Tryeza e Partisë së Lirisë: “Pensionistët dhe grupet në nevojë, respekt, mirënjohje dhe dinjitet për ta”

Tryeza e Partisë së Lirisë: “Pensionistët dhe grupet në nevojë, respekt, mirënjohje dhe dinjitet për ta”

Ilir Meta: Nisim një betejë pa kthim, politike, parlamentare, ligjore për të mbrojtur dhe rivendosur të gjitha të drejtat e pensionistëve

Tryeza e Partisë së Lirisë: “Pensionistët dhe grupet në nevojë, respekt, mirënjohje dhe dinjitet për ta”

Kategoria sociale më e diskriminuar e shoqërisë tonë mbeten pensionistët e të gjitha kategorive, të cilët mbasi kanë kontribuar me disa dekada përballen me një masë tejet të ulët të pensionit dhe një kosto të lartë të jetesës.

Pensionistët dhe grupet në nevojë janë varfëruar më shumë si për shkak të mos rritjes të duhur të pensioneve dhe përfitimeve sociale, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor.

  1. Rritja e diferencuar e pensioneve, po të krahasojmë periudhën 2005-2013 dhe 2013-2023.

Ndërmjet dy periudhave, rritja e pensioneve është shumë herë më e lartë në periudhën 2005-2013 krahasuar me periudhën 2003-2023. Po të krahasojmë dy periudhat e rritjes së pensioneve, tregohet se:

  • Pensionet e pleqërisë në zonat urbane janë rritur 3.6 herë më shumë në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.
  • Pensionet e invaliditetit në zonat urbane janë rritur 1.5 herë më shumë në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.
  • Pensionet familjare në zonat urbane janë rritur 2.3 herë më shumë në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.
  • Pensionet e pleqërisë në zonat rurale janë rritur 6.4 herë më shumë në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.
  • Pensionet e invaliditetit në zonat rurale janë rritur 5.1 herë më shumë në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.
  • Pensionet familjare në zonat rurale janë rritur 3 herë në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.
  • Pensionet e pleqërisë për pensionistët në qytet në tetë vite janë rritur mesatarisht në 9.3 % në vit.
  • Pensionet e pleqërisë për pensionistët në qytet në dhjetë vite janë rritur mesatarisht në 2.6 % në vit.
  • Pensionet e invaliditetit në qytet në tetë vite janë rritur mesatarisht në 6.3% në vit.
  • Pensionet e invaliditetit në qytet në dhjete vite janë rritur mesatarisht në 4.2% në vit.
  • Pensionet familjare në qytet në tetë vite u rritën mesatarisht në 6.7% në vit.
  • Pensionet familjare në qytet në dhjetë vite u rritën mesatarisht në 2.9% në vit.
  • Pensionet e pleqërisë për pensionistët në fshat në tetë vite janë rritur mesatarisht në 23.1% në vit.
  • Pensionet e pleqërisë për pensionistët në fshat në dhjetë vite janë rritur mesatarisht në 3.6% në vit.
  • Pensionet e invaliditetit në fshat në tetë vite janë rritur mesatarisht në 27.4% në vit.
  • Pensionet e invaliditetit në fshat në dhjetë vite janë rritur mesatarisht në 5.4% në vit.
  • Pensionet familjare në fshat në tetë vite u rritën mesatarisht në 24.3% në vit.
  • Pensionet familjare në fshat në dhjetë vite u zvogëluan mesatarisht në -2.3% në vit.

 

  1. Çfarë ka mbuluar rritja e pensioneve në periudhën 2005-2013, krahasuar me periudhën 2013-2023.

Nga të dhënat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sepse INSTAT ka bllokuar informacionin statistikor, kemi krahasuar rritjet e pensioneve të pleqërisë në zonat urbane dhe në zonat rurale në dy periudhat në raport me rritjen e çmimeve dhe rritjen ekonomike nga mund të gjykojmë me fakte të plota mungesën e përgjegjësisë dhe kujdesit social të Qeverisë aktuale.

Në periudhën 2005 – 2013 inflacioni në tetë vite rezulton të jetë 20% dhe rritja reale ekonomike në 40%.

  • Në këtë periudhë rritja e pensioneve të pleqërisë në zonat urbane në tetë vite është 74%, rritje që ka mbuluar jo vetëm rritjen e çmimeve por dhe njëkohësisht ka përfshirë rritjen reale ekonomike.

