Takim madhështor në Gjirokastër, LSI prezanton kandidatët për deputetë

Takim madhështor në Gjirokastër, LSI prezanton kandidatët për deputetë

ilirmeta14052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar sot një takim madhështor në qytetin e Gjirokastrës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i 5 kandidatëve për deputetë në Qarkun e Gjirokastrës. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se 23 qershori është një ditë e madhe, është një garë historike, është në garë e shkuara me të ardhmen, e vjetra me të renë, stanjacioni politik dhe ekonomik me zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

 “Ndaj më 23 qershor Gjirokastra, Përmeti dhe Tepelena do të votojnë për LSI-në dhe për koalicionin tonë  “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, tha z. Meta. “Tani dua të ftoj këtu Rezhat Zikën, Shpëtim Spahiun, Zamira Ramin, Vangjel Tavon dhe kryetarët e LSI-së në rrethe, Genci Sinojmeri në Gjirokastër, Edin e Përmetit dhe Edjolën e Tepelenës. Me këta shokë dhe shoqe të mrekullueshme dhe me të gjithë ju e sidomos me rininë e jashtëzakonshme, me LRI-në tonë të paparë ne do të korrim një rezultat historik dhe fenomenal në Qarkun e Gjirokastrës dhe në të gjithë Shqipërinë më 23 qershor”, prezantoi ai kandidatët.

Fjala e plotë e Liderit të LSI-së, Ilir Meta

Udhë të mbarë drejt fitores sonë të sigurt më 23 qershor në Gjirokastër dhe në të gjithë Shqipërinë. Jam i lumtur që ndodhem në Gjirokastër dhe që do të jem mundësinë më pas të jem në Tepelenë dhe Përmet. Ndihem i ripërtërirë dhe i gatshëm për ta nisur nga fillimi me të gjithë ju këtë sfidë të rëndësishme, të cilën nuk e bëjmë thjesht në emrin tonë personal dhe as thjesht të forcës sonë politike, por në këtë sfidë që e bëjmë për të mirën e gjithë shqiptarëve e në radhë të parë të më të rinjve, të atyre që kërkojnë një Shqipëri që ecën më shpejt.

 

Është kënaqësi që këtu në Gjirokastër të vë re këtë shpirt gare dhe fitoreje, e cila vjen për arsyen e thjeshtë se ju keni zgjedhur një ekip tepër konkurrues, një ekip me shpirt fitues. Ndaj unë i falënderoj nga zemra, në mënyrë të veçantë Reshatin, Shpëtimin, Zamirën dhe kryesuesin e listës sonë, mikun dhe vëllanë tonë Vangjel Tavo për këtë atmosferë të jashtëzakonshme, e cila nuk është e sotme dhe nuk është e rastësishme, por që është produkt i frymës sonë të ekipit që kemi si LSI anembanë Shqipërinë. Sepse për ne integrimi është në radhë të parë një proces që duhet të ndodhë brenda nesh dhe përmes nesh dhe bashkëpunimit me të gjithë aktorët e tjerë kudo, në çdo komunitet dhe anembanë në shoqërinë tonë, e cila është mjaft e lodhur nga frymë konfliktuale e politikës së vjetër.

 

Gjatë tetë viteve të fundit ritmi i progresit ka qenë shumë i ulët, sepse situata politike ka qenë tejet konfliktuale. Procesi i integrimit pas liberalizimit të vizave pothuajse ka mbetur në vendnumëro. Sot ekonomia jonë po përpëlitet, sepse qeveria në largim nuk ka një vizion për të çliruar potencialet ekonomike. Nuk mund të ketë vend për eufori kur raporti i fundit i BERZH-it thotë se ekonomia shqiptare në tre muajt e fundit u rrit vetëm me 0.5 %, ndërkohë që investimet publike janë reduktuar ndjeshëm. Madje edhe ato që bëhen kanë synime elektorale. Dhe po ta vini re tani më të gjatë janë shiritat që priten se sa rrugët që asfaltohen. Dhe kryeministri aktual, i cili përgatitet të bëjë dorëzimet më 23 qershor, i cili ka bërë mijëra e miliona rrugë të asfaltuara anembanë globit, e ftojmë që të vijë jo me helikopter, por me makinë nga Memaliaj në Tepelenë. Të vijë këtu dhe t’i kërkojë falje Gjirokastrës, Tepelenës, Memaliajt dhe të gjithë këtyre trevave. Sepse Gjirokastra, Përmeti dhe Tepelena nuk mund të ecin me ritmin e tij, por do të ecin më shpejt me ritmin e LSI-së. Ndërkohë që janë të pafund sipërmarrësit, biznesmenët, të cilët kanë bërë prej 5-6 vitesh vepra publike dhe të cilët nuk janë paguar ende nga kjo qeveri, por ndërkaq ata paguajnë çdo ditë këste nëpër banka për kreditë që kanë marrë prej vitesh për të bërë vepra publike, teksa qeveria fsheh 500 milionë euro fond borxh jo vetëm për firmat, por edhe për ato që kanë punuar në këto kompani. Kryeministri ynë ka dëshirë të shprehë vazhdimisht adhurimin e tij, për Ronald Reganin. Edhe unë do ta perifrazoja këtë në mënyrën më të përshtatshme për këtë situatë të vështirë ekonomiko-sociale që po kalon Gjirokastra dhe i gjithë vendi. Sepse presidenti amerikan Regan ka thënë që “nuk është qeveria ajo që zgjidh problemet, por qeveria është vetë problemi” dhe këtë duket sikur e ka thënë për qeverinë e z. Berisha.

