Petrit Vasili: Mbrojtja e biznesit fason garanton 100 mijë vende pune

Petrit Vasili: Mbrojtja e biznesit fason garanton 100 mijë vende pune

PetritVasili22022014“Paketa integruese duhet të vijë sa më parë në Parlament. Fasonistët janë biznes social. Do të kenë përkrhaje të plotë”

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, nën drejtimin e kryetarit Petrit Vasili, ka vijuar turin e takimeve konsultative nëpër qarqe me përfaqësues të biznesit fason për të diskutuar përmbajtjen e paketës së integruar për këtë biznes, paketë e cila është propozuar nga LSI për mbrojtjen e këtij biznesi dhe krijimin e lehtësirave të domosdoshme për të.

Pas takimit të zhvilluar në Berat deputetët e LSI-së kanë qenë sot në qytetin e Shkodrës ku kanë parë nga afër situatën në fabrikën e prodhimit të këpucëve “Bertoni” si dhe në atë të prodhimit të veshjeve “Melgushi”, biznese këto që punësojnë më shumë se 1500 punëtorë, pjesa dërrmuese e së cilëve janë gra dhe vajza.

Përveç z. Vasili të pranishëm nga deputetët e LSI-së ishin deputeti i Shkodrës, Agron Çela, deputetët e Elbasanit Bujar Kllogjeri, Miranda Rira dhe Luan Duzha, ai i Beratit, Gledion Rehovica, deputeti i Fierit, Robert Bitri, si dhe deputeti i Qarkut Dibër Përparim Spahiu.

 

 

Në një prononcim për mediat e pranishme gjatë këtyre vizitave Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se mbrojtja e biznesit fason garanton 100 mijë vende pune. Sipas tij paketa integruese duhet të vijë sa më parë në Parlament. Z. Vasili tha se fasonistët janë biznes social dhe si të tillë do të kenë përkrahje të plotë nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Jemi në vijim të turit tonë si grup Parlamentar i LSI-së për të ndjekur iniciativën e diskutimit të paketës integruese për biznesin fason. Kjo për disa arsye të mëdha. Së pari për të mbrojtur me të gjitha instrumentet ligjore këtë biznes, i cili në themel të tij është një biznes social.

Kësisoj mbrojmë punësimin e mijëra e mijëra qytetarëve të punësuar nga ky biznes. Së dyti ky është një moment shumë delikat sepse në rajon po aplikohen politika tepër favorizuese për biznesin fason dhe në rast se nuk ndërhyjmë sot do të thotë që ta rrezikojmë jetëgjatësinë dhe prezencën e këtij biznesi në Shqipëri. Së treti në një moment të tillë ku punësimi vazhdon të jetë një nga elementët tonë thelbësor të programit elektoral dhe atij qeverisës mbrojtja e çdo vendi pune është një mision më vete dhe pikërisht për këtë arsye ato biznese të cilat gjenerojnë punësim masiv kërkojnë një mbrojtje të veçantë. Më së fundi unë do të insistoja që ky realitet i cili është në kamerat tuaja dhe është pas shpinës sime kërkon që biznesi të vazhdojë, të mbrohet nga të gjitha instrumentet ligjore nga qeveria, në mënyrë që asnjë familje të mos provojë humbjen e vendit të punës.

Ndaj të motivuar dhe të mbështetur nga i gjithë grupi i deputetëve, dhe këtu është vendi të vlerësoj maksimalisht impenjimin e të gjithë deputetëve, jemi këtu dhe do të jemi në të gjithë qytetet e mëdha ku zhvillohet biznesi fason, në mënyrë që shqetësimet të transformohen në paketën integruese, e cila sa më parë duhet të marrë formë. Siç thashë këto veprime janë në një garë të fortë me rajonin, i cili ka zbatuar në jo pak raste politika lehtësuese, të cilat na kërkojnë zgjidhje të shpejta këtu në Shqipëri në mënyrë që këto biznese të mos lënë Shqipërinë dhe të shkojnë diku gjetkë duke lënë qindra familje pa të ardhura”, tha z. Vasili në fjalën e tij para mediave.

Ndërkohë që drejtuesi i fabrikës së këpucëve “Bertoni”, Paulin Radovani, i cili është edhe Prefekti i Qarkut Shkodër, vlerësoi deputetët e LSI-së për këtë iniciativë. “Është e para herë që një parti politike bëhet avokate e fasonistëve, një aktivitet që punëson 100 mijë femra në vendin tonë. Ky është një inkurajim për të gjithë këto biznese për të hapur edhe vende të tjera pune dhe për të rritur eksportin”, tha z. Radovani.

Pas takimeve të zhvilluara në këto biznese u organizua me tryeza e rrumbullakët në praninë e deputetëve të LSI-së, dhjetëra përfaqësuesve të biznesit fason, si dhe i pranishëm ishte edhe prefekti i Qarkut Shkodër, Paulin Radovani. Në fjalën e tij hapëse të diskutimit, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, shprehu edhe një herë sensibilitetin e madh që LSI ka treguar në mënyrë të vazhdueshme për biznesin fason, i cili, sipas tij, është një biznes që duhet inkurajuar për vetë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka me mbi 100 mijë të punësuarit që ka.