Kryetari i LSI-së pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së , diskutohet situata parazgjedhore në Shqipëri

Kryetari i LSI-së pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së , diskutohet situata parazgjedhore në Shqipëri

ilirmeta24052013

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, si dhe nga Shefi i Kabinetit të z. Meta, Majlind Lazimi, ka pritur sot një delegacion të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i përbërë nga z. Roberto Battelli, Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, i caktuar nga Kryetari i Radhës së OSBE-së, si Koordinator Special i misionit te vëzhguesve afatshkurtër të OSBE-së, si dhe Ambasadorin Andreas Nothelle, Drejtor i Zyrës Ndërlidhëse të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, në Vjenë.  

Fokusi i diskutimit në këtë takim ishte situata parazgjedhore në Shqipëri. Z. Meta shprehu angazhimin e LSI-së që Shqipëria të ketë standardet më të larta në këto zgjedhje, pasi sipas tij ato janë tepër të rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit, por edhe për integrimin e vendit dhe njëkohësisht për të ecur më shpejt në rrugën e progresit ekonomik dhe të punësimit, që janë shqetësimet kryesore të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Duke diskutuar mbi situatën e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha se integriteti i këtij institucioni është cenuar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë nga ana e mazhorancës aktuale. Sipas tij për LSI-në është e rëndësishme që të rivendoset konsensusi dhe besimi te Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke i rikthyer legjitimitetin këtij institucioni. Z. Meta tha se i takon mazhorancës të tregojë reflektim, të tregojë përgjegjshmëri në këtë drejtim, ndërkohë që ai garantoi delegacionin e OSBE-së që opozita shqiptare është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. Battelli dhe z. Notelle, falënderuan z. Meta për pritjen. Ata theksuan rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit për vendin.

Sipas delegacionin të OSBE-së plotësimi i standardeve më të larta në këto zgjedhje është një mundësi e artë që Shqipëria të avancojë në rrugën e saj drejt bashkimit Evropian duke treguar në këtë mënyrë funksionim të institucioneve demokratike në vend. Roberto Battelli dhe Andreas Nothelle, garantuan edhe një herë në mbështetjen e OSBE-së për të ndihmuar Shqipërinë gjatë gjithë këtij procesi zgjedhor.

Një delegacion i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë qëndroi në Tiranë në datat 23 dhe 24 maj dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me drejtues institucionesh dhe liderë të forcave politike në vend.