18 May Manjani takim me minatorët e Valiasit. PD nuk harron te ngule flamuj elektorale kudo ku ka ndryshk e varfëri
Nënkryetari i LSI-së në Valias pas 22 vitesh nga greva e përgjithshme e sindikatave
Ylli Manjani: Pishtarët e demokracisë Kryeministri i katandisi sot në simbol të varfërisë
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, ka zhvilluar sot një takim me minatorët e Valiasit në kuadër të 22-vjetorit të grevës së Përgjithshme të sindikatave. Z. Manjani zhvilloi një bashkëbisedim me minatorët të cilët shprehën indinjatën e tyre për gjendjen jashtëzakonisht të vështirë në të cilën ndodhen.
Manjani u shpreh se është turp që Kryeministri aktual festoi 22-vjetorin në Hotel Tirana International dhe jo ne Valias. Sipas tij ndërkohë që “doktori feston Valiasi është zhytur në skamje. “Në të tilla raste faktet flasin vetë. Nuk ka nevojë për shumë komente, aq më tepër kur këto bëhen për politikë. Mirënjohja është një virtyt njerëzor he mosmirënjohja duhet ndëshkuar. Kryeministri nuk ka bërë asgjë për Valiasin që është qendra që e ka sjellë në pushtet unë nuk e di se me çfarë kurajoje z. Kryeministër feston sot në emrin tuaj, me kontributin tuaj, me djersën tuaj dhe me mundin tuaj.
Kryeministri i vendit ka ardhur në pushtet për shkak të kontributit tuaj. Ju mbani sot në dorë një medalje por në fakt ajo është medalja e papunësisë. Kjo medalje që është “Pishtar i Demokracisë” nuk mund të katandiset sot në medaljen e varfërisë. Sot kjo medalje është medalja e varfërisë dhe kjo është e patolerueshme, kjo është e pafalshme. Këtu po kërkohet punë, po kërkohet mirëqenie, po kërkohet ujë, po kërkohen mundësitë minimale për të pasur një jetesë normale ashtu siç i takon çdo minatori që punon në perëndim apo Evropë”, tha Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani.
Sipas z. Manjani ka ardhur dita e ndëshkimit. “Prandaj është dita e gjykimit politik sepse ne duhet të ecim me një ritëm tjetër. Me një ritëm krejtësisht tjetër që nuk ka lidhje me këtë të sotmin. Nëse ky është ritmi, nëse minierat më të mëdha të vendit janë katandisur në këtë gjendje, dhe nuk ka shpresë për asnjërin prej jush, kjo është kulmi i mosmirënjohjes. Këtu nuk po diskutojmë që të rrisim detyrimisht pjesën e asistencës sociale sepse këtu është një vend që është katandisur i gjithë me asistencë sociale.
Por, problemi është që të sigurohet punësimi, të sigurohet që njerëzit të punojnë me dinjitet, pasi me sa shoh juve të gjithë, në një mënyrë a në një tjetër, ju vjen zor të shkoni në darkë në shtëpi për shkak se ju keni një punë edhe pse jeni njerëzit e punës. Ky është një problem që për mendimin tim duhet ta gjykojmë ndryshe këtë radhë. Duhet ta gjykojmë ndryshe jo për tu marrë me të shkuarën, sepse nderin dhe krenarinë e njohim pa as më të voglin diskutim. Ai politikan që nuk njeh të shkuarën, që nuk njeh nderin, nuk njeh atë që e solli në qeverisje, ai nuk është politikan. Por, çështja është që të gjithë bashkë do të duhet të ndërtojmë një rrugë tjetër. Rrugën e punës, rrugën e dinjitetit, e ndershmërisë dhe të mirëqenies. Prandaj është momenti që ta diskutojmë të gjithë së bashku këtë punë dhe të ecim përpara dhe të ecim më shpejt. Kjo është zgjidhja që i ka dhënë kryeministri në letër; kampusi universitar.
Ky është universiteti i shkatërrimit, universiteti i ndryshkut dhe mundësisht tek –tuk do të shihni edhe ndonjë flamur të Partisë Demokratike për të krijuar idenë e presionit që këtu Partia Demokratike lind në ndryshk, lind në varfëri, dhe jeton në skamje. Kjo është Partia Demokratike. Flamuri i Partisë Demokratike pa pikë turpi vendoset në ndryshk, në shkatërrim, vendoset në mjerim dhe vendoset në skamje. Ne nuk mendojmë që demokratët shqiptarë janë kështu por drejtimi politik është totalisht i gabuar”, tha në komunikimin e tij me minatorët në Valias nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani.
Më 16 Maj 1991 u shpall greva e përgjithshme, që nga përmasat ishte greva e parë më e madhe në historinë e popullit tonë, si edhe nga më të rrallat në botë me këtë shtrirje dhe kohëzgjatje . Nga kjo grevë iu drejtuan qeverisë 17 kërkesa. Këto kërkesa iu drejtuan për dijeni edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo grevë ishte një kontribut i shquar për ardhjen e demokracisë duke i dhënë një goditje të rëndë regjimit komunist.