Haxhinasto: Objektivin madhor që ne kemi është punësimi

Haxhinasto: Objektivin madhor që ne kemi është punësimi

edmondhaxhinasto16062013

Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Elbasanit, z. Edmond Haxhinasto ka deklaruar se çdo shoqëri e mat civilizimin e saj me masën e emancipimit të gruas dhe se Lsi është në pararojë ndaj partive të tjera, sepse problemet që lidhen me emancipimin e gruas i realizon konkretisht.

Këtë deklaratë z. Haxhinasto e bëri gjatë një bisede që zhvilloi me gratë e rajonit 1 të Elbasanit, në vazhdën e takimeve të shumta që ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit me banorë dhe simpatizantë të LSI-së në këtë qytet në kuadër të zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Çdo shoqëri e mat civilizimin e saj me masën e emancipimit të gruas dhe Lëvizja Socialiste për Integrim është në pararojë ndaj partive të tjera, sepse problemet që lidhen me emancipimin e gruas i realizon konkretisht”, u shpreh kandidati për deputet që kryeson listën e LSI-së në Elbasan.

Më tej z. Haxhinasto tha se Lëvizja Socialiste për Integrim ka projekte dhe skema konkrete që mbështesin gratë në drejtim të mbështetjes së bizneseve që punësojnë gratë dhe për objektivin madhor që është punësimi. Ai theksoi se gratë do të jenë prioritet dhe veçanërisht nëna që janë më në nevojë.

“Ne kemi projekte dhe skema konkrete që mbështesin gratë, në drejtim të mbështetjes së bizneseve që punësojnë gratë, në drejtim të mbështetjes së grave që duan të bëjnë biznes, në drejtim të mbështetjes së grave, që duan të merren me aktivitete kreative apo me artizanat dhe sigurisht për objektivin madhor që ne kemi, i cili është punësimi. Ju do të jeni prioritet, veçanërisht ato nëna që janë më në nevojë, nëna kryefamiljare”, u shpreh kandidati për deputet i LSI-së në Elbasan.

Në fund të këtij takimi z. Haxhinasto u shpreh se me këtë program LSI ka si qëllim kryesor që gjithë shoqëria shqiptare dhe veçanërisht gruaja të jetë një përfituese sa më e madhe.

“Jemi në rrugë të mbarë me këtë program ku kemi qëllim kryesor që gjithë shoqëria shqiptare dhe veçanërisht gruaja të jetë një përfituese sa më e madhe e zhvillimit dhe e mirëqenies”, tha mes të tjerash z. Edmond Haxhinasto.