Ndaj më 23 qershor le të votojmë për rotacionin e pushtetit. Le të votojmë për ndryshimin, t’i japim fund garës që ka shpallur Berisha me Gjermaninë, të cilën e ka lënë me kohë mbrapa. Ne kemi nevojë të mbyllim rrugën e re Levan-Tepelenë e cila prej gati 10 vitesh jo vetëm duhet të kishte nisur, por duhet të kishte përfunduar me kohë. Ne duhet t’i rikthejmë Gjirokastrës atë atmosferë të gjallë biznesi dhe punësimi që e ka pasur vite më parë, por që nuk e ka sot për fat të keq. Ne duhet të votojmë për Shqipërinë që duam, për Shqipërinë që do të bëhet, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt zhvillimit, punësimit dhe integrimit evropian. Ne e dimë që ju gjirokastritët, përmetarët, tepelenasit dhe të gjithë shqiptarët luftoni çdo ditë me papunësinë dhe me rritjen e papërballueshme të çmimeve. Rritja modeste e pagave dhe pensioneve ka mbetur në hije nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve dhe nga rënia e ndjeshme e fuqisë blerëse.

Ky ngërç i gjithanshëm mund të kapërcehet vetëm përmes një drejtimi të ri, përmes një ndryshimi të rëndësishëm, përmes një ekuilibri të ri politik, përmes një ndarje të re të pushteteve dhe përmes çlirimit të potencialeve të jashtëzakonshme ekonomike dhe të vlerësimit të kapitalit njerëzor që nuk mungon këtu dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ndaj kërkohet një lidership i ri i cili punon për bashkëpunim dhe nuk nxit përçarjet, i cili sjell një rrugë të re për të lënë pas të vjetrën që na çon më afër integrimit në Evropë dhe jo më larg saj, që na sjell zgjidhje konkrete për problemet tona dhe jo që flet me yjet në qiell. Vetëm kështu mund të ecim më shpejt.

Shqipëria ka nevojë për një lidership që i kupton dhe i jep zgjidhje sfidave delikate ekonomike me të cilat përballet vendi, sidomos sot kur Evropa është në një krizë serioze financiare. Nxitja e zhvillimit e
konomik dhe krijimi i vendeve të punës ka nevojë për një program konkret siç është plani i punësimit me 5 pikat për punësimin i Lëvizjes Socialiste për Integrim që do të jetë nga dita e nesërme në dorën tuaj dhe të çdo qytetari shqiptar.

Ne kemi nevojë të transformojmë dhe të modernizojmë bujqësinë përmes krijimit të shoqërive bujqësore ku të gjithë ata të cilët kërkojnë që të ecin më shpejt të bëhen bashkëaksionerë të këtyre sipërmarrjeve dhe të kenë një mbështetje shumë më të fuqishme nga ana e shtetit dhe qeverisë.

Ne jemi të bindur se vetëm duke pasur punësimin si prioritet ne do të arrijmë të zbusim problemet e mëdha sociale të krizës ekonomike. Një nga mundësitë më të mëdha për zhvillimin e vendit, që është pikërisht ai turizmit, pothuajse ka mbetur në vend. Turistët shikohen si statistika doganore ndërkohë që politikat stimuluese konkrete mungojnë. Ndaj LSI propozon 10% ulje të TVSH-së për shërbimet turistike, për zhvillimin e turizmit ku të kemi një paketë apo guidë turistike nga Vermoshi në Konispol me të gjitha potencialet turistike që ofron Shqipëria ku Gjirokastra zë një vend të veçantë për vetë trashëgiminë kulturore që ajo përfaqëson si një qytet edhe i UNESCO-s. Është një qytet që ka nevojë për dorën e shtetit për të mos braktisur shtëpitë turistike por për t’i mbrojtur dhe për t’i rikonstruktuar ato sepse kjo është trashëgimia dhe krenaria kombëtare e popullit më të vjetër në Ballkan dhe ndër më të vjetrit në Evropë. Për ne është shumë e rëndësishme që përmes zhvillimit të turizmit të shtojmë vendet e reja të punës dhe të rrisim të ardhurat nga turizmi në vend.

