LRI zhvillon Konventën Kombëtare, merr pjesë lideri i LSI-së. Ilir Meta: Rinia vjen vetëm një herë, s’mund t’ia besoni të ardhmen Berishës

LRI zhvillon Konventën Kombëtare, merr pjesë lideri i LSI-së. Ilir Meta: Rinia vjen vetëm një herë, s’mund t’ia besoni të ardhmen Berishës

ilirmeta22052013-1

Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi sot Konventën Kombëtare, një aktivitet madhështor ku u prezantuan kandidatët për deputetë në radhët e këtij forumi. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili deklaroi se fitorja më 23 qershor ka vetëm një emër dhe ky emër është LRI. Z. Meta tha se LSI është dëshmia më e mirë e përfaqësimit të të rinjve, ku 4 nga 7 kandidatët e LSI në qarkun e Tiranës, i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. “Një shprehje thotë se “pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë”. Ndaj dhe ju këtu dhe dhjetëra të rinj dhe të reja në gjithë Shqipërinë duam t’ia bëjmë të qartë kryeministrit që po largohet se rinia juaj, se rinia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë vjen vetëm një herë dhe nuk kemi më kohë për të provuar dhe eksperimentuar një njeri që i pati të gjitha mundësitë për 8 vite për të treguar përkushtimin e tij ndaj jush dhe ndaj gjithë të rinjve të Shqipërisë”, tha ndër të tjera z. Meta.

LSI ka në listat e saj të kandidatëve për deputetë dhjetëra të rinj dhe të rejave në të 12 qarqet e e vendit. Në Konventën Kombëtare të LRI-së përshëndetën me fjalën e tij Klajda Gjosha, Endrit Braimllari, Ardit Çela, Kejdi Mehmetaj, Ornela Zonja dhe Silva Caka.

Fjala e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në Konventën Kombëtare të LSI-së

Fitorja ka vetëm një emër sot dhe deri në 23 qershor. Emri i fitores është LRI. Zemra dhe shpirti i fitores është zemra dhe kulmi i çdo të riu dhe të reje anembanë Shqipërisë që kërkon një faqe të re, duke nisur nga 24 qershori jo vetëm për vetveten por për familjen, për shoqërinë tonë, për atdheun tonë. Një shprehje thotë se “pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë”. Ndaj dhe ju këtu dhe dhjetëra të rinj dhe të reja në gjithë Shqipërinë duam t’ia bëjmë të qartë kryeministrit që po largohet se rinia juaj, se rinia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë vjen vetëm një herë dhe nuk kemi më kohë për të provuar dhe eksperimentuar një njeri që i pati të gjitha mundësitë për 8 vite për të treguar përkushtimin e tij ndaj jush dhe ndaj gjithë të rinjve të Shqipërisë.

LSI është forca e të rinjve dhe të rejave. Është vendi ku të rinjtë dhe të rejat takohen dhe bashkohen për të ndihmuar njëri-tjetrin. Por, LSI është edhe partia ku promovohen politikanët e rinj si askund tjetër. Janë me dhjetëra të rinj dhe të reja në listat e kandidatëve tanë për deputetë dhe ata e meritojnë plotësisht. Janë mjaft të rinj dhe të reja në listën e kandidatëve për deputetë edhe në qarkun e Tiranës. Por, dua t’ju them se ne të rinjtë nuk i kemi për të mbushur listat dhe as për të mbushur sheshet e mitingjeve. Tani dua t’ju them diçka për të cilën dua të më dëgjoni mirë, sidomos të gjithë të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit dhe të qarkut të Tiranës. Katër ndër 7 kandidatët e parë të LSI në qarkun e Tiranës i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. Janë të rinj dhe të reja të cilët duhet patjetër të kenë mbështetjen tuaj dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave në mbarë kryeqytetin, në mbarë qarkun e Tiranës.

Ju i dëgjuat ata, ndaj ju ftoj që të votojmë për partinë e cila i ka prioritet si askush tjetër të rinjtë dhe të rejat arsimimin dhe punësimin e tyre, promovimin e tyre në të gjitha fushat por njëkohësisht përmes LSI, të gjithë të rinjtë dhe të rejat kanë mundësi që të çojnë në Parlament përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejt. Ndaj ju ftoj të votojmë të gjithë për Klajdën, për Arditin, për Endritin, edhe për 20 vjeçaren tonë, Kejdin. Por, të votoni edhe për Malvinën, për Erjonën e shumë të rinj e të reja në Tiranë. Të votojmë për Ornelën. Jam i bindur se me mbështetjen e të rinjve dhe të rejave të Fierit dhe të Lushnjës, ajo do të jetë në Kuvendin e ardhshëm. Të votojmë për Arsin në Korçë, të votojmë për Silvën në Berat dhe kudo në të gjithë Shqipërinë.

