Kryemadhi : Nuk kemi kohë për të humbur, vendi ka nevojë për ritëm të ri.

Kryemadhi : Nuk kemi kohë për të humbur, vendi ka nevojë për ritëm të ri.

monikakryemadhi14062013

Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga disa prej kandidatëve dhe nga kryetari i LSI-së së Lezhës, Viktor Tushaj, ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorë në Komunën e Shëngjinit në Lezhë.

Gjatë fjalës së saj në këtë takim znj. Kryemadhi deklaroi se se 23 qershori është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët pasi është data ku shqiptarët më votën e tyre do të vendosin t’i japin një herë e mirë fund tranzicionit në vend. Nuk mund ta mohojmë atë se çfarë është bërë deri më tani por ne mendojmë se shqiptarët meritojnë të ecin më shpejt, ju në Komunën e Shëngjinit meritoni të ecni më shpejt. Nuk kemi më kohë për të pritur. Ka ardhur koha t’i japim fund tranzicionit”, tha ajo.

Sipas znj. Kryemadhi duke votuar numrin 26, duke votuar Lëvizjen Socialiste për Integrim qytetarët shqiptarë votojnë për një të ardhme më të mirë për vendin. “Duke votuar për numrin 26 ne do të votojmë për të ardhmen tonë, të ardhmen e familjeve tona, për të ardhmen e vendit tonë. Shqipëria ka nevojë për zhvillim. Shqipëria i ka të gjitha resurset për të ecur përpara, për tu zhvilluar dhe sidomos Qarku i Lezhës i ka të gjithë mundësi për të pasur një jetë më të mirë. Ka ardhur koha që politika shqiptare të jetë e sinqertë, të jetë e ndershme, të jetë e drejtpërdrejtë me qytetarët e saj”, u shpreh kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi. Sipas saj, politika duhet të mendojë në radhë të parë se si duhet t’i shërbejë lezhjanëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe jo të shkëputet prej tyre dhe problemeve që qytetarët kanë.

Duke prezantuar programimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim “Plani i Punësimit”, Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi tha se ajo që e dallon LSI-në nga forcat e tjera politike është se për LSI-në është e rëndësishme që të gjitha politikat ekonomike dhe sociale të vihen në shërbim të punësimit të qytetarëve në Shëngjin, të lezhjanëve, të të gjithë shqiptarëve. Sipas Kryemadhi punësimi është e vetmja mënyrë e cila lehtëson plagët sociale dhe ul varfërinë.

“Programi ynë për punësimin është në duart e të gjithëve ju. Në dallim nga të gjitha forcat e tjera, programi ynë prioritet parësor ka çështjen punësimit dhe të gjitha politikat programore janë në funksion të punësimit, që nga politikat arsimore, ato të taksave dhe të gjitha politikat ekonomike. Padyshim që punësimi është politika më e efektshme dhe më me dinjitet nga pikëpamja sociale. Qëllimi ynë kryesor është rritja e punësimit dhe rritja e punësimit në një kohë sa më të shkurtër dhe njëkohësisht edhe duke vendosur në themele afatgjata. Ndaj për ne prioritet të veçantë marrin edhe sektorët me një intensitet më të lartë punësimi, të cilat me një investim më modest krijojnë mundësi për të hapur më shumë vende pune në një plan afatshkurtër”, tha kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Lezhës, Monika Kryemadhi.

Znj. Kryemadhi i ftoi të gjithë të pranishmit që të votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi kështu fillon historia e re, historia e zhvillimit. Kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Lezhës u zotua se do të jetë syri dhe zëri i qytetarëve lezhjanë në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo premtoi se vota e tyre për LSI-në është një investim për të ardhmen. “Të jeni të bindur se me votën tuaj për Lëvizjen Socialiste për Integrim më datën 23 qershor do të kemi mundësinë për të zgjidhur problemet që janë prej vitesh të ngulitura në komunitetin tuaj”, tha ndër të tjera në takimin e zhvilluar në Komunën e Shëngjinit, znj. Kryemadhi.