Konferencë për shtyp e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta

Konferencë për shtyp e Kryetarit të LSI-së, Ilir Meta

ilirmeta20052013-1

Gjej këtë mundësi për të komunikuar me ju duke u nisur nga një deklarim i djeshëm i z. Berisha se duhet bërë gjithçka për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti, për ta ftuar përsëri që të jetë më konkret për këtë çështje, pasi sikurse kemi theksuar edhe në komunikimet e mëparshme publike, mundësia ndoshta e vetme që Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti është që tre ligjet të votohen këto ditë në kuvend natyrisht me kompromisin që ato të hyjnë në fuqi me parlamentin ri. Dhe nuk shoh asnjë arsye që z. Berisha të mos angazhohet seriozisht për këtë kompromis pa u nisur se nga kush vjen kjo ide dhe se nga kush vjen ky propozim në rast se atëherë duhet të besojmë se ai ka qenë i sinqertë dje kur ka deklaruar se duhet të bëjmë çdo gjë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti. Mundësia e vetme për ta realizuar këtë objektiv është që z. Berisha ta pranojë këtë propozim që unë kam bërë prej gati tre javësh. 

Z. Meta gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Beratit, z. Nasip Naço deklaroi se ju do të jeni Kryeministri i ardhshëm. Në të gjitha mediat, tituj kryesorë janë fokusuar te kjo deklaratë. Cili është komenti juaj?

E para, pas asnjë diskutim që objektivi kryesor i LSI-së dhe i imi si kryetar i saj është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane më 23 qershor dhe sigurisht arritja e një rezultati historik, dhe i tillë do të jetë, për LSI-në. Lidhur me deklarata të caktuara mendoj se ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi dhe njëkohësisht sikurse u konfirmua edhe në Konventën e organizuar nga PS-ja koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit gjë që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit.

Z. Meta kjo do të thotë se SLI-ja synon të jetë forcë kryesore në koalicionin e majtë zgjedhjet e 23 qershorit?

Në Qarkun e Beratit pa diskutim.

Z. Rama ka deklaruar se në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes PS-LSI nuk është diskutuar konkretisht se cili do të jetë Kryeministri i ardhshëm. A mund të na thoni ju nëse keni biseduar për një çështje të tillë?

Ne kemi rënë plotësisht dakord që doktori të mos jetë më Kryeministër. Dhe ajo që është më e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë është fitorja e opozitës së bashkuar dhe kjo është një ngjarje plotësisht e sigurt dhe diferenca do të jetë e jashtëzakonshme, mbi 200 mijë vota. Çështjet e tjera janë në përputhje me të gjitha normat dhe rregullat e demokracisë. Marrëdhëniet tona me Partinë Socialiste janë mjaft konstruktive, natyrisht edhe me forcat e tjera të koalicionit opozitar, dhe të tilla do të vazhdojnë të jenë edhe pas 23 qershorit në mënyrë që ne t’i qëndrojmë besnik të gjitha atyre parimeve të cilat u firmosën në deklaratën e Shkodrës.

Sapo kemi një deklaratë të kryeministrit Berisha në Gjirokastër, i cili thotë se z. Meta kërkon të bëhet kryeministër por nuk do të bëhet, por po kërkon gjithashtu të bëhet edhe kryetar i Partisë Socialiste. Thotë gjithashtu se ju keni futur në listën e ‘zezë’ Tavon, Manjanin dhe Luan Ramën. Cili është komenti juaj në lidhje me këto deklarata?

Unë, z. Berisha e kam ftuar pas 23 qershorit në emër të popullit të Beratit që të vijë si turist atje dhe ne do ta presim si turist pas 23 qershorit. Ndërsa, diversionet e tij brenda të majtës apo brenda opozitës, nuk kanë më asnjë të ardhme. Ai arriti që të qëndrojë për një kohë të gjatë në pushtet falë këtyre problemeve. Tani fillon një epokë e re në mëngjesin e 24 qershorit.

Kur thoni ‘epoka e re’, e thoni me ju kryeministër?

Epoka e re e një Shqipërie që ecën pa u ndalur në rrugën e integrimit evropian. Z. Berisha ka një problem të madh sepse ai nuk ka vullnetin që t’i votojë tre ligjet gjatë këtyre ditëve kur përfundon edhe mandati i këtij Parlamenti, pasi është i kompleksuar që ky propozim vjen nga LSI-ja dhe LSI-ja tashmë është pjesë e opozitës. Dhe natyrisht që, për t’iu shmangur pikërisht këtij angazhimi, i cili duhet të jetë në radhë të parë në interes të vendit dhe jo thjesht të kalkulimeve elektorale për 23 qershorin, kalon në marifete të tilla.

