01 Feb Vasili: Miratimi i 3 ligjeve prove serioziteti per politiken
Në ditët në vijim, siç e dini në Shqipëri pritet që të zhvillohet një vizitë shumë e rëndësishme e komisionerit Fule. Praktikisht nuk është fjala thjesht për një vizitë të radhës, por një vizitë në një moment shumë delikat dhe tepër krucial për procesin e integrimit. Është konsideruar edhe nga lideri i LSI-së një mundësi e artë dhe e tillë është sepse përsëri politikës shqiptare i jepet një shans i madh, i ri, për të mundësuar e për të kontribuar që Shqipëria të jetë sa më pranë Europës. Sigurisht që unë jam këtu në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim për ta ripërsëritur apelin e fortë që politika shqiptare duhet të maksimizojë veprimin e saj politik në funksion të kësaj mundësie të re dhe të kësaj dashamirësie e zemërgjerësie të Europës që Shqipërinë ta shikojë sa më pranë vetes së saj dhe kësaj mundësie që i jepet të tërë qytetarëve shqiptarë, vokacioni evropian i të cilëve është i qartë dhe pankombëtar.
Nuk është absolutisht një sfidë e vështirë që politika më së fundi të dalë mbi veten, mbi ngërçet e ditës, mbi kalkulimet e vogla, mbi çështjet periferike dhe anësore dhe të votojë ato tre detyrime, të cilat Europa kërkon, që praktikisht janë rregullorja e Parlamentit, ligji për Gjykatën e Lartë dhe ligji për Shërbimin Civil, të cilat në esencë të tyre ndihmojnë tre korpuse kryesore, mbarëvajtjen e punëve në Parlament, konsolidimin e shërbimit civil dhe të nëpunësit civil si shtylla kurrizore e funksionimit të shtetit dhe njëkohësisht konsolidimi i Gjykatës së Lartë si një nga elementet suprem të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Pra, bëhet fjalë për tre elemente të cilat ndihmojnë jetën shqiptare, por njëherazi ato ndihmojnë procesin e integrimit dhe politika duhet të kontribuojë që Europa të ketë sa më parë të miratuara këto ligje në dorë, në mënyrë që ajo të hapë këtë proces dhe pse jo përpara zgjedhjeve të 23 qershorit të kishim mundësi që Shqipëria të fitonte statusin e vendit kandidat. LSI do të investohet, si deri më sot, me gjithë fuqinë e saj politike në drejtim të pozitivitetit e konstruktivitetit të domosdoshëm për të rrëzuar muret që ekzistojnë nga mosbashkëpunimi politik e për ngritur ato ura komunikimi që e çojnë vendin në Europë e për të cilat vendi ka aq nevojë. Ndaj, kjo e hënë dhe kjo vizitë duhet konsideruar si një vizitë dhe një mundësi në ndihmë dhe në favor të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptarë dhe politika duhet të bëjë me përulësi detyrën e saj, detyrë i të cilës i ka munguar e për të cilën sigurisht përgjegjësitë rriten nëse ajo nuk e përdor si duhet këtë shans të madh që asaj i jepet.
Z. Vasili, z. Gjinushi ka deklaruar se ‘nuk do të njohim rezultatin e zgjedhjeve që do të dalë nga vendimi për ndarjen e mandateve sipas 2009-ës’. A mos jemi në të njëjtën situatë që parashikon mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve nga opozita?
Sigurisht që komenti im lidhur me këtë çështje ka të bëjë me kënaqësinë që më së fundi një proces i gjatë dhe i ngarkuar me konflikte artificiale të panevojshme u mbyll dje në Parlament. Ne kemi përjetuar një situatë debati shterpë që e ka ngarkuar opinionin publik me mjaft argumente të cilat në momente të caktuara për shkak të paradokseve dhe të inkoherencës ka çuditur gjithkënd. Ju e dini më së miri që i është paraqitur një draft për ndarjen e mandateve Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, draft të cilin LSI e ka votuar në KQZ, pavarësisht nga rezervat që ajo kishte, në momentin e parë të paraqitjes së draftit, edhe për mënyrën e ndarjes së mandateve në Qarkun e Beratit.
Megjithatë, për ti hapur rrugë procesit të ecjes përpara të procesit zgjedhor dhe të përgatitjes së tij në kohë, ne e votuam këtë. Njëkohësisht në funksion të kësaj nisme ne u vumë në dispozicion për të ecur përpara edhe me votimet e tjera të mëtejshme. Kemi mbështetur edhe një komision hetimor atëherë kur u kërkua. Pra, kemi qenë të hapur për të gjitha llojet e zgjidhjeve. Por, në momentin që votuam këtë draft u kundërshtua rreptësisht dhe me ashpërsinë maksimale nga Partia Socialiste si draft që do të shkatërronte zgjedhjet e ardhshme, të cilat do t’i rrënonte dhe manipulonte ato. Papritmas ne ndodhemi në një situatë paradoksale që pas pak javësh, po opozita dhe Partia Socialiste e konsiderojnë pikërisht këtë draft të anatemuar të mallkuar, të nëpërkëmbur, objekt i një konflikti të madh politik dhe publik si draftin e duhur. Por, njëkohësisht Partia Socialiste kishte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votat e nevojshme për ta miratuar këtë draft në rast se donte. Ajo nuk e quajti të udhës. Mbajti një qëndrim të kundërt dhe i hoqi mundësinë KQZ-së që ai të merrte vendimin e tij.
