Takim madhështor në Berat, Lideri i LSI prezanton kandidatët për deputetë

Takim madhështor në Berat, Lideri i LSI prezanton kandidatët për deputetë

ilirmeta20052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim madhështor në sheshin qendror të qytetit të Beratit, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në këtë. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, duke prezantuar të gjithë ekipin fitues të LSI-së në Qarkun Berat, deklaroi është koha për rrotacion, është koha për ndryshim, është koha për të ecur më shpejt drejt një modeli të zhvillimit ekonomik që rrit prodhimin dhe kapacitetet eksportuese të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Z. Meta prezantoi kandidatët duke filluar me kryesuesin e listës së LSI-së në Qarkun Berat, Nasip Naço, duke vijuar me Gledion Rehovicën, Selfo Kapllanin, Silva Cakën, Lefter Kuqon, Valbona Papën, Mimoza Velikon, dhe Emiljano Kamsin.

Fjala e Kryetarit tw Lwvizjes Socialiste pwr Integrim, Ilir Meta

Motra dhe vëllezër të këtij qyteti kaq shumë të dashur për mua dhe të gjithë ju, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Jam shumë privilegjuar të jem sot në Berat. Ne Beratin e kuq, në Beratin e idealeve partizane, në Beratin që i dha më shumë se çdo krahinë tjetër nënshkrues aktit të pavarësisë me Ismail Qemalin në Vlorë. Në Beratin që jo vetëm krenohet me historinë, me traditat dhe me atë që ka dhënë më të mirën për kombin, por me Beratin është gati të marrë shumë më tepër përgjegjësi për të ardhmen e tij, por edhe për të ardhmen e gjithë Shqipërisë.

Ndaj ne jemi sot më të fortë se asnjëherë tjetër, jemi sot më të mbështetur se kurrë më parë, jemi sot në këtë qytet të shenjtë në këtë qytet të jashtëzakonshëm. Jemi këtu përballë malit të shenjtë të Tomorit, Sepse jemi të bekuar nga Zoti dhe nga Abaz Aliu që të bëjmë punë shumë të mira për Beratin, për Kuçovën dhe për të gjithë Shqipërinë.

Dje kur po kthehesh nga Durrësi dëgjova një zë të njohur, i cili i premtonte Beratit se turizmi do të rritej në Berat 400 % gjatë katër viteve që do të vinin. Vërtetë u habita akoma më tej kur pashë se ky zë i njohur i taktonte kryeministrit në largim, i cili e ka diskriminuar për fat të keq Beratin dhe të gjithë këtë qark si asnjë qytet dhe asnjë qark tjetër në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre 8 viteve. Ai dhe qeveria e tij jo vetëm që nuk kanë dëgjuar zërin tuaj dhe shqetësimet tuaja, por njëkohësisht nuk kanë dëgjuar as zërin tim, as zërin e deputetit të Beratit gjatë këtyre viteve, Nasip Naçon në Parlament dhe kudo, për të treguar jo ndonjë dashuri shumë të madhe për Beratin për Skraparin dhe për Kuçovën. Sepse atij i ka mbetur ora për fat të keq në këtë qark në referendumin e vitit 1994. Po të tregonte kujdesin më minimal, të tregonte përgjegjshmërinë dhe dhembshuri të pakët që mund të tregohej ndaj këtij populli, por edhe ndaj vlerave të jashtëzakonshme kulturore, muzeale dhe historike që i takojnë qytetit të UNESCO-s. Pesë milionë euro u vendosën në dhjetor në buxhetin e shtetit vetëm si rezultat i insistimit të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të rregulluar dhe për të mbushur gropat nacionale që lidh Lushnjën me qytetin e Beratit dhe ai që dje premtonte rritjen e turizmit 400 për qind në qytetin e Beratit për katër vitet e ardhshme bënte sikur nuk i shikonte gropat me të cilat ju dhe të gjitha ata që vijnë dhe që ikin nga Berati, luftoni çdo ditë. Ku shkuan këto 5 milionë euro, të cilat u vendosën formalisht në buxhetin e shtetit. Ju me të drejtë mund të pyesni, një pjesë e tyre vajtën për një kompani lobuese që të dizinformojë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për problemet me të cilat po ndeshet demokracia në Shqipëri, për problemet me të cilat po ndeshen zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Ndaj  Berati nuk ka ndërmend të presë Sali Berishën të mbajë premtimet e tij por ne jemi njerëz bujarë, jemi mikpritës, jemi tolerantë. Ne vërtet pas 23 qershorit  nuk do ta presim Sali Berishën si kryeministër sepse ai me votën tonë, me votën tuaj dhe gjithë shqiptarëve do të shkojë në opozitë. Por, ne do ta presim si turist që të vizitojë kalanë, do ta presim si turist në Malin e Tomorit për pelegrinazh, do ta presim si turist në kanionet e Osumit sepse ne e kemi zemrën të madhe dhe të gjerë. Bukuritë natyrore dhe vlerat e jashtëzakonshme të Beratit janë të panumërta dhe do të duheshin ditë të tëra për t’i përmendur por bukura dhe vlera më e madhe e këtij qyteti dhe e këtij Qarku janë njerëzit bujarë, duarartë, punëdashës dhe patriotë.