Kjo Konventë rinore është përgatitur nga vetë ju, nga ju që kërkoni më tepër nga jeta, akoma më tepër nga politika që doni të jeni protagonistë të fateve tuaja, ashtu sikurse brezi im u bë protagonist 20 vite më parë. Platforma rinore e LRI është një risi si në propozime konkrete për një rini aktive, ashtu edhe në formatin e saj konkret sepse cilido që e shfleton këtë program kupton që rinia shqiptare meriton një arsim cilësor për një punësim të garantuar që i përgjigjet nevojave të tregut. Para tre javësh vizitova një biznes–fason në kryeqytet ku pronari i saj në Tiranë më tha që kishte kohë që kërkonte dhe e kishte të vështirë të gjente një inxhinier mekanik apo një teknik të mesëm të kualifikuar edhe pse rroga që ofronte ishte rreth 1200 euro në muaj. Gjatë një takimi para pak ditësh me disa drejtues kompanish në fushën e energjetikës shprehën të njëjtin shqetësim se nuk e kishin të lehtë të gjenin inxhinierë elektrikë dhe teknikë të kualifikuar në këto fusha.

Janë dy shembuj që tregojnë për një vërtetë të madhe që ka të bëjë me një eufori të kotë të qeverisë aktuale për masivizimin e diplomave të cilat prodhojnë pa fund ekonomistë apo juristë, që janë profesione tepër të respektuara por njëkohësisht çdo ditë e kanë të vështirë të gjejnë një vend të qëndrueshëm pune. Ndërkohë që universitetet dhe shkollat tona nxjerrin fare pak inxhinierë, teknikë dhe profesionistë për të cilët tregu është i etur dhe njëkohësisht pagat janë të kënaqshme.

Ndaj, sikurse u përmend edhe nga ju këtu për ne është vendimtare të ndërmarrim reforma strukturore për arsimin dhe tregun e punës ku së pari t’i përshtatemi një modeli të ri ekonomik dhe të progresit social që bazohet te një forcë punëtore jo thjesht e diplomuar, por në radhë të parë e kualifikuar dhe në sektorët prodhues ku arsimi profesional merr një rol vital. Ndaj objektivi ynë është në katër vitet që vijnë që raporti midis arsimit profesional dhe atij të përgjithshëm të arrijë 50 për qind me 50 për qind.

Një iniciativë që dua t’ju falënderoj dhe vlerësoj shumë si LRI është ajo që ju ndërmorët për praktikat e punës gjatë studimeve të larta, në sektorin privat dhe në atë publik, si një domosdoshmëri për çdo të ri dhe të re që të trokasë me sukses në dyert e tregut të punës pas diplomimit. Për ne praktikat e punës së studentëve nuk do të jenë një formalitet por një mundësi reale për një rekrutim të sigurt nesër për gjetjen e punës së re për çdo të ri dhe çdo të re ën Shqipëri. Ndaj ne do të punojmë që ajo të njihet ligjërisht edhe si eksperiencë pune.

Njëkohësisht LSI angazhohet që për biznese të cilat punësojnë të rinj dhe të reja që nuk kanë eksperienca pune të subvencionohen një pjesë e pagës për të punësuarit e rinj për një periudhë tre deri në 6 muaj në mënyrë që bizneset të mos e shohin rekrutimin e të rinjve pa eksperiencë si një kosto për to por si një vlerë të shtuar për bizneset e tyre. Për LSI-në rinia është aseti më i çmuar i shoqërisë dhe i kombit. Sepse integrimi evropian mbi të gjitha lidhet jo vetëm me aspiratat e kahershme të shqiptarëve për tu bërë pjesë e familjes evropiane por me investimin e domosdoshëm në kapitalin njerëzor, e pikës së pari tek të rinjtë dhe të rejat, ku ka nevojë urgjente për një orientim të qartë drejt një arsimimi për punësim të sigurt sipas nevojave të tregut të punës por edhe nevojave por edhe modelit të ekonomisë që duam të zhvillojmë. Ne besojmë se investimi në kapitalin human dhe punësimi i të rinjve duhet të jetë prioriteti i çdo qeverie sepse jetojmë në një botë të globalizuar dhe me një epokë kur dija nuk është thjesht luks dhe krenari por është fuqi dhe pushtet. Ne duam t’i japim fuqi dhe pushtet të rinjve dhe të rejave tona.

