15 Jun Meta: Komisionerët e LSI-së do të jenë garanti për mbrojtjen e votës së çdo shqiptari
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka marrë pjesë sot në një takim mjaft entuziast me mijëra banorë në qytetin e Burrelit, takim në të cilin është prezantuar edhe ekipi i kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Dibër.
Në fjalën e tij z. Meta i falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme që popullit i Matit i ka dhënë LSI-së që nga krijimi i saj. “Tani erdhi ora që ajo përkrahje që ju i keni dhënë LSI-së këto 8 vite, ato sakrifica që ju keni bërë për këtë alternativë të shpërblehen si asnjëherë tjetër me fitoren tonë spektakolare në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë më 23 qershor. Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë komisionerët e saj, do të ketë numëruesit e saj, do të ketë përfaqësuesit e saj në të gjitha KZAZ-të. Jo vetëm që do të mbrojë dhe do të garantojë votat për LSI-në por votën që do të hedhë çdo qytetar shqiptar ashtu siç i do zemra e tij. Jam i bindur se shumica e zemrave të matjanëve dhe të gjithë shqiptarëve rrahin për rrotacionin, rrahin për ndryshimin dhe duan që të ecin më shpejt”, tha ai.
Ndaj ne jemi të angazhuar dhe kemi një program konkret për të mbështetur zhvillimin më të shpejtë të Matit dhe të matjanëve në të gjitha fushat: duke investuar për infrastrukturën e vaditjes dhe duke rikonstruktuar këtë infrastrukturë në çdo komunë, në mënyrë të veçantë duke investuar për kanalin e Klosit që ai të vadisë të gjithë luginën e Matit dhe të vihet në kapacitet të plotë; duke stimuluar frutikulturën dhe përpunimin e produkteve të saj; duke realizuar një markë të produkteve si rakia dhe vera e Klosit që kanë qenë të njohura, duke zhvilluar blegtorinë dhe siguruar infrastrukturën për përpunimin e produkteve të saj; duke zhvilluar infrastrukturën përmes ndërtimit dhe rikonstruksionit të rrugëve në shkallë rrethi duke filluar nga aksi Klos-Urakë-Rrëshen si dhe furnizimin me ujë të pijshëm në çdo komunë në mënyrë të veçantë për ujësjellësin e Kurdarisë, të Bazit dhe të Klosit; do të bëhet ekspertim profesional dhe do të vihen përpara përgjegjësisë shpërdoruesit e fondeve publike; do të stimulojmë ndërtimin e HEC-ve të vogla me kredi të buta, si një mundësi e madhe në këtë zonë për të rritur të ardhurat dhe punësimin e matjanëve; do të punojmë për të rritur prodhimin e Kromit, e në mënyrë të veçantë për të vënë në punë metalurgjinë dhe uzinën e ferrokromit dhe për të nxitur fabrikat e pasurimit të kromit në vend në mënyrë që të punësojmë matjanët dhe shqiptarët dhe jo kinezët”, vijoi Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Lideri i LSI-së u shpreh se LSI vjen në këto zgjedhje me kontribute të spikatura për integrimin dhe për stabilitetin e vendit. “LSI dha një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave. Ishte përsëri LSI-ja që me urtësi, me mençuri dhe me këmbëngulje imponoi mbledhjen e Parlamentit dy javë më parë në kulmin e fushatës elektorale në mënyrë që të votoheshin tre ligjet, të cilat do t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti, në mënyrë që të zhbllokohen dhjetëra projekte dhe ndihma financiare të BE-së për Shqipërinë që të mundësojnë një zhvillim më të shpejtë dhe hapjen e shumë vendeve të reja të punës”, tha ai.
Z. Meta deklaroi se LSI vjen në këto zgjedhje me një program të qartë për ristrukturimin e ekonomisë shqiptare, në mënyrë që vendi të mos shkojë drejt pikiatës ekonomike dhe dramave sociale por të rimëkëmbet sa më shpejt përmes një ristrukturimi të plotë dhe afatgjatë. “Kjo do të bëhet në mënyrë që të nxisim rritjen ekonomike, në mënyrë që të nxisim prodhimin, në mënyrë që të ulim importet dhe të rrisim eksportet. Duhet të kemi një ekonomi që konkurron dhe që garanton vende pune të qëndrueshme dhe afatgjata. Të gjitha politikat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, si në fushën e arsimit ku e gjithë vëmendja është tek arsimi profesional dhe formimit profesional, si në fushën e taksave dhe kudo tjetër, të gjitha rrahin në një prioritet kyç, në punësimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës në Mat dhe në të gjithë Shqipërinë.
