Vasili: Edi Rama urren egërsisht shqiptarët, do skllevër pa gojë dhe pa votë nga Bangladeshi, Afganistani dhe India

Vasili: Edi Rama urren egërsisht shqiptarët, do skllevër pa gojë dhe pa votë nga Bangladeshi, Afganistani dhe India

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë!

Shqiptarët e kanë shumë të qartë tashmë, se cili është Edi Rama, i cili e çorri krejtësisht maskën e tij dhe doli haptaz që i urren ata. Dje pa iu dridhur syri aspak, ai deklaroi publikisht që i përçmon shqiptarët, i urren ata, e urren shqipen që ata flasin, e urren Europën, e urren botën, e urren demokracinë. Ai tregoi qartë që shqiptarët nuk kanë asnjë rëndësi, por rëndësi ka që të vijnë skllevër të kohëve moderne nga Bangladeshi, nga Afganistani, nga India e kudo gjetkë.

Megjithatë ju lutem, ndiqeni me vëmendje dhe mos e harroni kurrë këtë video që do të shikoni pas pak çastesh, e cila flet vetë për gjithçka që unë ju tregova më lart. Ta ndjekim videon së bashku dhe gjithçka do të jetë shumë më e qartë për ju të gjithë!

Pra është shumë e qartë. Shqipëria dhe shqiptarët janë gjëja e vetme që Edi Rama urren. Demokracia, fjala e lirë, e drejta e shqiptarëve që të vendosin, e drejta e shqiptarëve që të jenë ata zotër të fateve të tyre, është ajo pikërisht që Edi Rama urren. Sot është dita më e rëndë se çdo herë tjetër, pasi shqiptarët kanë të ulur në karrigen e kryeministrit, armikun më të egër të tyre, i cili u tregon derën shqiptarëve, të cilët me qindra e mijëra largohen nga Shqipëria, sepse nuk i do. Sepse ata me votën e tyre, zërin dhe vullnetin e tyre, e lëvizin, e hedhin, e shporrin tutje nga karrigia, por kërkon skllevër pa gjuhë, pa gojë, pa të drejtë vote, që nuk kanë asnjë liri.

Edi Rama është armiku i lirive, armiku i demokracisë, e cila është ndërtuar me kaq mund e për të cilën kanë dhënë jetën me mijëra e mijëra shqiptarë. Që nga sot, të gjithë shqiptarët e kanë shumë të qartë, që më 25 prill e kanë zgjedhjen të qartë dhe të thjeshtë. Në njërën anë është armiku i tyre, që u tregon derën, që i shkëmben me skllevër nga Bangladeshi, Afganistani dhe India. Dhe nga ana tjetër janë të gjithë shqiptarët, të përfaqësuar politikisht nga opozita e tyre, të cilët janë gati të luftojnë e të bëjnë çdo sakrificë, për të vendosur demokracinë e liritë e tyre të nëpërkëmbura, e për të ndërtuar fatin, jetën e tyre, të familjeve të tyre, në vendin tonë të dashur që është Shqipëria. Për ne Shqipëria është një vend i shtrenjtë dhe ne këtu duam të jetojmë. Të rinjtë tanë këtu duhet të kthehen e të rinjtë e tjerë të mos largohen, pasi Edi Rama ky armik i betuar i tyre ka vetëm një qëllim ti largojë.

Çdo gjë që lidhet me demokracinë në këtë vend. Me begatinë personale të familjeve të tyre, Edi Rama e urren. Edi Rama do shqiptarë të varfër, që jetojnë në skamje, që nuk votojnë, që nuk protestojnë, që nuk vendosin për fatet e tyre, do thjesht dhe vetëm skllevër, shurdh memecë. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Shqiptarët kanë për të luftuar për të drejtat e tyre për lirinë, për pluralizmin, për demokracinë dhe në vitet shumë të vështira të diktaturës ku me mijëra kanë humbur jetën. Dhe në 25 prill do të japin atë goditje të tmerrshme, përfundimtare që do të jetë mësim për këdo të marrë në Shqipëri që do të guxonte të diskutonte e të vinte në diskutim fatin e shqiptarëve, të lirive të demokracisë së tyre dhe për të shuar njëherë e përgjithmonë nga memoria e shqiptarëve njeriun më të zi dhe më të urryer që i luftoi me çdo mjet e me çdo kusht ata.

Mos  e harroni këtë video dhe në 25 prill votoni duke pasur në mend që ky njeri të largohet njëherë e më parë e të ndëshkohet për gjithë këtë urrejtje që ia ka ndaj popullit tonë, popullit shqiptar. Shqipëria është shtëpia jonë, kështu do të mbetet, armiqtë do t’ua tregojnë vendin në 25 prill atje ku e meritojnë.