14 Jun Ilir Meta: Për ne e rëndësishme që fitorja të jetë sa më solide pasi kështu reformat tona do të jenë sa më të plota
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë të LSI-së në Qarkun e Durrësit, Lefter Koka dhe Edmond Panariti, ka zhvilluar takime me qytetarët në këtë qark. Fillimisht z. Meta u ndal në një bashkëbisedim me banorët në zonën e Vollgës. Më pas ai mori pjesë në një takim entuziast me qindra banorë, takim i organizuar në sheshin para stadiumit “Niko Dovana”.
Në komunikimin e tij me qytetarët durrsakë Lideri i LSI-së deklaroi se për LSI-në 23 qershori është shumë i rëndësishëm sepse fitorja duhet të jetë sa më solide pasi sipas tij vetëm kështu do të mund të bëhen reforma sa më solide për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Duurrësit, të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
“Për ne si LSI është e rëndësishme jo vetëm fitorja sepse kjo është e padiskutueshme por një fitore sa më solide, në mënyrë që të kemi mundësi për të bërë reforma sa më të plota, të cilat do ta ndryshojnë shpejt situatën ekonomike dhe sociale në të gjithë vendin. Vota për LSI-në është një votë e mençur sepse është votë për zhvillimin e vendit. LSI ka treguar qartë që është një forcë koherente dhe që e ndihmon Shqipërinë të ecë më shpejt drejt zhvillimit dhe drejt Bashkimit Evropian”, tha z. Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se LSI ka treguar se është një forcë për stabilitetin e vendit, ka treguar se është një forcë për integrimin e vendit. “Luajti një rol shumë të rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Edhe par dy javësh, atëherë kur askujt nuk i shkonte mendja, ndikoi me shumë këmbëngulje dhe urtësi për miratimin e tre ligjeve që do t’i japin në dhjetor Shqipërisë statusin e vendit kandidat, status që do të zhbllokojë shumë projekte, shumë ndihma financiare dhe do të krijojë mundësinë edhe për hapjen e shumë vendeve të reja të punës”, vijoi ai.
Z. Meta tha se LSI ka programin më të qartë sepse programi i saj synon ristrukturimin e ekonomisë që ekonomia të rritet, duke identifikuar qartë burimet e kësaj rritjeje ekonomike, në mënyrë të veçantë rritjen e prodhimit vendas që të ulen importet dhe të rriten eksportet dhe të garantohen vende pune të qëndrueshme dhe afatgjatë. “Programi ynë është një program i qartë i cili do të japë impaktin e tij për punësimin
“Besoj se programi i LSI është programi më i qartë. Është një program i cili ka kapur thelbin e problemeve që ka vendi dhe thelbi kryesor me të cilin ndeshet shoqëria jonë është ristrukturimi i ekonomisë në mënyrë që të garantojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe kjo vjen vetëm duke mbështetur prodhimin, duke ulur importet dhe duke rritur eksportet dhe nga gjithë kjo politikë padyshim do të përfitojë shumë porta kryesore e Shqipërisë në marrëdhënie me Evropën që është qyteti i Durrësit.
Të gjitha politikat tona synojnë drejt rritjes së punësimit. Të jeni të sigurt që ne kemi një mundësi të shkëlqyer, bazuar dhe në programin tonë të punësimit, sidomos të krijimit të parqeve industriale që, në këto momente kur investitorët italianë duan të largohen nga vende të ndryshme të Evropës si pasojë e rritjes së madhe të taksave, të tërheqim shumë prej tyre duke u krijuar lehtësirat në Shqipëri, duke i përjashtuar edhe nga taksat për pesë vite, vetëm me një qëllim, që të rrisim vendet e reja të punës në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”, tha ndër të tjera në takimet e zhvilluar në qytetin e Durrësit, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Kryesues i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Durrës, Lefter Koka
Në fjalën e tij Kryesues i listës së kandidatëve të LSI-së në Qarkun Durrës, Lefter Koka, tha se objektivi kryesor i LSI-së në qeverisjen e ardhshme do të jetë zgjidhja e problematikave të qytetarëve. “Kjo zonë nuk mund ta cilësojmë as urbane, ku një pjesë janë të ardhur vitet e fundit dhe me keqardhje mund të them që kjo është një zonë totalisht e braktisur kryesisht lagjja 18 dhe zonës së Kënetës ku jetojnë familje të ardhura nga zonat e tjera të Shqipërisë, të cilët kanë migruar për një jetë më të mirë dhe ne si durrsakë ndjehemi fajtorë sepse nuk u kemi mundësuar atyre pikërisht ato ëndrra për të cilat ata kanë ardhur në qytetin e Durrësit. Ne presim datën 23 për të triumfuar, por ajo që është më e rëndësishme, është që të bëjmë të pamundurën pasi 50 për qind e durrsakëve nuk dalin në votime. Shumë prej jush kanë të drejtë të jenë të lodhur nga politika, të jenë të lodhur nga politikanë që flasin përditë në televizione për të manipuluar mendjet e njerëzve. Qyteti ka problematika serioze. Durrësi ka nevojë për një jetë më cilësore. Ndaj duke iu garantuar se kemi përkushtimin e nevojshëm, kemi vullnetin e duhur për t’i shërbyer qytetarëve dhe Shqipërisë në tërësi. Dhe fitorja e LSI do të nisë nga këtu. Jam i bindur dhe nuk do të zhgënjej asnjërin prej jush dhe fitore më 23 qershor”, tha ndër të tjera z. Koka.
Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun Durrës, Edmond Panariti:
Ndërkohë që nga ana e tij Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun Durrës, Edmond Panariti, u shpreh se LSI më 23 qershor do të korrë një rezultat të jashtëzakonshëm. Arsyeja është se ne kemi programin më me “këmbë në tokë”, më ambicioz, më konkret, i cili është fokusuar në hapjen e vendeve të reja të punës për të cilat Shqipëria ka nevojë sot. Papunësia është plaga e hapur e çdo shoqërie dhe ne jemi të përkushtuar për të ndryshuar Shqipërinë duke ofruar një model të ri ekonomik zhvillimi që nuk bazohet vetëm në një shoqëri shërbimesh, por një shoqëri që prodhon, një shoqëri që krijon vende të reja pune duke rritur mirëqenien, duke rritur të ardhurat e familjes, duke garantuar paqen dhe qetësinë sociale dhe sigurinë publike. Të jesh patriot i vërtetë është pikërisht t’i ofrosh vendit dhe qytetarëve këto mundësi. Z. Koka është simboli i suksesit të Durrësit dhe e ka dëshmuar edhe si kryetar i Bashkisë së Durrësit dhe jam i bindur që do ta dëshmojë këtë deputet dhe si ministër i ardhshëm dhe për t’i ofruar qytetarisë durrsake mundësitë më të mira”, tha z. Panariti.