Z. Meta, pra, koalicioni i majtë ka dy kandidatë për kryeministër?

Koalicioni i majtë ka një objektiv të vetëm që është fitorja plebishitare dhe është në një sintoni të plotë. Të tjerat janë deklarata dhe dëshira të individëve të caktuar ashtu sikurse edhe z. Berisha ka ëndrrat e tij dhe vazhdon të shohë ëndrra me sy hapur përsa i takon datës 23 qershor dhe 24 qershorit.

Ju personalisht a keni ndonjë objektiv personal, të paktën për këto zgjedhje?

Objektivi im i vetëm është fitorja e aleancës për Shqipërinë Evropiane dhe një rezultat historik për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Dhe njëkohësisht një objektiv tjetër, por nuk po më ndihmon Berisha për ta realizuar, është që të miratonim këto tre ligjet këto ditë.

A do të kërkoni ju që në rast se fiton koalicioni i majtë, deputetët që do të bëhen ministra nga LSI-ja, të dorëzojnë mandatin?

Kjo është një çështje por gjithçka që i shërben ndarjes së pushteteve, rritjes së transparencës dhe rritjes së llogaridhënies, sidomos nga ana e qeverisë është pozitive.

Për sa i për KQZ-së a do të propozoni ju një anëtar, këtë herë si pjesë e opozitës, dhe a besoni se do të kemi një zgjidhje para zgjedhjeve apo do të shkojmë në zgjedhje me këtë KQZ?

Qëndrimi ynë lidhur me çështjen e KQZ-së mbetet tepër parimor. Opoz
ita nuk ka asnjë arsye të legjitimojë shkatërrimin e pavarësisë së këtij institucioni të bërë nga z. Berisha, ashtu sikurse është bërë e qartë që është e hapur që të rivendoset besimi te KQZ-ja dhe integriteti i këtij institucioni përmes një dialogu dhe konsensusi, ashtu sikurse u realizua kur u formua KQZ-ja. Është një çështje për të cilën z. Berisha duhet të marrë përgjegjësi sepse jemi i vetmi vend në rajon, i cili ende ka një problem të tillë, ku kemi një gjysmë qeveri zgjedhjesh, e kam fjalën për KQZ-në, dhe njëkohësisht e fillojmë këtë proces me një shqetësim për standardet e zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që natyrisht nuk e pengon opozitën, sikurse nuk e ka penguar, për të fituar në mënyrë tepër bindëse. Në fund të fundit të gjithë po ndërgjegjësohen se një rrotacion i qartë si ai që do të ndodhë më 23 qershor, jo vetëm që do të ndihmojë Shqipërinë për të hyrë në një epokë të re, në një perspektivë të re, por po kështu edhe mund të eklipsojë problemin e KQZ-së dhe probleme të tjera që po na i lë Berisha lidhur me standardin e zgjedhjeve.

Z. Meta, vajza juaj Era në këtë fushatë kë do më shumë, Ramën apo Berishën?

Unë ju falënderoj dhe shpresojmë që z. Berisha të kthehet nga mitingu i Gjirokastrës duke reflektuar dhe t’i qëndrojë atij angazhimi që bëri dje në Vlorë, që të bëjmë çdo gjë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit. Ajo që ne duhet të bëjmë nuk është diçka e jashtëzakonshme, duhet të bëjmë një kompromis fare të thjeshtë. Nuk e kuptoj në fakt se çfarë problemi i krijon ky kompromis z. Berisha. Ai thotë që do të fitojë apo jo? Le t’i miratojmë këto ligje tani dhe ai mund t’i zbatojë vetë në shtator. Por duket qartë që bindja në humbjen plebishitare që po e pret e ka kthyer dhe po e kthen në një pengesë serioze për të ndihmuar procesin e integrimit evropian të vendit, gjë që nuk është e mirë për atë trashëgimi që ai do të lërë pas 23 qershorit në jetën politike të vendit. Nuk duhet të iki nga qeveria si një bllokues i procesit të miratimit të tre ligjeve dhe i vazhdimit të rrugëtimit tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Ne edhe pas 23 qershorit do të bashkëpunojmë me opozitën e nesërme, pra me Partinë Demokratike, që t’i çojmë përpara të gjitha reformat që kërkon integrimi evropian i vendit.