Përfaqësues të LSI takojnë Misionin Parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Përfaqësues të LSI takojnë Misionin Parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

logo

Përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nënkryetari Ylli Manjani, Sekretari ndërkombëtar Ralf Gjoni dhe Shefi i Kabinetit Majlind Lazimi, u takuan sot në Kryesinë e Kuvendit me anëtarët e Misionit Parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Duke i falenderuar për interesin dhe vëmendjen e treguar ndaj ecurisë së fushatës zgjedhore, Nënkryetari i LSI Ylli Manjani shprehu besimin se pavarësisht disa shqetësimeve dhe incidenteve të fundit, mbarëvajtja e fushatës është relativisht larg tensioneve, kjo edhe falë kërkesave më civile të qytetarëve, të cilët ndjehen të lodhur nga politika konfliktuale dhe kërkojnë më shumë qytetari edhe nga forcat politike.

Gjithashtu z. Manjani nënvizoi se çështja e KQZ mbetet ende e pazgjidhur dhe se qeveria nuk ka treguar vullnet të mjaftueshëm për të gjetur një zgjidhje dhe nuk ka bërë asgjë për të rikthyer besueshmërinë në këtë institucion të rëndësishëm zgjedhor.

Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni ritheksoi shqetësimet e fundit të shprehura nga LSI këto ditë në lidhje me incidentet e fundit në Qarkun e Kukësit dhe lidhur me presionet e vazhdueshme që ushtrohen nga forcat policore ndaj kandidatëve të LSI në këtë qark. Në këtë kuadër, zyrtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës u informuan edhe mbi mungesën e reagimit dhe qëndrimit nga ana e Ministrit të Brendshëm Flamur Noka për këtë çështje shqetësuese, pavarësisht thirrjes publike të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Z. Manjani, z. Gjoni dhe z. Lazimi diskutuan me përfaqësuesit e Misionit Parazgjedhor të KiE edhe mbi ecurinë e organizimit të zgjedhjeve, duke evidentuar nevojshmërinë e rritjes së garancive për transparencën e plotë të procesit zgjedhor, problemet me listat e votuesve dhe keqpërdorimit të mjeteve publike në interes të fushatës zgjedhore. Gjithashtu ata shprehën besimin se Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të ushtrojë rolin e saj moderues dhe paqëtues në interes të një klime sa më evropiane zgjedhore dhe për garantimin e standarteve sa më të larta ndërkombëtare gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit.