Meta: Berisha premton heqjen e vizave me SHBA, amerikanët i kanë hequr vizën me kohë. Koalicioni i majtë është koalicioni më i madh në këto dy dekada të pluralizmit politik në vend

Meta: Berisha premton heqjen e vizave me SHBA, amerikanët i kanë hequr vizën me kohë. Koalicioni i majtë është koalicioni më i madh në këto dy dekada të pluralizmit politik në vend

ilirmeta16052013

Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvilluar një takim në qytetin e Kuçovës, takim në të cilin është prezantuar ekipi i kandidatëve për deputetë në Qarkun e Beratit. I pranishëm në këtë takim, Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, prezantoi kandidatët Nasip Naço, Gledjon Rehovica, Selfo Kapllani, Silva Caka, Lefter Kuqo, Valbona Papa, Mimoza Veliko dhe Emiljano Kamsi.

Në fjalën e tij z. Meta tha se, ne jemi vërtetë krenarë që kemi në listën tonë të kandidatëve për deputetë, një prej intelektualëve më të mirë dhe më të shquar të Kuçovës, Selfo Kapllanin, i cili kam bindjen se do të jetë përfaqësuesi juaj në parlamentin e ardhshëm dhe do të flasë në tribunën e kuvendit të ri, ku do të shkojë me votën tuaj pas 23 qershorit. Është shumë e rëndësishme që Kuçova të ketë më në fund vendin që i takon në Kuvendin e Shqipërisë, sepse ky vend i ka munguar prej kohësh”, tha kryetari i LSI-së.

Z. Meta u shpreh se Kuçova nuk është një qytet i zakonshëm. Sipas tij ajo ka qenë një qendër me shumë tradita punëtore, por ka qenë një qendër shumë e rëndësishme intelektuale. “Kanë qenë me qindra intelektualë, inxhinierë, arkitektë, të cilët kanë kontribuar shumë për zhvillimin ekonomik të gjithë vendit, të industrisë ë naftës dhe industrive të tjera. Ndaj Kuçova i ka të gjithë potencialet që të gjallërojë jetën e saj ekonomike dhe sociale, sepse prioriteti ynë kryesor do të jetë nxitja e punësimit dhe hapja e vendeve të reja të punës. Sepse kjo është e vetmja rrugë që ky popull punëdashës dhe duarartë të jetë i angazhuar çdo ditë për një të ardhme të cilën e ndërton vetë dhe për të cilën ka nevojë për mbështetjen e qeverisë dhe të shtetit”, tha Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Sipas z. Meta kjo krizë ekonomike, financiare, evropiane dhe botërore tregoi në mënyrë të qartë se tregu nuk mund të zgjidhë çdo gjë. “Se roli i shtetit, se politikat e qeverisë, sidomos ato rregullatore janë të domosdoshme për të evituar kriza të tilla financiare dhe rritjen e problemeve sociale. Ndaj LSI-ja ka një plan të qartë për punësimin, i cili do të zbatohet edhe në qytetin e Kuçovës, ku ka një kërkesë të madhe për punë, ku ka fuqi punëtore të gatshme dhe të kualifikuar dhe ku me mbështetjen më të madhe nga ana e qeverisë ne do të bëjmë të mundur hapjen e shumë aktiviteteve të reja, hapjen e shumë bizneseve të reja të cilat do të ndryshojnë jetën e popullit të Kuçovës”, vijoi ai.

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se qytetarët janë ngopur me gënjeshtra dhe me mashtrime dhe “jam i bindur që qeshni kur dëgjoni se si Berisha ju flet yjeve duke harruar qytetarët këtu në Kuçovë dhe në të gjithë këto zona. Në muajin dhjetor ne deputetët e LSI-së vendosëm veton për buxhetin që do të kalonte në parlament, sepse nuk ishte parashikuar asnjë lek për rikonstruksionin e rrugës që lidh Lushnjen me Beratin dhe me Kuçovën, e cila ka qenë në gjendje katastrofike dhe kështu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

Pas ndërhyrjes sonë u vendosën në buxhet gati 5 milionë euro, por asgjë nuk ka ndodhur. Asnjë investim dhe rikonstruksion për këto rrugë të rëndësishme, për Kuçovën, për Beratin, nuk është realizuar ndërkohë që siç e keni ndjekur edhe ju nga mediat, vetëm para pak ditësh 400 mijë dollarë nga fondi rezervë që qeveria duhet të ruajë për emergjenca dhe fatkeqësi natyrore ia janë dhënë një kompanie në SHBA për të lobuar, për të dezinformuar SHBA-të sipas interesit të Kryeministrit që po largohet” .