Ekonomia jonë ka ende potenciale të pashfrytëzuara për të nxitur dhe krijuar biznese të reja në zona të lira ekonomike dhe parqe industriale dhe kryesisht në zonat më pak të zhvilluara. Prandaj LSI premton një paketë fiskale “One-Stop-Shop” për të gjithë investitorët vendas dhe të huaj në zonat e lira ekonomike dhe në parqet industriale, ku bizneset e reja të përjashtohen nga të gjitha taksat dhe tatimet për 5 vitet e para të aktivitetit.

Ne do të bëjmë investime publike rentabël për modernizimin e infrastrukturës rrugore, arsimore, shëndetësore, portuale etj, sepse ekonomia ka nevojë për më shumë investime publike të cilat nuk bëhen sipas interesave elektorale por sipas leverdisë ekonomike në interes të taksapaguesve shqiptarë. Është e pafalshme që rrugët më të rëndësishme të akseve kombëtare janë të papërfunduara dhe shpesh janë bërë shkak për aksidente me pasojë humbjen e jetës së shumë qytetarëve tanë. Ndaj ne do të krijojmë Agjencinë e Monitorimit të Investimeve dhe Reformave për të ekonomizuar investimet publike, për të bërë transparencë në opinionin publik mbi kostot e tyre financiare dhe përfitimet për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Të dashur motra dhe vëllezër të Gjirokastrës, të Përmetit dhe të Tepelenës, ka ardhur koha që shqiptarët të ecin më shpejt në rrugën e integrimit evropian, në rrugën e punësimit real dhe jo virtual, në rrugën e edukimit që u jep të sigurt të rinjve të punësohen në Gjirokastër, në Përmet, në Tepelenë dhe në të gjithë Shqipërinë. Ndaj 23 qershori është një ditë e madhe, është një garë historike, është në garë e shkuara me të ardhmen, e vjetra me të renë, stanjacioni politik dhe ekonomik me zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Ndaj më 23 qershor Gjirokastra, Përmeti dhe Tepelena do të votojnë për LSI-në dhe për koalicionin tonë  “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”.

Sfida jonë si LSI nuk është të fitojmë deputetin në Qarkun e  Gjirokastrës sepse deputetin e kemi të fituar edhe me këtë pjesëmarrje të jashtëzakonshme që kemi sot këtu në Pallatin e Sportit. Sfida jonë është më e madhe që “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” të fitojë jo 3-2, por 4-1 më qershor. Në mënyrë që kjo trevë e jashtëzakonshme, kjo trevë me kontribute mjaft të rëndësishme dhe historike, për lirinë dhe për pavarësinë e kombit tonë, për gjuhën tonë kombëtare. Kjo trevë, e cila i ka dhënë Shqipërisë patriotë nga më të mëdhenj, rilindësit nga më të shquarit, burra shtetit dhe vizionarë, që i ka dhënë intelektualë të niveleve botërore, të mbylli me votën e saj një kapitull të tejzgjatur të tranzicionit dhe të gjithë së bashku, edhe me demokratët, të ecim me shpejt në Shqipërinë evropiane, që ne do të ndërtojmë të sigurt dhe pa u ndalur duke nisur nga agimi i 24 qershorit. Rroftë populli i mrekullueshëm i Gjirokastrës, Tepelenës dhe Përmetit. Fitore LSI-së, fitore Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Tani dua të ftoj këtu Rezhat Zikën, Shpëtim Spahiun, Zamira Ramin, Vangjel Tavon dhe kryetarët e LSI-së në rrethe, Genci Sinoimeri në Gjirokastër, Edin e Përmetit dhe Edjolën e Tepelenës. Me këta shokë dhe shoqe të mrekullueshme dhe me të gjithë ju e sidomos me rininë e jashtëzakonshme, me LRI-në tonë të paparë ne do të korrim një rezultat historik dhe fenomenal në Qarkun e Gjirokastrës dhe në të gjithë Shqipërinë më 23 qershor. Fitore!