Ndaj Berati, unë jam i bindur që më 23 qershor Berati do t’i thotë “jo” diskriminimit që iu bë këtij Qarku. Nuk do të pajtohet me stanjacionin ekonomik dhe papunësinë që këtu është në rritje si rrallë në ndonjë qark tjetër. Jam i bindur se Berati nuk mendësitë totalitare ku ligji shërben si hanxhar në dorën e pushtetit kundër njerëzve të thjeshtë dhe të pambrojtur. Jam i bindur se Berati nuk do të pajtohet me bllokimin e integrimit evropian dhe me mungesën e shpresës, se Berati dhe Shqipëria do të bëhen ato që ne duam dhe që ëndërrojmë. Beratasit janë të lodhur nga mashtrimet dhe nga premtimet e gënjeshtërta, janë të lodhur nga retorikat konfliktuale të cilat kanë lënë në baltë axhendën e punësimit, të kujdesit social, zhvillimit dhe integrimit evropian. Për LSI-në pozita dhe opozita nuk duhet të jenë llogore ndasish apo kampe armiqsh që luftojnë me çdo çmim për pushtetin por faktorë të përgjegjshme të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve,  të cilët edhe pse nuk mendojnë njësoj për qeverisjen e vendit kanë përgjegjësinë e përbashkët për të rritur punësimin dhe mirëqenien për qytetarët tanë, për të garantuar sigurinë dhe rendin publik për të gjithë, për të përmirësuar shërbimet publike në funksion të një shoqërie më sociale dhe më të drejtë.

Ndaj na duhet një qeveri e përgjegjshme dhe energjike, e cila i kupton sfidat e vështira që ka ekonomia jonë dhe është e gatshme të ndërmarrë reforma strukturore të guximshme. Nuk duam një qeveri që i ndan shqiptarët në demokratë dhe socialistë, në demokratë dhe të majtë, në blu apo të kuq, sepse në të gjithë thithim të njëjtin ajër, shkelim dhe ecim në të njëjtat rrugë, jetojmë në të njëjtën shoqëri, e cila ndan të njëjtat halle dhe shqetësime, ku problemi kryesor është ai i punësimit. Ndaj ne kërkojmë dhe do të sigurojmë një rend publik kudo dhe për të gjithë, për një shkollim cilësor të fëmijëve tanë si dhe një perspektivë të sigurt për punësimin. Në të gjithë e dimë që nuk mund të hapim vende të reja pune, të kemi zhvillim apo mirëqenie, për aq kohë sa vendi po vuan nga një stanjacion ekonomik dhe nga eufori butaforike nga ana tjetër. Shqiptarët kërkojnë një lidership politik që nuk flet për mrekulli ekonomike imagjinare por një lidership me këmbë në tokë që flet për njerëzit e zakonshëm dhe që kujdeset për hallet e tyre të përditshme.

Prandaj është koha për rrotacion, është koha për ndryshim, është koha për të ecur më shpejt drejt një modeli të zhvillimit ekonomik që rrit prodhimin dhe kapacitetet eksportuese të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të
garantojmë një punësim të sigurt dhe afatgjatë. Është koha të ecim më shpejt përpara drejt një progresi shoqëror, që shëron plagët e varfërisë dhe krijon vende të reja për të gjithë qytetarët, që e vendos shtetin mbi pushtetin dhe pushtetin në shërbim të qytetarëve. LSI ka një vizion të qartë dhe një plan konkret për punësimin. LSI në programin e saj premton për fermerët shumëfishimin e granteve dhe subvencioneve, aktivizimin e kredive agrare me interes 3%, nxitjen e investimeve të reja për rritjen e prodhimit, për stabilizimin e çmimeve në treg dhe rritjen e cilësisë, duke stimuluar në radhë të parë eksportet shqiptare “Made in Albania”.

 

Qyteti i Beratit meriton një turizëm elitar, historik dhe kulturor por fatkeqësisht nuk ka asnjë ndjeshmëri edhe për këtë komunitet. Berati nuk është i bukuri i dheut siç shprehet Kryeministri në largim. Në fakt për Berishën në të vërtetë Berati ishte dhe është i harruari i dheut por kjo vetëm më 23 qershor. Është e pafalshme që qeveria që po ikën i la në mëshirë të fatit që të shkatërrohen vlera të jashtëzakonshme monumentale, kulturore dhe historike ndërkohë që prej vitesh është në fondin e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.

