Z. Ilir Meta priti Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Igor Lukšić

Z. Ilir Meta priti Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Igor Lukšić

ilirmeta12032013-3

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim z. Ilir Meta priti sot në selinë e partisë Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Malit të Zi, z. Igor Lukšić.

Z. Meta dhe Z. Lukšić i vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si të shkëlqyera dhe si një model për të gjithë rajonin, duke theksuar se bashkëpunimi përmes projekteve të përbashkëta duhet forcuar edhe më tej.

Z. Meta vlerësoi rolin strategjik që Mali i Zi luan në rajon, duke e cilësuar vendin fqinj si një faktor të rëndësishëm të stabilitetit dhe paqes. Z. Meta u shpreh se Shqipëria e mbështet fuqimisht Malin e Zi në proceset integruese Euro-Atlantike duke nënvizuar se të dy vendet duhet të rrisin edhe më tej koordinimin mes tyre në mënyrë që axhenda evropiane të mbetet kryefjalë e të gjithë axhendës rajonale.

Z. Lukšić vlerësoi rolin e z. Meta në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në vite dhe shprehu vullnetin për një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes Podgoricës dhe Tiranës në artikulimin e interesave të përbashkëta ekonomike në spektrin evropian dhe ndërkombëtar. Në këtë kuadër, z. Lukšić vlerësoi se suksesi i Projektit TAP do të ishte me interes jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Malin e Zi dhe në shërbim të interesave strategjike të rajonit tonë.