Ndaj unë besoj se Mati do të jetë në krye të fitores sonë në Qarkun e Dibrës dhe do të jetë në ballë të fitores sonë në të gjithë Shqipërinë. Të gjithë e dinë se LSI është faktori kryesor që përcakton drejtimin e politikës shqiptare, është faktori kryesor që garanton rrugën e pandalshme të integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Z. Meta u shpreh se vota për LSI-në është një votë e mençur, është një votë që ndihmon stabilitetin e vendit, është një votë që ndihmon ndryshimin e vendit, është një votë që ndihmon paqen sociale, është një votë që ndihmon zhvillimin e ekonomisë, është një votë që ndihmon punësimin e të gjithë shqiptarëve që duan punë, është një votë që i ndihmon të gjithë matjanët dhe të gjithë shqiptarët që të ecin më shpejt. Z. Meta tha se LSI është një parti që kujdeset për njerëzit, është një parti që kujdeset për të rinjtë dhe të rejat, është një parti që kujdeset për njerëzit dhe për të ardhmen e tij evropiane. Sipas tij janë të gjitha këto arsyet që Mati do t’i thotë një po të fuqishme LSI-së më 23 qershor.
Duke prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Dibrës Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se ky ekip do të bëjë të mundur një triumf të vërtetë të LSI-së në Dibër. “Unë jam shumë krenar si edhe ju për kandidatët tanë matjanë për Qarkun e Dibrës. Jam shumë krenar për Agim Hysën, këtë inxhinier të zotin dhe këtë drejtues të shkëlqyer që është një shok i jashtëzakonshëm, që është një vëlla i vërtetë për cilindo që ka një hall që ka një vështirësi, prandaj Agim Hysa e meriton votën dhe mbështetjen tuaj dhe do të ketë edhe mbështetjen Unë jam shumë krenar edhe për Lutfije Metën.
Ajo është një zonjë e vërtetë matjane, ajo është një intelektuale e vërtetë, është një fizikante e jashtëzakonshme, por është edhe një drejtuese e mrekullueshme. Prandaj të gjitha votat për Lutfije Metën. Unë dua të falënderoj për angazhimin dhe për kontributin e tyre doktorin e shkëlqyer të Dibrës, Milaim Damzi, Olsa Shatkun dhe Agron Dacin dhe natyrisht që një falënderim të veçantë e kam për ekonomistin, për bankierin, për financierin, Përparim Spahiun. Nuk ka qenë e lehtë për të, që të linte punët e tij aktivitetet e tij, rehatinë e tij në Tiranë dhe për t’
u kthyer në vendlindje në mënyrë që bashkë me Agim Hysën me Lutfije Metën dhe të gjithë shokët e tjerë të bëjnë të mundur një triumf të vërtetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Dibrës më 23 qershor. Një triumf të vërtetë për numrin 26, në mënyrë që Mati, Bulqiza, që Dibra të ecin më shpejt”, vijoi z. Meta.
Duke përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Burrel z. Meta tha se “mezi po presim datën 23 qershor, ne na duken ditët dhe netët shumë të shkurtra, sepse mezi po presim të arrijmë në finishin e fitores.
Në Shqipërinë e 24 qershorit ka vend për të gjithë ata që e duan Shqipërinë si atdheun tonë të përbashkët, për të gjithë ata që e duan Shqipërinë një anëtare dinjitoze të familjes evropiane, për të gjithë ata që duan standarde evropiane t’i realizojmë këtu në Burrel, në Mat në Shqipëri. Prandaj të gjithë të bashkohemi dhe të ecim më shpejt drejt datës 23 qershor duke votuar numrin e fitores, numrin 26. Rroftë populli fisnik i Matit, fitorja është e jona, e gjithë matjanëve dhe e gjithë shqiptarëve”.
