15 Feb Telegram ngushëllimi i Kryetarit të LSI për ndarjen e parakohshme nga jeta të zotit Vebi Veliaj
Telegram ngushëllimi i Kryetarit të LSI për ndarjen e parakohshme nga jeta të zotit Vebi Veliaj
Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të zotit Vebi Velija një pioner i iniciativës së lirë biznesit dhe medias në Shqipëri.
E kam vlerëuar gjithmonë Zotin Velija për kurajon dhe guximin e tij si një ndër investitorët e parë në Shqipërinë e trazuar post-komuniste dhe besimin e tij për të mos e braktisur këtë vend as në ditët më të vështira.
Zoti Velija ishte ndër të parët shqiptarë të diasporës që erdhën për të investuar në Shqipëri në radhë të parë me dashurinë për vendin amë dhe duke kontribuar edhe në krijimin dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut të lirë në vendin tonë.
Kontributi i zotit Velija në Shqipërinë e post-diktaturës ka qenë mjaft i çmuar edhe në fushën e artit dhe të kulturës duke inkurajuar përmes Fondacionit të tij promovimin e talenteve dhe vlerave më të spikatura të kombit shqiptar.
Humbja e tij na lë pa një mik dhe pa një shqiptar të devotshëm dhe të palodhur në veprimtarinë e tij intensive në mbrojtje të çështjes kombëtare.
Rrjeti mediatik që ai krijoi Alsat me praninë e tij jo vetëm në Tiranë por edhe në Shkup e Prishtinë është bërë një dritare e çmuar komunikimi të pandërprerë dhe një urë lidhëse për të gjithë bashkëkombësit tanë kudo që ndodhen.
Në këtë ditë dhimbjeje të thellë dua të ngushëlloj në radhë të parë familjen e zotit Velija të gjithë bashkëpunëtorët e tij të cilët jam i bindur se do të gjejnë kurajon për të kapërcyer këtë dhimbje të madhe dhe do të vazhdojnë për të çuar më tej dhe për të zhvilluar projektin e tij në fushën e biznesit dhe medias të ndërprerë në mes nga kjo fatkeqësi.
I paharruar qoftë kujtimi i tij.
Sinqerisht Ilir Meta
0x323030392d30352d3136 14:35)