Grupi Parlamentar i LSI-së në qytetin e Vlorës, vijon turin e diskutimeve me biznese fasone për paketën integruese për këtë biznes

Grupi Parlamentar i LSI-së në qytetin e Vlorës, vijon turin e diskutimeve me biznese fasone për paketën integruese për këtë biznes

PetritVasili02032014

“Janë të qarta një pjesë e mirë e zgjidhjeve, qoftë në nivelin e ndryshimit të legjislacionit por edhe në mjaft zgjidhje të tjera të cilat janë të karakterit administrativ, doganor, të mënyrës së trajnimit të personelit etj”

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nën drejtimin e kryetarit Petrit Vasili, ka vijuar turin e takimeve konsultative nëpër rrethe të ndryshme të vendit me përfaqësues të biznesit fason për të diskutuar përmbajtjen e paketës së integruar për këtë biznes, paketë e cila është propozuar nga LSI për mbrojtjen e këtij biznesi dhe krijimin e lehtësirave të domosdoshme për të.

Pas takimeve të zhvilluara në Berat, Shkodër, Lushnjë e Fier, këtë herë ka qenë qyteti i Vlorës destinacioni ku deputetët e LSI-së kanë parë nga afër situatën në fabrika të ndryshme të prodhimit të këpucëve dhe të veshjeve, fabrika këto në të cilat punojnë me mijëra qytetarë vlonjatë, pjesa dërrmuese e të të cilëve janë gra dhe vajza.

Z. Vasili ishte i shoqëruar në këtë takim nga deputeti i LSI-së për Qarkun Vlorë, Shkëlqim Selami, deputeti i Qarkut Fier, Robert Bitri, deputetët e Elbasanit Bujar Kllogjeri dhe Luan Duzha, deputeti i Qarkut Dibër, Përparim Spahiu, deputeti i Qarkut Lezhë, Gjovalin Kadeli, ai i Qarkut Gjirokastër, Vangjel Tavo etj.

Në një prononcim për mediat e pranishme gjatë vizitave në bizneset fasone Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Sociakliste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se tashmë elementët kryesorë të paketës janë konkluduar.

“Në vijim të iniciativës së përbashkët tonën, pra të Grupit Parlamentar dhe të komisionit përkatës të ngritur nga qeveria dhe nga Ministria e Ekonomisë jemi në një biznes i cili ka një histori shumë të gjatë dhe që prej vitesh e vitesh të tëra punëson me qindra punonjës. Jemi këtu pikërisht për të pohuar një moment tjetër të rëndësishëm, që mjaft elemente të paketës janë identifikuar.

Pra janë të qarta një pjesë e mirë e zgjidhjeve, qoftë në nivelin e ndryshimit të legjislacionit por edhe në mjaft zgjidhje të tjera të cilat janë të karakterit administrativ, doganor, të mënyrës së trajnimit të personelit gjatë kohës së përgatitjes së tij profesionale dhe lëhtësirave që këtij biznesi i përkasin.

Njëkohësisht, duke pasur parasysh që këto lehtësira po vijnë në kohën e duhur pasi mjaft binzese në Evropë por në Afrikën e Veriut janë në momentin e transferimit të tyre.

Ky është një moment fatlum për Shqipërinë për t’i transferuar ato në vendin tonë.

Pra, për të realizuar sfidën që jo vetëm t’i mbrojmë vendet e punës në këtë biznes por edhe të hapim mundësi për shtimin masiv të tyre duke realizuar kështu qartë atë objektiv madhor të shtimit të punësimit i cili këtu merr jetë dhe formësohet pasi të punësuarit këtu janë të shumtë dhe këta janë para kamerave tuaja si realitet që flet vetë”, tha ai.

Sipas Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet që në javët në vijim të do të jetë momenti i konkludimit të gjithë kësaj iniciative për ti dhënë kështu biznesit lehtësirat që ai ka nevojë duke garantuar kështu mijëra e mijëra vende pune.

“Besoj që javët që vijnë do të jenë javët e konkludimit tashmë të ideve të qarta dhe të gjithë shqetësimeve të marra drejtëpërsëdrejti në terren, ku edhe disa shqetësime që do të dukeshin për syrin e pakualifikuar si shqetësime të vogla përbëjnë shqetësime të mëdha por edhe vështirësi për biznesin.

Duke i lehtësuar gjithmonë e më shumë nga këto gjëra që funskionojnë jo me ritmin e duhur ne sigurisht e kthejmë në një ambient tepër tërheqës.

Vetë eksperienca e këtij biznesi këtu, i cili për një periudhë shumë të gjatë ndodhet në Shqipëri është një burim optimizmi për ne që me lehtësirat e duhura ky biznes mund të zgjerohet e shumifishohët dhe kjo do të thotë mijëra e mijëra vende pune më shumë për shumë shqiptarë dhe shumë familje, të cilat shumica e tyre janë familje në nevojë dhe që zgjidhin edhe mbijetesën e tyre me pagat që marrin këtu”, tha ndër të tjera z. Vasili në prononcimin për mediat.

Pas takimeve të zhvilluara në këto biznese u organizua dhe tryeza e rrumbullakët në praninë e deputetëve të LSI-së si dhe dhjetëra përfaqësuesve të biznesit fason.

Në fjalën e tij hapëse të diskutimit, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, përsëriti edhe një herë sensibilitetin e madh që Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar në mënyrë të vazhdueshme për biznesin fason, i cili, sipas tij, është një biznes që duhet inkurajuar për vetë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka në punësimin e qindra mijërave shqiptarëve.