Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave firmos tre marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave firmos tre marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës

EdmondPanarit.15.05.2014

Marrëveshja i hap rrugën strukturave përbërëse që të hartojnë programe dypalëshe më të detajuara për të bashkëpunuar në fushat kërkimore-shkencore mbi bazën e mirëkuptimit dhe përfitimit të ndërsjellë

Marrëveshja Ad hoc parashikon transferimin e 61 000 kultivarë ulliri autokton të Shqipërisë së mesme të prodhuar në serat eksperimentale nga Universitetit Bujqësor i Tiranës tek fermerët

Panariti: Universiteti i Harvardit nismë për të dërguar në Shqipëri një grup studentësh për të zhvilluar tezat e tyre Master në fushën e bujqësisë

Panariti: Rezultatet e këtyre studimeve në fusha të ndryshme të zhvillimit të bujqësisë do t’i vihen në dispozicion edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe do të jenë mbështetëse të politikave të zhvillimit sektorial

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave firmosi tre marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor të Tiranës.

I pranishëm në firmosjen e tre marrëveshjeve ishte Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Nora Malaj dhe Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, znj. Suela Popa.

Duke iu përgjigjur interesit të medias, Ministri z. Edmond Panariti sqaroi edhe tre marrëveshjet e arritura me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe theksoi se rreth 61 mijë fidanë të certifikuar do t’i dhurohen fermerëve nga Universiteti Bujqësor.

“Së bashku me Rektorin, Prof.Dr. Harizaj, marrëveshja kuadër e bashkëpunimit të Ministrisë së Bujqësisë me Universitetin e Bujqësisë në të gjithë sektorët dhe sferat që mbulon bujqësia shqiptare, e shoqëruar kjo dhe me nënshkrimet e dy marrëveshjeve specifike, njëra në fushën e mbrojtjes së bimës dhe një marrëveshje donacioni që Universiteti Bujqësor i jep Ministrisë së Bujqësisë dhe bujqësisë shqiptare të rreth 61 mijë fidanë të certifikuar, të pastër të kontrolluar, të seleksionuar me kujdes, të cilët do t’i vihen në dispozicion fermerëve tanë.

Janë kryesisht variete të Shqipërisë së mesme, të certifikuar të cilët do t’i vihen menjëherë fermerëve në dispozicion për të arritur qëllimin tonë për fuqizimin e sektorit të ullinjshtarisë dhe veçanërisht prodhimit të vajit”, tha z. Panariti.

Ministri u shpreh se marrëveshja midis këtyre dy institucioneve shkon edhe me tej, ndërsa shtoi se Universiteti Bujqësor do të jetë një partner kryesor i Ministrisë së Bujqësisë në mbështetjen e politikave të bujqësisë.

“Jo rastësisht në Ministrinë e Bujqësisë ka edhe tre komisione Ad hoc të cilat mbështesin politikat e zhvillimit të Ministrisë dhe që janë përbërë vetëm nga profesorë të Universitetit Bujqësor dhe kjo na bën një nder shumë të madh”, tha z. Panariti i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u shpreh se në takimin zhvilluar me rektorin e Universitetit Bujqësor është diskutuar edhe për nismën e Universitetit të Harvardit për të dërguar në Shqipëri një grup studentësh për të zhvilluar tezat e tyre Master në fushën e bujqësisë.

“Dhe padyshim vendi par-ekselence ku ata do t’i zhvillojnë këto teza do të jetë Universiteti Bujqësor, i cili shquhet për traditën dhe historinë e tij në fushën e kërkimit.

Tashmë ai hyn në një partneritet edhe me Universitetin që qëndron në majë të universiteteve botërore, siç është Universiteti i Harvardit.

Rezultatet e këtyre studimeve në fusha të ndryshme të zhvillimit të bujqësisë, natyrisht do t’i vihen në dispozicion edhe Ministrisë së Bujqësisë dhe do të jenë mbështetëse të politikave të zhvillimit sektorial”, tha z. Panariti.

Ministri u shpreh optimist se kjo nismë do të jetë edhe zanafilla e një bashkëpunimi të frytshëm në të ardhmen dhe padyshim një kontribut në të ardhmen me përfundimet e tezave të tyre në zhvillimin e sektorëve specifikë të bujqësisë.

“Natyrisht ne kemi edhe shumë programe që mendojmë të ftojmë Universitetin Bujqësor, duke filluar nga programet e shkëmbimit të profesorëve me Universitet homologe të vendeve të Europës Jugperëndimore, por edhe më gjerë, por për këtë do të ulemi dhe do të diskutojmë në mënyrë më specifike për të arritur marrëveshjet përkatëse”, tha z. Panariti.

Rektori i Universitetit Bujqësor, Prof.Dr. Fatos Harizaj tha se marrëveshja e arritur me Ministrinë e Bujqësisë rrit edhe më lart stadin e bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve.

“Në pikëpamjet e dhurimit të fidanëve është hera e parë që Universiteti del në këtë trajtë. Ne bashkëpunimin me Ministrinë e Bujqësisë dhe me dikastere të tjera të qeverisë shqiptare e kemi pasur edhe më herët, por tani e kemi rritur në një stad më të lartë. Si Universitet Bujqësor me histori 63 vjeçare, unik , kombëtar, publik, ne jemi të dënuar të bashkëpunojmë me qeverinë shqiptare, me dikasterin e Bujqësisë në të mirë të zhvillimit të bujqësisë e të zhvillimit rural. Ne sot kemi hedhur firmën që ky bashkëpunim të vazhdojë në të gjitha fushat e kompetencës së Universitetit Bujqësor”, tha z. Fatos Harizaj.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, znj. Suela Popa u shpreh se bashkëpunimi midis Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Fakultetit të Bujqësisë pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, do t’i vijë më pranë edhe fermerëve.

“Ne kemi gjetur rrugën më të mirë për të bërë të mundur asistimin e fermerit shqiptar përmes dijeve të përfituara në auditorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës nga studentët e këtij universiteti, të cilët jo vetëm do të bëjnë të mundur lidhjen e teorisë me praktikën, përmes ndihmës së fermerëve në fermat shqiptare bujqësore dhe blegtorale, por nga ana tjetër, do të transmetojnë dijet e tyre tek fermeri shqiptar”, tha znj. Popa.

Marrëveshja e bashkëpunimit midis Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka si qëllimi institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve në nivele të ndryshme.

Marrëveshja i hap rrugën strukturave përbërëse që të hartojnë programe dypalëshe më të detajuara për të bashkëpunuar në fushat kërkimore-shkencore mbi bazën e mirëkuptimit dhe përfitimit të ndërsjellë.

Në fund të çdo viti, do të hartohet një raport i përbashkët për ecurinë e këtij bashkëpunimi, ku do të analizohen arritjet, mangësitë dhe ecuria për të ardhmen.

Marrëveshja Ad-hoc midis Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave parashikon transferimin e 61 000 kultivarë ulliri autokton të Shqipërisë së mesme të prodhuar në serat eksperimentale nga Universitetit Bujqësor i Tiranës në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë me qëllim shpërndarjen e tyre nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural fermerëve të zonës së Shqipërisë së mesme, duke kontribuar jo vetëm në forcimin e ekonomive të tyre, por duke qenë njëkohësisht përhapës dhe konsolidues të këtyre varieteteve, si një potencial gjenetik, bazuar në një vërtetësi klonale dhe pastërti fitosanitare.

Marrëveshja tjetër e bashkëpunimit është ajo “Për shërbimin e mbrojtjes së bimëve”që ka si qëllim bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve për shërbimet në mbrojtjen e bimëve.