Në këto kushte, në respekt të ligjshmërisë Parlamenti dje u shpreh dhe ne sot jemi të kënaqur që kjo çështje u mbyll dhe u rihap rruga sikurse e ndoqëm edhe nga mbledhja e sotme e KQZ-së, ecjes së hapave të mëtejshëm për ndërtimin e një procesi zgjedhor bashkëkohor dhe koherent. Mendoj se në këtë moment në të cilin ndodhemi apeli më i dobishëm për gjithë shoqërinë shqiptare do të ishte ulja e konfliktualiteteve, acarimi i panevojshëm, artificial dhe qesharak në momente të caktuara i situatës nuk ndihmon askënd. LSI nga ana e saj do të vazhdojë të kontribuojë në drejtim të ndërtimit të një konstruktiviteti politik, sistematik dhe të vazhdueshëm, i cili ul tensionet, nuk ushqen konfliktualitet edhe ndërmjet qytetarëve por i hap rrugën thjesht dhe vetëm garës alternative politike të cilat do të prodhojnë një qeverisje gjithmonë edhe më të mirë për vendin dhe për interesat e integrimit evropian.
Z. Vasili, duke referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile është fakt që skema e shpërndarjes së mandateve të vitit 2009 nuk e pasqyron realitetin e shpërndarjes së popullsisë për vitin 2013. A mundet që të shkojnë në votime qytetarët shqiptarët me këtë realitet të shpërndarjes së mandateve ?
Shqiptarët do të shkojnë në votime në bazë të një ndarje të cilën deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë votuar dje dhe shqiptarët kërkojnë të votojnë dhe nuk kërkojnë të humbasin më kohë sepse do të duhet që të punojnë, do të duhet që të mbajnë familjet me punën e tyre të ndershme dhe nuk duan të konsumohen me debate pa kuptim sepse çështja e votimit apo jo, e informacionit apo jo, lidhur me ndarjen e mandateve ishte dhe besoj që u konsumuan të gjitha hapat ligjorë ku opozita i kundërshtoi me votë, por edhe me veprime politike, dhe dje Parlamenti në mënyrë logjike, por njëherësh edhe ligjore mori një vendim i cili zgjidhi dhe çliroi ngërçin e krijuar në mënyrë të panevojshme, duke i hapur rrugën ecjes përpara për realizimin e zgjedhjeve me standarde. Kjo është edhe kërkesa kryesore që kanë shqiptarët por ka edhe Europa, zgjedhje të ndershme, zgjedhje të organizuara mirë dhe zgjedhje të cilat arrijnë të nxjerrin rezultatin në kohën e duhur të qartë dhe të saktë. Pra, i japin fund atyre historive që ne kemi përsëritur me zgjedhjet që veçse e kanë ulur imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe nuk e kanë ngritur atë.
Lidhur me vizitën e komsionerit Fule, a prisni ta zgjidhë këtë çështje apo do të jetë thjeshtë një vizitë, si shumë vizitat e përfaqësuesve ndërkombëtarë që i konsumojnë dhe pastaj si produkt nuk ka asgjë?
Nuk më duket si një vizitë, si gjithë të tjerat sepse vjen në një moment politik të veçantë, jo vetëm thjesht se në horizont janë edhe zgjedhjet politike, por edhe për arsyen sepse janë konsumuar mjaft e mjaft shanse, dhe besoj që duhet vlerësuar si një mundësi ekstra, vërtet një mundësi e jashtëzakonshme, një zemërgjerësi e paverifikuar kurrë më parë jo me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera. Nëse Shqipëria vërtet ka politikanë të përgjegjshëm, ka një opozitë të përgjegjshme, thirrja për përgjegjshmëri është pikërisht vizita e zotit Fule. Shpërdorimi i këtij shansi besoj do të ishte një përgjegjësi do të thosha e pariparueshme.
Sa i përket koalicioneve, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule ka deklaruar se është pro krijimit të polit të tretë, së bashku me LSI-në dhe FRD-në. A është kjo vetëm një dëshirë e z. Dule apo ka pasur kontakte konkrete? Cili është qëndrimi i LSI-së në këtë rast?
LSI ka një marrëveshje politike të sajën me Partinë Demokratike të cilën ajo e ka respektuar dhe e respekton në shenjë të korrektesës, seriozitetit politik dhe përgjegjshmërisë politike që është një tipar i qenësishëm i forcës sonë politike.
Është plotësisht në të drejtë të çdo politikani që të bëjë komentet e tij politike dhe të japë idetë e tij për projekte politike. LSI është në funksion të një qëndrimi të tillë politik, pra të respektimit të marrëveshjeve që ajo ka dhe njëkohësisht, siç është thënë disa herë por është vendi të përsëritet, duke qenë një parti e lindur nga forumet, anëtarësia, këtë autoritet të vendimmarrjes, pas analizës serioze dhe të përgjegjshme, LSI ia ka deleguar Konventës Kombëtare e cila do të analizojë situatën politike dhe me votat e anëtarësisë do të marrë vendimin përkatës, se cila do të jetë mënyra e konkurrimit të LSI-së në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013.