshtë, njeriu i thjeshtë, dhe ky quhet Ilir Meta. LSI dhe Ilir Meta, janë fituesit e 23 qershorit dhe këtë e lexojmë në sytë tuaj, në sytë e mijëra mijëra nënave dhe grave, në sytë e mijëra e mijëra të rejave, në sytë e mijëra e mijëra burrave dhe baballarëve, të cilët e kanë vendosur fitoren, ajo është LSI. Dhe më në fund na mbetet që ne të ecim më shpejt, por jo vetëm të ecim më shpejt, të vrapojmë më shpejt, se 23 qershori nuk pret, duhet të shkojmë atje me fitore. Rroftë LSI. Rroftë Ilir Meta. Rroftë Shqipëria.