Kryetari i LSI-së, Ilir Meta prezanton në Njësinë 3 kandidatin për deputet, Endrit Braimllari. Ilir Meta: Në programin për 4 vitet e qeverisjes së ardhshme, punësimi i të rinjve dhe të reja është prioriteti dhe angazhimi ynë më i madh dhe i rëndësishëm

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta prezanton në Njësinë 3 kandidatin për deputet, Endrit Braimllari. Ilir Meta: Në programin për 4 vitet e qeverisjes së ardhshme, punësimi i të rinjve dhe të reja është prioriteti dhe angazhimi ynë më i madh dhe i rëndësishëm

ilirmeta18052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka prezantuar në Njësinë 3 në Tiranë kandidatin për deputet Edrit Braimllarin në një takim mjaft entuziast, ku ishin të pranishëm Kryetari i LSI, z. Ilir Meta, kryetari i Njësisë bashkiake 3, Ilir Kokona dhe përfaqësues të tjerë.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve kandidati për deputet, Endrit Braimllari u shpreh se do të lobohet për krijuar vende të reja pune, duke krijuar lehtësira fiskale për biznesin që punëson të rinjtë. Braimllari tha se Njësia 2 duhet të kthehet në një nga zonat më të zhvilluara të Tiranës, ashtu si edhe e meriton.

“Ne do të lobojmë të gjithë së bashku të krijojmë vende të reja pune, të punësojmë sa më shumë të rinj duke krijuar lehtësira fiskale për biznesin, grante për bizneset të cilat punësojnë të rinjtë, por ta rikthejmë Njësinë 3 në një nga zonat më të zhvilluara të Tiranës, sepse qytetarët që banojnë këtu e meritojnë të jenë njerëzit më të vlerësuar, e meritojnë të kenë zërin e tyre përfaqësues në parlament”, tha Braimllari mes të tjerash në fjalën e tij.

Ndërsa, Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta falënderoi të gjithë për angazhimin në suksesin dhe fitoren e LSI-së në zgjedhjet e 23 qershorit, ashtu si edhe me 8 maj me fitoren e Ilir Kokonës në Njësinë 3, por edhe me suksesin e LSI në të gjithë kryeqytetin.

“LSI është një forcë e integrimit, është një forcë e të gjithëve, e të gjitha gjeneratave, por LSI në radhë të parë është forca e rinisë e të rinjve dhe të reja të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë”, tha ai.

Lidhur me sloganin “Të Ecim më Shpejt” dhe se si erdhi ky slogan si flamur i fushatës elektorale, LSI u përgjigj: “Ai erdhi nga LRI, e cila është adrenalina e LSI-së për të fituar të gjitha sfidat. Në emër të së ardhmes rinia është aseti më i vyer i kombit, i shoqërisë sonë është e sotmja dhe e nesërmja. Të rinjtë e gjejnë veten e tyre në LSI më mirë se kudo tjetër, sepse te LSI ata janë vetvetja, sepse te LSI ata janë një faktor i fuqishëm përmes të cilit ata realizojnë ndryshimet që duan dhe që aspirojnë, tha ai. Në listën tonë të kandidatëve të kryeqytetit 30% janë përfaqësues të LRI-së, por jo vetëm kaq. Në 7 kandidatët e para të LSI-së në Qarkun e Tiranës, katër prej tyre i takojnë LRI-së. Janë të rinjtë dhe të rejat në krye të fushatë sonë, në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, ndaj dhe unë kam nderin dhe kënaqësinë e madhe në emër të LSI-së, që të kërkoj mbështetjen tuaj e në veçantë të gjithë të rinjve dhe te rejave për kryetarin e LRI-së, një ndër drejtuesit kryesorë të LSI-së, Endrit Braimllarin si kandidat për deputet”, vijoi lideri i LSI-së.

Më tej, z Meta tha se punësimi është prioritet i LSI, duke shpalosur platformën elektorale që ka si angazhim të veçantë punësimin e të rinjve.

“Punësimi është prioritet i LSI-së. Në platformën elektorale për 4 vitet e qeverisjes së ardhshme e në mënyrë të veçantë, punësimi i të rinjve dhe të reja është prioriteti dhe angazhimi ynë më i madh dhe i rëndësishëm. LSI-ja synon një model të ri të ekonomik që bazohet te prodhimi dhe të aftësia për të eksportuar si baza kryesore për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe punësim të qëndrueshëm. Dhe në themel të këtij angazhimi për këtë model të ri ekonomik qëndron mbështetja dhe formimi profesional i të rinjve në mënyrë që ata të punësohen në këto sektorë kyç për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit, shtoi z. Meta. Endriti dhe LRI-ja kanë bërë një punë të mrekullueshme për promovimin e praktikave të punës për të gjithë të rinjtë dhe ne do ta ligjërojmë praktikën e punës për të gjithë të rinjtë në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për të dalë me sukses në intervistën e parë për të filluar punë nesër”, vijoi ai.

Sakaq, Lideri i LSI-së u shpreh se në programin elektoral i kushtohet një rëndësi e veçantë formimit profesional të të rinjve dhe të rejave për të gjetur punën e parë në jetën e tyre. “Ne angazhohemi si LSI në mënyrë që qeveria të përballojë një pjesë të pagës për çdo të ri dhe të re që nuk e ka formimin e duhur profesional për të gjetur vendin e parë të punës nga tre deri në gjashtë muajt e parë në mënyrë që të lehtësojmë kostot e bizneseve, të cilat kanë nevojë për vende të reja pune. Punësimi i grave mbetet një prioritet i veçantë i LSI-së, e cila ka qenë e para forcë politike që i ka qëndruar pranë biznesit fason si biznesi më i madh punëdhënës në të gjithë vendin.

Edhe disa arritje në këtë drejtim gjatë viteve të fundit kanë qenë falë këmbënguljes së LSI-së. Ne besojmë se me mbështetjen që do të marrim më 23 qershor do të kemi një fuqi shumë më të madhe vendimmarrëse në qeverisjen e ardhshme që do të na krijojë mundësinë për të zbatuar në mënyrë më të plotë programin tonë në interes të zhvillimit të mëtejshëm të biznesit fason dhe bizneseve të tjera, që do të krijojnë mundësitë për të më tepër hapur vende të reja pune. Shqipëria përfaqëson ende një demokraci të re një demokraci 22-vjeçare ndaj kemi nevojë për një pjesëmarrje akoma më të madhe të të rinjve për të çuar përpara demokracinë tonë kemi nevojë për mbështetjen e tyre që Shqipëria të ecë më shpejt në rrugën e integrimit evropian”.

Kryetari i LSI-së theksoi se angazhimi i të rinjve dhe të rejave jo vetëm në listën e kandidatëve për deputet, por edhe në parlamentin e ardhshëm, qeverisjen e ardhshme është garancia se të rinjtë do të kenë një rol të rëndësishëm lidershipi në qeverisjen e ardhshme.

“Ne e dimë se ende njësia juaj ka probleme të rëndësishme, ka probleme të zvarritura dhe të pazgjidhura siç është edhe çështja e legalizimeve ku burokraci pas burokracisë e kanë bërë të pamundur marrjen e certifikatës së pronësisë. Ne garantojmë zbatimin e ligjit dhe dhënien e certifikatës së pronësisë, duke u dhënë fund sorollatjeve 8-vjeça
re të bëra deri tani nga PD. LSI ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë forca kryesore përcaktuese dhe do të jetë lokomotiva e fitores më 23 qershor”, përfundoi lideri i LSI-së, z. Ilir Meta.