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Dibër, Përparim Spahiu
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Dibër, Përparim Spahiu, në fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Burrel deklaroi se LSI ka një plan konkret për zhvillimin e Matit dhe të Dibrës. “Programi që LSI ka paraqitur për punësim është shkruar duke marrë parasysh Matin dhe Dibrën. Ne do ta subvencionojmë bujkun në çdo proces të punës së tij, që nga fara më e mirë duke subvencionuar 50 për qind të çmimit të saj dhe deri në prodhim. Nuk duhet të harrojmë industrinë minerare që përbën një degë jetike për zonën dhe për të gjithë vendin. Do ti kushtojmë gjithë vëmendjen e duhur edhe rihapjes së Uzinës së Ferrokromit dhe fabrikave të pasurimit të kromit sepse ne nuk mund të vazhdojmë ta shesim këtë pasuri për një copë bukë dhe të punësojmë të huajt duke lënë matjanët dhe dibranët pa punë. Do nxisim agropunësimin që asnjë produkt të mos mbesë në hangarët e fshatarëve duke shtuar vlerën e produkteve deri në katër herë. Do të punësojmë gra dhe të rinj me përparësi duke sjellë biznese nga fqinjët tanë në krizë
Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun e Dibrës, Agim Hysa
Kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun e Dibrës, Agim Hysa, në fjalën e tij u shpreh se LSI ka një projekti evropian për një model të ri ekomomik, për një balancë të re politike, për një të ardhme evropiane të Matit dhe të të gjithë Shqipërisë. “Unë e zgjodha trenin evropian të Ilir Metës që në dhjetor të vitit ’90 si inxhinier dhe drejtues i minatorëve të Batrës në atë kohë dhe sot si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherazi kandidat i saj për zgjedhjet e 23 qershorit, si garant i projektit të Ilir Metës për integrimin evropian të Matit dhe gjithë Shqipërisë. Jam sot këtu të vazhdoj angazhimin tim dhe te ekipit që përfaqëson LSI-në në Qarkun e Dibrës me Përparim Spahiun, një ekonomist i talentuar, me Lutfije Metën, qytetaren model, fizikanen e mençur, zonjën e nderuar të Matit dhe të gjithë Qarkut të Dibrës
Kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Dibrës, Lutfije Meta
Ndërkohë që nga ana e saj kandidatja për deputete e LSI-së në Qarkun e Dibrës, Lutfije Meta, tha se LSI-ja konkurron në këto zgjedhje si një parti e traditës, ku respektimi i vlerave njerëzore qëndron para së gjithash dhe mbi gjithçka. “LSI-ja konkurron në këto zgjedhje me një program të qartë dhe konkret që do ta bëjë Matin dhe gjithë Shqipërinë të eci më shpejt. LSI-ja konkurron në këto zgjedhje me ekipin e kandidatëve përfaqësues të vlerave dhe kontributeve. LSI-ja në gjithë këto vite dhe në gjithë këto ditë ka gjetur një mbështetje gjithnjë e më të madhe nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe veçanërisht nga të rinjtë, që janë bërë promotorë dhe misionarë të ndryshimit për të mundësuar rotacionin më 23 qershor. Tashmë misioni dhe vizioni i LSI-së është mëse i qartë. Ne duam të ndërtojmë një shoqëri ku progresi është shërbëtori i nevojave të qytetarëve. Ky është motivimi që e bën lëvizjen tonë kontribuuese pozitive në procesin e reformimit dhe integrimit të vendit tonë. Si nënë si grua dhe si shoqe jam përpjekur shumë për të vendosur dhe arritur standarde gjithnjë e më të mira në aspekte të ndryshme të jetës, duke punuar me seriozitet dhe korrektësi ashtu si shumë e shumë të tjera prej jush.
Ndaj nëna të dashura gra dhe vajza para së gjithash u drejtohemi juve të bëheni pjesë e planit të LSI-së për punësimin, jetik në kohën e sfidave, sepse vetë jeta është një sfidë. Dhe koha ka treguar se sfidat LSI-në vetëm sa e kanë forcuar, vetëm sa e ka bërë më të fortë ndaj edhe në sfidën e radhës të 23 qershorit, LSI-ja do të garantuese e domosdoshme dhe e pasdiskutueshme e rotacionit. Sepse ne kemi garantuesin e padiskutueshëm njeriun e sfidave që ka ditur t’i bëjë ballë ato me mençuri dhe guxim, z. Ilir Meta”, tha ndër të tjera Lutfije Meta.