 

  • Po në këtë periudhë (2005-2013) rritja e pensioneve të pleqërisë në zonat rurale është 184% duke tejkaluar së bashku indeksin mesatar të çmimeve, përfshi dhe indeksin e çmimeve të konsumit të mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, po ashtu dhe rritjen reale ekonomike.
  • Në periudhën 2013-2023 inflacioni në dhjetë vite rezulton të jetë 30% dhe rritja reale ekonomike në 35.5%.
  • Në këtë periudhë rritja e pensioneve në qytet është vetëm 25.6%, ndërsa pensionet e pleqërisë të fshatit janë rritur në këtë periudhë 36%.
  • Këto rritje nuk kanë mbuluar dot indeksin e çmimeve të konsumit të mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, po ashtu dhe përftimin nga rritja reale ekonomike.

 

  1. Sa duhet të ishte rritja e pensioneve të pleqërisë nga rritja e çmimeve, si dhe përfitimi nga rritja reale e ekonomisë

 

Ka disa vite që spiralja e çmimeve nuk ndalet. Në veçanti në vitet e fundit çmimet e artikujve ushqimorë në vazhdimësi po tregojnë një rritje dy shifrore.

 

Në periudhën 2013-2023 rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë dhe pije është 59.1%. Pesha e shpenzimeve për ushqime në masën e pensionit është 59%.

 

Për këtë periudhë indeksimi i masës së pensionit të pleqërisë do të duhej të ishte rreth 40% për të mbuluar rritjen e çmimeve përfshi të atyre ushqimore. Kur ndërkohë indeksimi i pensioneve në qytet është vetëm 25.6% dhe në zonat rurale është 36%. 

 

Qeveria do të duhet të konsideronte në rritjen e pensionit gjithashtu dhe rritjen ekonomike në periudhën 2013-2023 në masën 35.5%.

Në total indeksimi dhe rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5% në fund të vitit 2023, krahasuar me fundvitin 2013.

 

Kjo do të thotë që pensioni i pleqërisë në fund të vitit 2023:

 

  • Në zonat urbane pensioni mesatar i pleqërisë do të duhej të ishte sot në nivelin 26,332 lekë në muaj kur ndërkohë është 18,842 lekë.
  • Ndërsa në zonat rurale sot pensioni i pleqërisë do të duhej të ishte në nivelin 14,477 lekë në muaj kur ndërkohë është 11,239 lekë në muaj.

 

Qeveria i ka borxh secilit pensionist në zonat urbane mesatarisht në çdo muaj 7,489 lekë dhe në zonat rurale në 3,238 lekë për shkak të mosindeksimit të plotë mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë dhe rritjes së munguar të pensionit nga rritja ekonomike.

 

  1. Pensionistët jetojnë në kushtet e varfërisë absolute

 

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore një person me të ardhura në 6.85 USD në ditë konsiderohet në kushtet e varfërisë absolute. Një masë e madhe pensionistësh në zonat urbane dhe rurale jetojnë në kushtet e varfërisë.

 

  • Një pension mesatar mujor i pleqërisë në zonat urbane është në masën 18,842 lekë në muaj, i barabartë me 6,38 USD në ditë, dhe në zonat rurale në masën 11,239 lekë në muaj, i barabartë me 3,8 USD në ditë.
  • Një pension mesatar mujor i invaliditetit në zonat urbane në masën 17,130 lekë në muaj është i barabartë me 5,86 USD në ditë, dhe në zonat rurale në masën 8,992 lekë në muaj është i barabartë me 3,04 USD në ditë.
  • Një pension mesatar mujor familjar në zonat urbane në masën 8,816 lekë në muaj është i barabartë me 2,98 USD në ditë, dhe në zonat rurale në masën 2,429 lekë në muaj është i barabartë me 0,82 USD në ditë.

 

  1. Një indeks tjetër i rëndësishëm është shkalla e zëvendësimit si raport i masës së pensionit me pagën minimale në shkallë vendi dhe me pagën mesatare është përkeqësuar vit pas viti.

 

  • Në vitin 2014 masa e pensionit mesatar të pleqërisë në qytet ishte 67 % e pagës minimale dhe 32% e pagës mesatare.
  • Në fund të vitit 2023 masa e pensionit mesatar të pleqërisë në qytet ishte 47% e pagës minimale dhe 26% e pagës mesatare.
  • Ndërsa masa e pensionit të pleqërisë në zonat rurale ishte rreth 34% e pagës minimale dhe 16% e pagës mesatare.
  • Ndërsa masa e pensionit në zonat rurale ishte rreth 28% e pagës minimale dhe 15% e pagës mesatare në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023.

 

  1. Një diferencë e theksuar e masës së pensionit mesatar, si dhe shkallës së zëvendësimit krahasuar me vendet e rajonit.

Masa e pensionit në Shqipëri është 1.9 herë më e ulët se në Kosovë, 2 herë më e ulët se në Maqedoninë e Veriut,  2.4 herë me e ulët se në Serbi, dhe 2.6 herë më e ulët se në Malin e Zi.

  • Masa e pensionit mesatar të pleqërisë (urbane dhe rurale) në fund të vitit 2023 në Shqipëri është 163 Euro, dhe paga mesatare bruto 662 Euro, ndërsa shkalla e zëvendësimit kundrejt pagës mesatare është 24.5%.
  • Masa e pensionit mesatar të pleqërisë në vitin 2023 në Kosovë është 309 Euro, dhe paga mesatare bruto është 643 Euro, ndërsa shkalla e zëvendësimit kundrejt pagës mesatare është 48.0%.
  • Masa e pensionit mesatar të pleqërisë në Malin e Zi në vitin 2023 është 425 Euro, dhe paga mesatare bruto është 1018 Euro, ndërsa shkalla e zëvendësimit kundrejt pagës mesatare është 41.7%.
  • Masa e pensionit mesatar të pleqërisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023 është 320 Euro, dhe paga mesatare bruto është 886 Euro, ndërsa shkalla e zëvendësimit kundrejt pagës mesatare është 36.1%.
  • Masa e pensionit mesatar të pleqërisë në Serbi në vitin 2023 është 390 Euro, dhe paga mesatare bruto është 1057 Euro, ndërsa shkalla e zëvendësimit kundrejt pagës mesatare është 36.9%.

 

  1. Jo vetëm masa e pensionit në nivele minimale për të përballuar koston e jetës, por dhe mungesa e kujdesit shëndetësor e kanë rënduar më tej situatën e tyre ekonomike dhe sociale.

 

Një nga aspektet më delikate të jetës së pensionistëve është trajtimi shëndetësor. Funksionimi i sistemit shëndetësor aktual tregon qartë mungesat tepër serioze me të cilat përballen pensionistët.

Kjo situatë ka kushtëzuar në mënyrë kritike cilësinë e jetës së tyre, si dhe koston e përballimit të saj nga qindra mijëra pensionistë.Sëmundjet kronike, por edhe shumë sëmundje të tjera, që zbulohen për herë të parë, shoqërojnë jetën e qindra mijëra pensionistëve.

Kostot e barnave dhe shërbimeve të tjera shëndetësore, që nuk mbulohen nga shteti janë krejtësisht të papërballueshme me pensionet shumë të ulta, që marrin pensionistët dhe grupet e personave në nevojë.

Dhe shumë prej tyre shpesh sakrifikojnë shëndetin duke mos marrë barnat apo shërbimet e tjera.

Partia e Lirisë dhe grupi i saj i ekspertëve shëndetësorë propozojnë:

 

  • Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.
  • Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore.
  • Dhënien e shërbimit mjekësor me prioritet për pensionistët për evitimin e pritjeve të gjata në qendra shëndetësore apo spitale.
  • Sigurimin e shërbimeve mjekësore pa pagesë për rehabilitimin dhe fizioterapinë për pensionistët me sëmundje invalidizuese.
  • Sigurimin pa pagesë të materialeve mjekësore të trajtimit të pacientëve pensionistë në banesë, si dhe artikujve mjekësorë (paterica, karroca, shtretër ortopedikë), që mundësojnë lëvizjen dhe pavarësimin jetësor të pensionistëve.
  • Zbatimin e detyruar të protokolleve të geriatrisë në qendrat shëndetësore për pacientët pensionistë.

 

  1. Mjaft më qëndrimeve kontradiktore dhe të dyfishta për njohjen e kontributeve të pensioneve për kontribuesit.

Partia e Lirisë është kundër qëndrimeve të dyfishta për njohjen e kontributeve.

Partia e Lirisë ka përshëndetur nënshkrimin e shumëpritur të marrëveshjes për pensionet mes Shqipërisë dhe Italisë.

