Konferenca për shtyp e Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta pas takimit me shefen e Misionit të ODIHR-it, Conny McCormack

Konferenca për shtyp e Kryetarit të LSI-së, z. Ilir Meta pas takimit me shefen e Misionit të ODIHR-it, Conny McCormack

ilirmeta22052013

Ishte kënaqësi që bashkë me z. Ylli Manjani të prisnim shefen e misionit të ODIHR-it, znj. Conny McCormack dhe të shkëmbenim mendime lidhur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit duke shprehur angazhimin e LSI-së që Shqipëria të ketë standardet më të larta në këto zgjedhje pasi ato janë tepër të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit, por edhe për integrimin e vendit dhe njëkohësisht për të ecur më shpejt në rrugën e progresit ekonomik dhe të punësimit, që janë shqetësimet kryesore të gjithë qytetarëve tanë.

Kuptohet që suksesi këtyre zgjedhjeve është një mundësie e shkëlqyer për të ridimensionuar jo vetëm pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë në raport me BE-në dhe për të lehtësuar marrjen e statusit të vendit kandidat, por mbi të gjitha për të nxitur investime të rëndësishme në vendin tonë për të ardhmen dhe një klimë besim tek siguria, tek stabiliteti dhe tek rendi juridik i këtij vendit. Ndaj janë kaq të rëndësishme standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Deklaratat e z. Nasip Naço kanë krijuar konfuzion në kampin e majtë. E para, ju personalisht nuk keni mbajtur një qëndrim të qartë nëse keni ambicie për t’u bërë kryeministër pas zgjedhjeve të 23 qershorit. E dyta, si do t’i komentonit deklaratat e një aleati tjetër të koalicionit të majtë, z. Gjinushi i cili tha se më mirë të jetë Kryeministër Sali Berisha se sa Ilir Meta?

Nuk ekziston asnjë konfuzion në kampin opozitar, përkundrazi gjithçka ecën në sintoni të plotë. Sot opozita synon të arrijë 80 mandate në shkallë kombëtare dhe të fitojë me diferencë gati 200 mijë vota gjë që është plotësisht e mundshme dhe e realizueshme. Ndërsa për çështjen në fjalë, mendoj se është një çështje e zgjidhur, e zgjidh Kushtetuta, e zgjidh vota e qytetarëve shqiptarë. Ndërsa për premtimin e doktorit, se unë nuk ia marr dot karrigen dhe se ai nuk ka ndërmend ta lëshojë karrigen e kryeministrit, unë do të propozoj një kompromis tjetër doktorit për këtë çështje. Sepse ai nuk ka çfarë bën, do ta pranojë vullnetin e sovranit dhe do ta lëshojë zyrën, por karrigen që ka mbajtur përgjatë këtyre tetë viteve ta marrë me vete në shtëpi në studion e tij ose në Partinë Demokratike siç ka bërë edhe idhulli i tij Les Valesa. Edhe ai kështu e bëri, kur humbi presidencën e mori karrigen e presidentit me vete. Gjinushi do të ketë ndonjë shqetësim për këtë çështje, ne do të angazhohemi si LSI të përballojmë shpenzimet për një karrige tjetër.

Z. Meta dje u prezantua një sondazh në të cilin u vu re një rritje e LSI-së. Ky sondazh dhe rezultatet e tjera, a nuk i japin të drejtë z. Nasip Naço të thotë që Ilir Meta të jetë kryeministër i Jashtëm?

Nuk ka sondazh që e kap LSI-në. Kështu e nxorët LSI-në, ju e nxorët 3 për qind në 8 maj dhe thatë mbaroi LSI-ja, por LSI-ja doli me 23 mijë vota vetëm në qytetin e Tiranës. Të jeni të sigurt që ata që kanë bërë dhe që do të bëjnë sondazhe do të kërkojnë falje në 24 qershor, por janë të falur sepse në fund të fundit nuk mendoj se kanë qëllime të caktuara. Të gjithë i kanë humbur bastet me LSI-në. Do t’i humbasin më shumë këtë herë, të jeni të sigurt. Ju e shikoni vetë, pasqyroni takimet tona, aktivitetet tona. Rininë që ka LSI-ja nuk e gjen asgjëkund.

 

Z. Meta, duket sikur propozimi juaj që tre ligjet të miratohen në Parlament përpara zgjedhjeve dhe të hyjnë në fuqi në shtator, duket sikur ka gjetur mbështetje edhe nga kryeministri Berisha. Por, a do të ketë ndonjë iniciativë zyrtare për tu mbledhur Parlamenti dhe për të votuar këto tre ligje?

Unë kërkoj që tani që të zyrtarizohet procedura për çështjen e tre ligjeve dhe natyrisht që kjo në radhë të parë është në dorë të mazhorancës, e cila drejton edhe Parlamentin. Do të ishte edhe një tregues i përgjegjshmërisë së mazhorancës për fatet e vendit. Por në fund të fundit do të ishte edhe një kontribut që ata do të jepnin në procesin e integrimit evropian sepse në rast se nuk do të japin këtë kontribut tani dhe në rast se ligjet miratohen në shtator me 84 vota pa kontributin e tyre, nuk do të ishte pozitive dhe diçka serioze. Prandaj, unë dua të besoj në angazhimin e Partisë Demokratike për të ndihmuar procesin e integrimit evropian. Nuk është koha tani për kritika dhe autokritika për këtë çështje. Shqiptarët kanë nevojë për një mesazh konstruktiv, për një mesazh përgjegjshmëri nga klasa politike. Ne kemi një shprehje të veçantë ku themi se, fundi mbahet mend. Dhe fundi i këtij Parlamenti do të ishte pozitiv duke bërë një akt të tillë dhe njëkohësisht do të ishte një akt shumë i mirëpritur nga partnerët tanë ndërkombëtarë.