Suksesi apo dështimi i ekonomive të vogla si kjo e jona do të varet shumë nga shkalla e investimeve në edukimin dhe punësimin e të rinjve. Ndaj ky investim është më i rëndësishmi për ne. Sot në Greqi, në Itali, në Spanjë dhe në shumë vende të tjera të Evropës shtohen me qindra-mijëra dhe miliona të papunë. Kjo përkthehet në një plagë të madhe kudo dhe padyshim që është një plagë në rritje edhe në shoqërinë tonë. Vetëm kryeministri aktual e kuptoi që Shqipëria ishte në krizë dhe e kuptoi në tre muajt e fundit. E kuptoi pasi testoi të hapë në tetë vite edhe 50 mijë vende pune, ndërkohë që shumë më tepër kanë humbur punën gjatë kësaj periudhe. Dhe tani premton 250 mijë vende pune vetëm në katër vite, pra vetëm për të marrë me premtime boshe votën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Por ne e thamë se pranvera vjen çdo vit por rinia vjen vetëm një herë, ndaj të rinjtë dhe të rejat nuk mund t’ia besojnë më rininë e tyre një kryeministri që kishte mundësi t’i mbante të gjitha premtimet gjatë tetë viteve që po lëmë pas.

Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shohim lokalet e reja që mbijnë si kërpudhat dhe të rinjtë e të rejat tona që vrasin kohën për orë të tëra nëpër kafene, sepse ne e dimë që kjo nuk është alternativa që ata duan, por është pamundësia për të gjetur një vend pune që i demoralizon dhe që jua shuan shpresën për një të ardhme të sigurt. Fakti është që shumica e tyre sot, edhe pse kanë mundësinë të lëvizin pa viza në Evropë, përsëri kërkojnë një shans për të emigruar.

Ne nuk mund të ngremë duart lart sa herë që dëgjojmë raste në rritje të të rinjve të cilët vjedhin, apo akoma më keq, vrasin në mes të ditës për një varëse në qafë, sepse kemi dështuar te kemi një rend që garanton siguri për qytetarët tanë. Sepse kemi dështuar jo pak në forcimin e familjes dhe të një shkolle që edukon si duhet brezin e ri. Ne nuk mund të mbyllim sytë sa herë që shohim fëmijë të cilët braktisin shkollën dhe bëhen pre e mbijetesës së vështirë për shkak se nuk ekziston kujdesi shtetëror për ta.

Prandaj jemi sot të gjithë këtu për tu angazhuar jo thjesht për një fitore për LSI-në por për një fitore për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë, sepse është koha të ndahemi me tranzicionin, është koha të nisim një epokë të re, epokën e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.

Ndaj zgjedhjet e 23 qershorit janë historike sepse fitorja e LSI-së dhe Aleancës për Shqipërinë Evropiane do të rikthejë shpresat e gjithë të rinjve, që nuk duan të jetojnë në botën e çudirave, por që çuditen se si edhe sot pas 22 vitesh, kur ju që jeni këtu shumica prej jush ka lindur pas vitit 1990, ne nuk arrijmë do të bëjmë zgjedhje të pakontestueshme dhe e kemi të vështirë për të arritur një kompromis për të miratuar tre ligje që ndihmojnë Shqipërinë të ecë më shpejt drejt integrimit evropian.

Të gjitha këto ndodhin sepse Kryeministri aktual ka bërë një premtim të paparë. Ai ka premtuar se nuk mund t’ia marrë askush karrigen, ndërkohë që ju keni kaq shumë vështirësi, kaq shumë probleme, që nuk janë shqetësimi i tij i parë. Shqetësimi i tij i parë dhe i fundit është si të mos i marrin karrigen dhe ne si një forcë politike konstruktive e kemi një kompromis edhe për punën e karriges. Që ai të jetë i qetë dhe ta ketë gjithmonë karrigen me vete, por edhe që Shqipëria të marrë frymë lirisht dhe të shpërthejë të gjitha energjitë dhe potencialet e saj, por një zhvillim të shpejtë. Pra kompromisi është ky, që doktori karrigen ku është ulur për tetë vite ta marrë me vete në shtëpinë ose në zyrën e tij në PD dhe Shqipëria më 23 qershor me votën tuaj dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave të marrë frymë lirisht dhe të ecë më shpejt drejt BE-së dhe drejt një të ardhme të sigurt për të gjithë ju dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë. Sepse pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë.

Dhe në emër të rinisë tuaj, në emër të gjithë të rinjve dhe të rejave anembanë Shqipërinë le të nisemi sot, jo me sloganin të ecim më shpejt sepse koha nuk na pret, por me sloganin të vrapojmë më shpejt, drejt çdo të riu, drejt çdo të reje, drejt çdo shqiptari, drejt çdo shqiptareje në mënyrë që të gjithë të bashkohemi në 23 qershor, atje ku me votën tuaj, të rinjve dhe të rejave, do të lindë një republikë e re. Ajo e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë dhe një Shqipërie të re, ku shqiptarët janë vëllezër me njëri-tjetrin, ku shqiptarët janë bashkuar men njëri-tjetrin, sepse Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, sepse Shqipëria është një vend mesdhetar që ka diell për të gjithë por për këtë kërkon që alternativë të re, alternativën tonë, alternativën e lirisë.