Një hap i madh dhe arritje e merituar, por shumë e vonuar, produkt i mbi 15 viteve negociata dhe përpjekje të gjithanshme, jo vetëm shtetërore por sidomos të vetë shqiptarëve dhe organizatave të tyre në Itali që prej 32 vitesh kanë ushtruar presionin e tyre pozitiv dhe e kanë nxitur përmbushjen e kësaj të drejte themelore ekonomike që ju takonte.

Ne urojmë që ky hap të përshpejtojë procesin edhe për finalizimin sa më parë të marrëveshjes së ngjashme me Greqinë, si edhe me vende të tjera, ku shqiptarë, që prej dekadash u mohohet kjo e drejtë, që duhet të përfitohet sa më parë.

Por ajo çfarë e nxjerr zbuluar hipokrizinë e Qeverisë shqiptare që vrapon të marrë suksesin për arritjen e kësaj marrëveshjeje, kur ndërkohë nuk ka 10 vite por 15 vite që negociohet, është e vërteta e madhe dhe e hidhur e përjashtimit të padrejtë nga skema e pensioneve të dhjetra mijëra qytetarëve në vendin tonë.

Teksa shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për Qeverinë e Italisë për miratimin e kësaj marrëveshjeje dhe për fleksibilitetin e treguar ndaj shtetasve shqiptarë, konstatojmë me keqardhje se Qeveria e Shqipërisë i ka braktisur dhe përjashtuar nga skema e pensionit dhe përfitimit të gjithë ata qytetarë që jetojnë në Shqipëri dhe që kanë kontribuar më pak se 15 vite pune.

Qeveria mban një standard të dyfishtë, që njeh kontributet nën 15 vjet në rastin e marrëveshjeve me shtetet e tjera, por padrejtësisht përjashton nga skema e përfitimit pensional qytetarët tanë që kanë kontribuar brenda vendit.

Shqetësimi i drejtë i të gjithë këtyre qytetarëve është: Pse nuk u njihen kontributet nga shteti shqiptar dhe ku kanë përfunduar ato? Injorimi i mundit, djersës dhe mosnjohja e kontributeve të tyre duhet të marrë fund.

Për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie Partia e Lirisë do të propozojë një iniciativë ligjore për ndryshimin e skemës së sigurimeve shoqërore për t’u mundësuar të gjithë atyre personave të cilët nuk i kanë plotësuar vitet e nevojshme të punës sipas ligjit, të përfitojnë pension të pjesshëm të pleqërisë, pavarësisht se kanë më pak se 15 vite gjithsej pune sipas kontributit të tyre.

  1. Politikat që duhet të ndërmerren dhe amendamentet ligjore që Partia e Lirisë do të propozojë për t’i dhënë fund diskriminimit të pensionistëve dhe grabitjes të qëllimshme të kontributeve të tyre në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga rritja ekonomike e vendit.

Partia e Lirisë propozon :

  1. Indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë.
  1. Indeksimi brenda vitit i masës së pensioneve në rastet e krizave apo pandemive për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve.
  1. Rritjen e pensioneve në raport me nivelin e rritjes reale ekonomike për ta bërë rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse.
  2. Të konsiderohet një prioritet rritja e të ardhurave të pensionit për kategoritë të cilat jetojnë në kushtet e varfërisë nën 6.85 USD në ditë.
  3. Duhet të përfundojë strategjia e reformës së pensioneve përfshi implementimin e shtyllës së dytë të pensioneve me qëllim të rritjes së masës së pensioneve.

Partia e Lirisë do të ndërmarrë këto nisma ligjore :

  1. Do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një përfitim në përputhje me masën e kontributit të atyre punonjësve të cilët kanë kontribuar në skemën e pensioneve në më pak se 15 vite. Edhe sikur një vit të ketë kontribuar një qytetar duhet të përfitojë.
  2. Do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë.
  1. Do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës.
  2. Do të kërkojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese rimbursimin e plotë të pensionistëve për shkak të mosrritjes së qëllimshme të pensioneve gjatë periudhës 2013-2023 nga ana e Qeverisë.

 

 

Nga sot ne nisim një betejë pa kthim politike, parlamentare, ligjore dhe institucionale për të mbrojtur dhe rivendosur të gjitha të drejtat e pensionistëve duke garantuar jo vetëm mirëqënien e tyre, por edhe dinjitetin që ata meritojnë në të ardhmen.