Fjala e plotë kryesuesit të listës së LSI-së në Gjirokastër, Vangjel Tavo

Duke pasur parasysh përvojën time në politikë dhe në Parlament, normalisht sot duhet të isha shumë i qetë, por në fakt nuk ndodh kështu, jam i emocionuar, janë emocionet e falënderimeve nga thellësia e shpirtit tim. Motra dhe vëllezër, simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim të qarkut të Gjirokastrës, të rinj dhe të reja, anëtarë dhe maratonomakë të Lëvizjes Rinore për Integrim për qarkun tonë, nëna dhe motra të nderuara dhe të respektuara të Lëvizjes së Gruas për Integrim të qarkut të Gjirokastrës, më lejoni që në emrin tuaj të zotohemi dhe të garantojmë liderin tonë historik dhe energjik Ilir Meta se LSI do të fitojë në Qarkun e Gjirokastrës.

LSI do të ketë deputetin e saj në Parlamentin shqiptar pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe natyrisht do të përfaqësohet denjësisht. Para disa ditësh kryetari ynë, miku i të gjithëve Ilir Meta deklaroi nga Shkodra se Lëvizja Socialiste për Integrim përveç të qenit konstruktive ngre ura komunikimi me komunitetet dhe me gjithsecilin nga ne. Ja pra se forca jonë politike do të fitojë në 23 qershor edhe në qarkun e Gjirokastrës sepse ne jemi në shërbim të qytetarit, jemi në shërbim të komunitetit, këtu në qytetin e gurtë, në piedestalin e traditës dhe kulturës perëndimore. Ne jemi në shërbim të lunxhiotëve dhe zagoritëve, të Dropullit, të Pogonit, të komunitet vlleh, ne jemi në shërbim të picariotëve dhe mashkullaritëve, në shërbim të komunitetit të Libohovës dhe Labërisë. Jemi në shërbim të komunitetit të Lazaratit, jemi në shërbim të popullit të Përmetit dhe popullit të Tepelenës, të cilët do të kenë gjithmonë të hapur derën e LSI-së dhe deputetët e saj do të jenë gjithmonë të pranishëm pranë njerëzve. Për ne të gjithë janë dhe d
o të jenë të barabartë, të djathtë e të majtë, qytetarë dhe fshatarë, intelektualë dhe punëtorë.

Me Lëvizjen Socialiste për Integrim fitojnë të gjithë. Ne mbi të gjitha kemi njeriun, jemi pranë njerëzve në halle dhe ditë të vështira, jemi në shërbim të tyre sepse kemi prioritet punësimin, sidomos punësimin e brezit të ri të edukuar dhe kualifikuar. Ja pra, pse unë e nisa këtë fjalim duke falënderuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën sepse kandidimi im me LSI-në është nder, por më shumë sesa nder është përgjegjësi. Është përgjegjësi morale dhe njerëzore dhe përgjegjësi politike për të gjithë ju që jeni sot këtu dhe për ata që do të votojnë më 23 qershor për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Me ju dhe mijëra të tjerë, që me zemër dhe mendje janë këtu sepse kanë të njëjtin ideal. Me ne suksesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Gjirokastrës, është i sigurt në 23 qershor. Të gjithë ne anëtarë dhe drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim aspirojmë një Shqipëri evropiane me Ilir Metën në krye. Këtë do ta arrijmë sepse zemrën e kishim e kemi nga  majta.

Ne i takojmë Partisë Socialiste Evropiane dhe jemi gjithmonë dhe kurdoherë në shërbim të popullit shqiptar. Duke votuar për LSI-në, Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të fitojë. Asnjë zemër nuk do të ndihet e tradhtuar. Asnjë apo bashkëqytetarët e majtë dhe sigurisht edhe ata të djathtë. Prandaj pas çdo gare elektorale shton zemrat që lidhin fatin e tyre dhe të vendit me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Motra dhe vëllezër më lejoni që të tregoj publikisht edhe sekretin apo çelësin e fitores sonë në 23 qershor. Ne nuk jemi si disa të tjerë që punojnë me moton “secili për vete dhe zoti për të gjithë”. Nuk jemi as si disa bizantinë politikë të cilët në çdo fushatë elektorale thurin intriga dhe bëjnë pazare të tipit “armiku i armikut tim është miku im”. Ne si Lëvizje Socialiste për Integrim në Qarkun e Gjirokastrës kemi punuar, po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë nën moton “të gjithë për një dhe një për të gjithë”. Duke votuar në 23 qershor për Lëvizjen Socialiste për Integrim shoqëria dhe njerëzia do të ecin më shpejt përpara. Fitore, fitore! Rroftë populli evropian i Gjirokastrës.