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se kjo papërgjegjshmëri nuk mundet kurrsesi të zbukurojë atë realitet që çdo qytetar e prek çdo ditë dhe që është plot gropa. “Amerika ia ka hequr me kohë vizën doktorit, pavarësisht së ai premton se do t’u heqë vizat shqiptarëve me SHBA. Dhe kjo për arsye sepse përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë të vetme është e papranueshme, jo vetëm për perëndimin, por edhe për ne si qytetarë të një vendi që dëshiron dhe do të integrohet në Bashkimin Evropian. Shikoni se sa jo serioz është Berisha edhe më çështjen e integrimit. Ka akuzuar për një kohë të gjatë PS-në se nuk voton tre ligjet, por kur unë propozova prej dy javësh një kompromis të cilin Edi Rama e pranoi, që tre ligjet të votohen tani në këtë parlament, vetëm me një ndryshim, që ato të hyjnë në fuqi në shtator me parlamentin e ri. Berisha bëri sikur nuk e dëgjoi këtë kompromis apo propozim dhe vazhdon atë refrenin e tij të vjetër duke thënë hajde votojini se unë tre ligjet i kam këtu. Në fakt, shqetësimi i tij nuk është integrimi evropian i vendit, por shqetësimi i tij është se si të shkojë në vendet e reja në Gjykatën e Lartë për të krijuar kolegjin Administrativ për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative, njerëz si partiakë të besuar, të cilët në vend që të japin drejtësi do të jepnin padrejtësi dhe politikë.

Ndaj është e qartë që përgjegjësia e Berishës është e pashmangshme, është kthyer në një pengesë për vendin, për bashkëpunimin politik, që është domosdoshmëri për të çuar përpara reformat e integrimit, jeton në një Shqipëri vetëm me suksese. Ai nuk i shikon gropat as në Urën Vajgurore, as në rrugën që lidh Beratin me Lushnjen dhe as në rrugën tuaj me Fierin. Ai shikon vetëm arritje historike, nuk shikon as papunësi dhe as probleme të tjera të cilat e bëjnë jetën tuaj çdo ditë edhe më të vështirë”, u shpreh ai.

Duke përfunduar Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se të gjithë duam të bëhemi një vend normal, duam të bëhemi një vend evropian, prandaj rrotacioni është i domosdoshëm, është i sigurt dhe është i padiskutueshëm. “Ndaj duke votuar për LSI-në dhe për Aleancën për Shqipërinë Evropiane, ju keni votuar që Shqipëria të hyjë në një stad të ri të zhvillimit të saj demokratik por edhe ekonomik, ju keni votuar për një qeveri të re, e cila do ta ketë Kuçovën në vëmendjen e saj dhe prioritet të saj dhe e cila do të kujdeset për të gjithë Qarkun e Beratit, në mënyrë të veçantë. Ndaj kemi nevojë për votat tuaja, kemi nevojë për mbështetjen tuaj.

Fitorja është e padiskutueshm
e. Koalicioni i Aleancës për Shqipërinë Evropiane është koalicioni më i gjerë që ka ndodhur ndonjëherë, në këto dy dekada të pluralizmit politik në vend. Për herë të parë të gjitha forcat e së majtës janë në një koalicion, por ky është një koalicion edhe më i gjerë sesa e gjithë e majta.

Është një front i gjerë opozitar përballë një të djathte të përçarë dhe njëkohësisht në panik. Ndaj të gjitha votat për LSI-në, të gjitha votat për rrotacionin që duhet të ndodhë në 23 qershor dhe që do të ndodhë, por edhe për një faqe të re që do të hapet për Kuçovën dhe Shqipërinë në 24 qershor. Të gjitha votat për Selfo Kapllanin, në mënyrë që ai të jetë deputet në Kuvendin e ri dhe në mënyrë që Kuçova të krenohet më përfaqësuesin e saj. Fitore. Rroftë populli i mrekullueshëm i Kuçovës”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar në qytetin e Kuçovës, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Kandidati i LSI-së në qytetin e Kuçovës, Selfo Kapllani

Ndërkohë që nga ana e tij kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Kuçovës, Selfo Kapllani, tha se Lëvizja Socialiste për Integrim, në ndryshim nga partitë e tjera që kanë bërë kandidimet e tyre për përfaqësimin në Parlament, në Qarkun e Beratit ka propozuar kandidatura nga Skrapari, Berati dhe Kuçova.

“Kjo është shumë domethënëse. Unë, në mënyrë të veçantë, ndihem i vlerësuar sepse më jepet mundësia që nëpërmjet emrit tim të përfaqësoj armatën e madhe të inxhinierëve dhe teknikëve të naftës në Kuçovë, për të cilët unë e kam për nder të them se, inxhinierët, intelektualët e Kuçovës që kanë punuar për vite me radhë në emër të naftës, kanë qenë njerëzit që jo vetëm kanë bërë zhvillimin e qytetit të Kuçovës por kanë qenë të përfaqësuar në nivelet më të larta të shtetit dhe qeverisjes në Shqipëri dhe kanë çuar përvojën, eksperiencën dhe mentalitetin e Kuçovës, e cila dallohet për një kulturë të madhe.

Dua t’i siguroj kryetarit, z. Ilir Meta, që me lehtësinë që na krijoi me koalicionin parazgjedhor, që fryma në Kuçovë dhe në Qarkun e Beratit është një frymë e cila ka afruar të gjithë intelektualët e Kuçovës, të gjithë brezat e përfaqësuar qoftë nga rinia, qoftë nga gratë. Janë shumë intelektualë kuçovare, të cilët do t’i bashkëngjiten Lëvizjes Socialiste për Integrim për të dhënë kontributin e tyre që kjo forcë politike të dalë forcë e parë në Qarkun e Beratit. Më lejoni që ne emrin tuaj ta garantoj kryetarin e LSI-së, z. Ilir Meta për një fitore të thellë në Qarkun e Beratit”, tha ndër të tjera z. Kapllani.