Ndaj jam i bindur se qytetarët e Beratit, se populli i Qarkut të Beratit, është më i paduruar dhe më i vendosur se kurrë për tu çliruar nga një qeveri e cila nuk pati as respektin më minimal për këtë qytet me vlera botërore. Jam i sigurt se më 23 qershor Berati dhe e gjithë Shqipëria do të përkrahin “Aleancën për Shqipërinë Evropiane” dhe do të votojnë në veçanti për Lëvizjen Socialiste për Integrim, si një forcë politike bashkëpunuese, që di të sjellë risi dhe ndryshime, për një forcë politike që di të bëjë marrëveshje dhe t’i respektojë ato, për një forcë politike që shikon vetëm drejt së ardhmes. Ju do të votoni Lëvizjen Socialiste për Integrim sepse ajo është alternativa që ju kupton hallet dhe sfidat tuaja të përditshme dhe sepse është e vendosur që t’ju udhëheqë juve për të dalë më shpejt nga ky ngërç që jemi, për të dalë nga kjo shkretëtirë shpresë, për të përveshur mëngët për të punuar më shumë për një jetë më të mirë kudo, si në qytet dhe në fshat, për një të ardhme më të mirë për të gjitha gjeneratat. 

 

Ndaj zgjedhja juaj dhe e shumicës dërrmuese në Berat, në Kuçovë, në Skrapar dhe në gjithë Shqipërinë është e qartë, për rrotacionin dhe ndryshimin. Ndaj le të bashkohemi të gjithë për të realizuar ëndrrën tonë të madhe, atë të plotësimit të Shqipërisë evropiane në një projekt që nisi 22 vite më parë dhe që sot është për fat të keq, në vend numëro sepse vetëm kështu ne do t’i japim Beratit dhe Shqipërisë vendin që meritojnë, vetëm kështu ne do t’i kthejmë Beratit dhe gjithë Shqipërisë shpresën për një të ardhme më të mirë të cilën ju do ta prekni çdo ditë. 34 ditë jam i bindur që  nuk janë shumë për një qytet që mbijetoi me krenari në 2400 vite të vështira. 34 ditë nuk janë shumë për tu ndarë një herë e mirë nga tranzicioni dhe nga Shqipëria virtuale. Jam i bindur që me kontributin tuaj e këtij komuniteti të mrekullueshëm. Berati, Kuçova dhe Skrapari do të jenë kulmet e fitores së LSI-së dhe Aleancës për Shqipërinë Evropiane më 23 qershor.

Unë jam krenar si kryetar i LSI-së sepse këtu në këtë podium të gjithë përfaqësuesit dhe përfaqësueset që ne paraqesim përpara popullit të Beratit, të Kuçovës dhe të Skraparit janë djemtë dhe vajzat e këtyre komuniteteve të shkëlqyera. Ndaj ju ftoj të votoni për Emiljanon, të votoni për Valbonën, të votoni për Lefterin, sepse ne do të tregojmë një kujdes të veçantë dhe do të fillojmë programet e integrimit për të gjithë motrat dhe vëllezërit tanë emigrantë të cilët po ndeshen në vështirësi në Greqi dhe vende të tjera, të cilët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane në Berat dhe në Shqipëri. Të votoni për inxhinierin e shkëlqyer, për Selfo Kapllanin, për një intelektual të shquar të Kuçovës, sepse Kuçova ka qenë dhe mbetet qyteti i punëtorëve, por edhe qyteti i një elite të shkëlqyer inxhinierësh dhe intelektualësh, të cilët do të punojnë në Kuçovë së bashku me Selfo Kapllanin për ta bërë Kuçovën një qytet ku njerëzit të ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane. Ftoj popullin e Beratit, të gjitha votat për Gledi Rahovicën. Ai është lindur dhe rritur këtu dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij komuniteti të shkëlqyer. Natyrisht që është kënaqësi për mua që të ftoj Beratin, Kuçovën dhe Skraparin për të votuar për Nasip Naçon, i cili ka përfaqësuar me dinjitet këtë popull të mrekullueshëm gjatë këtyre katër viteve. Por, pas 23 qershorit do ta ketë më të lehtë sepse nuk do të jetë deputeti juaj i vetëm i LSI-së nga qarku i Beratit, por do të ketë edhe të tjerë.

Unë ju ftoj të votoni shokët dhe shoqet tanë të mrekullueshëm. Por, ju ftoj të votoni edhe për deputetin e 9 të LSI-së në qarkun e Beratit, për Ilir Metën sepse unë jam krenar për vendlindjen time. Jam krenar për mbështetjen që kam marrë nga ky popull i mrekullueshëm që në fillimet e karrierës sime dhe dua t’ju premtoj se jo vetëm telefonat e Nasipit, Gledit, Selfos, do të jenë të hapura për ju dhe për hallet tuaja por edhe telefoni im, dera e zyrës dhe e shtëpisë sime do të jenë të hapura gjithmonë për të gjithë qytetarët e Beratit, të Kuçovës dhe të Skraparit. Jeni të paparë. Kështu do të jetë e paparë edhe fitorja jonë në Berat, në Kuçovë, në Skrapar më 23 qershor. Më 24 qershor do të gdhihemi të gjithë bashkë, edhe me demokratët, dhe do të jemi të gjithë fitimtarë sepse ne do t’i japim fund, një herë e përgjithmonë politikës që armiqëson beratasit dhe që armiqëson shqiptarët me njëri-tjetrin. Me ne të gjithë do të jenë të fituar. Rroftë populli i mrekullueshëm i Beratit. Rroftë populli i mrekullueshëm i Kuçovës dhe i Skraparit. Fitore, fitore dhe vetëm fitore.