10 Mar Vasili: Integrimi detyrë kombëtare, LSI mbeshtet cdo zgjidhje qe voton tre ligjet
Jemi sot përpara jush sepse pas analizës që i kemi bërë për ecurinë e deritanishme të procesit të integrimit konstatojmë me keqardhje një stanjacion të këtij procesi dhe një vlerësim minor të tij në raport me madhësinë dhe rëndësinë që ka ai për jetën e vendit. Konstatojmë për fat të keq se integrimi nuk po konsiderohet një argument parësor por thjesht dhe vetëm një argument rutinor në retorikën politike, po konsiderohet një argument për një luftë të drejtpërdrejtë politike. Nuk po konsiderohet një detyrë kombëtare, e cila shkon përtej partive, mazhorancave dhe opozitave por po konsiderohet gjithmonë e më tepër një argument si gjithë të tjerët dhe gjithmonë e më shumë një argument elektoral dhe jo si një argument i qenësishëm që ka të bëjë me të ardhmen shumëvjeçare të Shqipërisë.
Lidhur me sa më sipër ne tërheqim vëmendjen për ndryshimin total të mënyrës së konceptimit të kësaj çështjeje, rimarrjes së saj me vëmendjen maksimale, konsiderimin e saj si një detyrim madhor ndaj të cilit të gjithë duhet të kontribuojnë pa vështruar llogaritë e vogla politike dhe një vëmendje të shtuar ndaj apeleve të përsëritura, insistente dhe shumë të qarta, jo vetëm të Evropës por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndaj ne mendojmë që ka kohë, e cila për politikën është një kohë e çmuar, ku e gjithë politika duhet të ulet në tryezë dhe për një çast të vetëm të harrojë 23 qershorin dhe të kuptojë që integrimi evropian i vendit shkon shumë përtej 23 qershorit dhe “23 qershorëve” që do të vijnë sepse është një moment kyç në jetën e shqiptarëve, në politikën shqiptare, në historinë e shqiptarëve. Të ulen pa vështruar asnjëherë se cili është rezultati i 23 qershorit sepse kjo është një çështje që do të zgjidhet në atë ditë dhe nuk ka lidhje me integrimin, që është aspirata e 95% të shqiptarëve dhe e cila kërkon përgjigje. Të përdorim ditët dhe javët që kemi në dispozicion për t’i dhënë një zgjidhje shumë të shpejtë ndërkohë që në Evropë, me dashamirësinë maksimale, pritet një reagim i tillë.
Ndaj, në mënyrë të veçantë në axhendën e rëndësishme evropiane që Shqipëria ka, tre ligjet përkatëse, rregullorja e Parlamentit dhe dy ligjet e tjera, duhet t’i nënshtrohen një miratimi të shpejtë, të gjerë dhe konsensual , duke dhënë një provë të mëtejshme të pjekurisë së klasës politike shqiptare por njëkohësisht dhe për të demonstruar më së fundmi që politika flet me zërin e qytetarëve të cilët e duna integrimin. Ne mendojmë se duhet të dalim me shpejtësi nga kjo fazë stanjacioni dhe nga kjo fazë rutine politike në lidhje me çështjen e integrimit dhe rivendosjen e saj në tavolinë. Nevojitet predispozimi për të gjithë mirëkuptimet dhe kompromiset e domosdoshme në mënyrë që procesi të eci përpara dhe ta shkëpusim një herë e përgjithmonë këtë çështje nga çështjet elektorale të cilat e kanë afektuar atë deri sa e kanë çuar në këtë moment në një problem periferik. Ky qëndrim i ri duhet të adaptohet sa më parë që në ditët që vijnë sepse kemi detyrim madhor që të japim ato përgjigje që Evropa dhe populli shqiptar pret nga ne.
Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojë të investohet më të gjithë fuqitë e veta që kjo çështje të vazhdojë të mbetet kryeçështje e shqiptarëve sepse është i vetmi argument madhor që bën të flasë me një gjuhë Shqipërinë, Brukselin dhe Uashingtonin dhe po këtë gjuhë flasin edhe shqiptarët, dhe ajo do të bëjë gjithçka është në fuqitë, mundësitë dhe kapitalin e saj politik që kjo çështje të marrë një përgjigje sa më parë të jetë e mundur.
Z. Vasili kohët e fundit janë bërë disa sondazhe për sa i përket zgjedhjeve të 23 qershorit. Cili është qëndrimi i LSI-së për këtë çështje?
Besoj që çështjet e sondazheve tashmë janë një rutinë e cila na shoqëron prej vitesh, me të gjithë rezultatet e tyre shpeshherë të çuditshme. Megjithatë ne kemi një sondazh të madh, të cilit i besojmë shumë dhe të cilit nuk i shmangemi dot asnjëri që është sondazhi i 23 qershorit. Atje do të kemi fituesin dhe humbësin, në mënyrë të qartë dhe të certifikuar. Ne si LSI kemi të gjithë durimin e duhur që ta presim këtë sondazh të 23 qershorit dhe të rezultojmë, ashtu siç është e qartë për çdo qytetar, fitues dinjitoz të këtij sondazhi.
Cili është qëndrimi i L SI-së në lidhje me referendumin përsa i përket tre ligjeve duke pasur parasysh edhe deklaratat e z. Fule?
Ne kemi qenë mbështetës të mëdhenj të gjithë dialogëve dhe konsensuseve të mëdha, dhe ky ishte thelbi i deklaratës time dhe vazhdojmë të kemi të njëjtën frymë. Thelbi i iniciativës referendare për mendimin tim dhe në këndvështrimin e LSI-së ishte një shprehje vullneti që procesi i integrimit duhet të eci përpara me çdo kusht. Iniciativa referendare duhet konsideruar një shprehje vullneti, ndërkohë që zgjidhja optimale, ajo e cila është një demonstrim i një qëndrimi të ri i një klase politike që ka kuptuar se ç’thotë Evropa, është që ne ta arrijmë sa më parë mirëkuptimin në Parlament, për një arsye sa shumë të thjeshtë, kemi mirëkuptimin të plotë të të gjitha palëve për integrimin por ekzistojnë disa element të taktikave politike dhe llogarive politike që e pengojnë këtë punë. Ajo që ne deklarojmë edhe sot nga kjo foltore është që t’i lëmë llogaritë politike mënjanë, ta lëmë 23 qershorin mënjanë, sepse kjo është një çështje tjetër dhe të mirëkuptohemi edhe në sallën e Parlamentit për çështje ne integrimit dhe për votimin e tre ligjeve të cilat na mundësojnë një përgjigje pozitive shumë të shpejtë për fitimin e statusit të vendit kandidat.