05 Jul Ylli Manjani : LSI flet në emër të interesit të qytetarit dhe jo në emër të interesit të kumarit
“E thirrëm këtë takim në fakt për të shprehur shqetësimin që situata turistike në vend nuk është aspak optimale. Jemi në kulmin e sezonit turistik, është kulmi kur duhet të kishim prenotime, duhet të kishim një dyndje drejt bregut shqiptar dhe në fakt po ndodh e kundërta. Ka një lëvizje me shumë sforco të qytetarëve shqiptarë, por jo vetëm, dhe kjo vjen për shkak se gjithmonë e më shumë emetohen lajme të tipit që, në fakt janë edhe të vërteta, që mungon uji i pijshëm, mungon infrastruktura rrugore, mungon energjia elektrike, madje ngrihen edhe shqetësime deri tek pastrimi i mbetjeve, i ujërave të ndotura apo i plazheve të pastra. Dhe ky është një shqetësim që sigurisht vjen në rritje dhe duke pasur parasysh që qeveria e ikur, tashmë ka kohë që ka ikur nga ky sektor dhe nuk kemi çfarë t’i bëjmë thirrje kësaj qeverie.
Por çështja është që të paktën institucionet shtetërore publike, agjencitë turistike, në mënyrë të veçantë shërbimi i policisë së shtetit, sepse edhe nga ky sektor vijnë lajme shqetësuese. Përditë ka ngjarje të rënda kriminale derti te shpërthime me eksploziv e që nuk janë edhe këto gjëra të mira, që të marrin situatën në dorë dhe të ndihmojnë qartësisht qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, që t’i drejtohen bregut të Shqipërisë për të kaluar 10 ditë pushime. Kjo është një detyrë që çdo shtetas i këtij shteti sot duhet ta ketë. Është një moment që duhet t’i shërbejmë ekonomisë kombëtare, jo vetëm ekonomisë kombëtare, por ekonomisë së shqiptarëve në tërësi por edhe relaksit të gjithsecilit që të shpenzojë 10 ditë të pushimeve apo më shumë në bregun shqiptar, pasi realisht ne kemi nevojë që të nxisim këtë sektor që është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare. Nga kjo pikëpamje nuk përjashtohen nga kjo thirrje sigurisht edhe agjencitë turistike, shërbimeve konsullore kudo që të jenë duke pasur parasysh që ka edhe një situatë disi të favorshme për shkak se dy vende të mëdha që kanë thithur turistë për vite me radhë, Turqia dhe Egjipti janë sot në situatë krize. E për pasojë situata turistike nuk është e favorshme, kështu që është një moment kur të gjitha agjencitë tona të marrin këtë avantazh për ta shfrytëzuar dhe për të sjellë drejt bregut shqiptar sa më shumë turistë të jetë e mundur, për të ndihmuar ekonomitë e shqiptarëve, por edhe ekonominë kombëtare në tërësi.
Kështu që në këtë pikëpamje them që është momenti të tërheqim vëmendjen që në këtë situatë, që është praktikisht kulmi i sezonit turistik të mund të nxisim sa më shumë turistë që vijnë në vend. Është një thirrje që praktikisht e bëjmë edhe për mediat, për të përdorur hapësirat mediatike, është një hapësirë që ushtrohet vërtetë në shumicën e rasteve në mënyrë private, por të mos harrojmë se është një kontribut në ekonominë kombëtare, që edhe hapësira juaj të përdoret dhe të shfrytëzohet sa më shumë të jetë e mundur për të nxitur turizmin në vend.
Pyetje nga gazetarët
Kam një pyetje por jashtë temës së turizmit, që është gjithashtu shqetësuese. Një ditë më parë ka pasur akuza nga z. Olldashi, që është gjithashtu një kandidat për kryetarin e Partisë Demokratike, ndaj LSI-së. Cili është komenti juaj?
Kjo është një çështje që në fakt mua nuk më takon të merrem me të. Unë jam këtu për të folur në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por jo vetëm. Janë 1 milionë shqiptarë që sot presin nga ne se cili do të jetë programi qeverisës në 4 dhe më shumë vite të ardhshme. Të gjithë presin një mënyrë të re qeverisje nga sa deri më sot. Nuk jam këtu për t’u marrë më interesat e askujt, aq më tepër një partie politike apo qoftë edhe të kandidatëve për kryetar politik. Kjo është një çështje që nuk më takon mua. Unë jam këtu për të folur në emër të interesit të qytetarit dhe jo në emër të interesit të kumarit. Kumari dhe kumarxhinjtë janë ndëshkuar sistematikisht me votë, sa herë që kanë kërkuar votën e shqiptarëve. Dhe e përsëris jam këtu për t’u bërë thirrje edhe juve për të përdorur hapësirën mediatike që të kompensojmë sadopak ato defekte të cilat janë vënë re nga qeverisja e shkuar në mënyrë të veçantë në infrastrukturën e turizmit. Kjo është e rëndësishme. Të paktën të mund të ecim përpara drejt situatave të tjera. Kumari dhe kumarxhinjtë nuk na interesojnë.