18 Jun Vasili: Ne jemi në mbështetje të plotë dhe të pa ekuivok ndaj Policisë së Shtetit dhe veprimit të saj në terren
Deklaratë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili
Vasili: Ne jemi në mbështetje të plotë dhe të pa ekuivok ndaj Policisë së Shtetit dhe veprimit të saj në terren
Vasili: E tërë politika shqiptare, pa asnjë ndasi, pa asnjë dallim, duhet të jetë e rreshtuar në mënyrë të qartë në krah të Policisë së Shtetit
Vasili: Qytetarët e Lazaratit të bashkëpunojnë me policinë dhe njëkohësisht të marrin të gjithë distancën e duhur ndaj elementëve kriminalë
Vasili: Përfundimi i aksionit me sukses të jetë provë e qartë se si forca e ligjit do të veprojë në çdo cep të territorit
I gjithë opinioni publik shqiptar ka të gjithë vëmendjen që nga dita e djeshme të përqendruar në aksionin e madh dhe të paprecedent policor që po zhvillohet në Lazarat.
Ky aksion ka mbështetjen, vlerësimin dhe njëkohësisht gjithçka tjetër për ta frymëzuar në vazhdimësinë e tij, për arsye sepse është ndoshta prova e munguar prej kohësh, që qeveria dhe mazhoranca e re japin për vendosjen e kontrollit të plotë nga ana e shtetit të çdo metri katror të Republikës së Shqipërisë.
Sigurisht që është një aksion i mirëpritur nga partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë europianë të Shqipërisë, të cilët më së fundi po shikojnë atë që kanë kërkuar me insistim prej kohësh, që rendi dhe ligji veprojnë në mënyrë të barabartë në të gjithë Shqipërinë.
Por akoma më shumë, ky aksion ka mbështetjen e gjerë të të gjithë shqiptarëve të cilët shikojnë se më së fundi policia është policia që ju shërben atyre, policia është ajo që nuk privilegjon kërrkënd, policia është ajo që përballet dhëmb për dhëmbë me krimin në mënyrë që në këtë vend të sundojë demokracia nëpërmjet ligjit dhe jo demokracia e krimit të organizuar.
Ndaj ne jemi në mbështetje të plotë dhe të pa ekuivok të Policisë së Shtetit , të veprimit të saj në terren, të sakrificës edhe njerëzore të saj, të gjithë veprimit dhe vendosmërisë së saj.
Dhe këtë herë, jo vetëm ne, por edhe e tërë politika shqiptare, pa asnjë ndasi, pa asnjë dallim, duhet të jetë e rreshtuar në mënyrë të qartë në krah të Policisë së Shtetit, e cila në rastin konkret është instrumenti dhe dora e qytetarëve shqiptarë të cilët kanë kërkuar dhe kanë pritur pikërisht këtë polici që sakrifikon dhe përballet në emër të së mirës së përbashkët.
Gjithashtu, bashkohemi dhe mbështesim thirrjen konkrete dhe shumë të drejtpërdrejt të Policisë së Shtetit që qytetarët e Lazaratit të bashkëpunojnë me policinë dhe njëkohësisht të marrin të gjithë distancën e duhur ndaj elementëve kriminalë, të cilët policia në mënyrë shumë profesionale po vazhdon aksionin e saj të pandërprerë për t’i izoluar dhe neutralizuar ata, në mënyrë që kurorëzimi i suksesshëm i këtij aksioni të jetë hapi i madh dhe i shumëpritur në një zonë e cila në mënyrë të padrejtë ka përzierë popullsinë e ndershme dhe opinionin shumë të mirë për të, respektin shumë të plotë për të, me elementë kriminalë, të cilët kanë përdorur emrin e Lazaratit për përfitime kriminale, të paligjshme dhe të cilët e kanë damkosur Shqipërinë, në vend që të kishte një emër të mirë.
Ndaj në mënyrë përfundimtare, sot dhe në vazhdimësi dhe deri në minutën e fundit të përfundimit të aksionit të Policisë së Shtetit, ne jemi në mbështetje të plotë të këtij aksioni me të gjitha instrumentet dhe mjetet politike, me të gjithë frymëzimin politik të duhur, në mënyrë që përfundimi i tij me sukses të jetë provë e qartë se si forca e ligjit do të veprojë në çdo cep të territorit dhe kushdo shqiptar do të ndihet i qetë në vendin e tij se ka pikërisht policinë që ai ka dashur.