26 Feb Tedi Blushi: Skandali i Bashkisë së Tiranës me varrezat në Tufinë, SPAK të veprojë menjëherë!
Bashkia e Tiranës është kthyer në një nga simbolet më famëkeqe të hajdutërisë, dhunës dhe përjashtimit social ndaj të gjallëve, por së fundmi dhe të krimeve më makabre ndaj atyre që janë larguar nga kjo botë.
Pasi drejtuesit e lartë të këtij institucioni u kapën në flagrancë duke kërkuar rryshfet deri në 400 euro për rezervimin e një vendprehje në Tufinë apo në Sharrë, i gjithë opinioni publik është skandalizuar, revoltuar dhe indinjuar me të drejtë me pamjet e tmerrshme nga Tufina ku eshtrat e të miturve dhe qytetarëve që kanë ndërruar jetë grumbullohen në qese mbeturinash dhe trajtohen pa respekt dhe dinjitet, duke dhunuar jo vetëm ligjin por edhe një nga kodet më të lashta të kombit shqiptar, që është nderimi i atyre që nuk jetojnë më.
Ky dhunim monstruoz i dinjitetit njerëzor, i mungesës së respektit ndaj atyre që kanë ndërruar jetë, por edhe i nderit, kodit dhe vlerave më të larta të kombit shqiptar e rendit sot Bashkinë e Tiranës ndër institucionet më barbare të kontinentit, që sillet me të vdekurit me të njëjtën barbari si nazistët e Adolf Hitlerit dhe kmerët e kuq të Pol Potit.
Investigimi i programit investigativ “Piranja”, është dëshmi e pakundërshtueshme, revoltuese dhe irrituese për një shoqëri demokratike ndaj një krimi makabër, mohimi i të cilit nga Bashkia e Tiranës vetëm sa thellon shkeljen me vullnet të plotë të ligjit dhe dëshmon papërgjegjshmërinë dhe mungesën e theksuar të humanizmit.
Kur ky institucion nuk tregon vëmendje dhe respekt ndaj të larguave nga kjo jetë, rreth gjysma e popullsisë së Shqipërisë që banon në Bashkinë e Tiranës nuk mund të ketë shpresë se do të marrë vëmendje, përkujdesje dhe zgjidhje të halleve dhe problemeve të tyre.
Partia e Lirisë i bën thirrje SPAK të reagojë pa vonesë ndaj këtij skandali të tmerrshëm dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore të gjithë përgjegjësit për këtë krim makabër, që ka tronditur çdo qytetar të Tiranës dhe jo vetëm.