06 Mar Silva Caka: Skandaloze! Rilindja vjedh dhe ushqimin e fëmijëve në kopshte
Vjedhjet e Rilindjes nuk kursejnë as ushqimin e fëmijëve tanë!
Pas raportit skandaloz të KLSH-së ku evidentoheshin vjedhjet në institucionin ku strehohen fëmijët jetimë, një tjetër makabritet ka dalë në pah në bashkinë e Shkodrës.
Një investigim mediatik, i nisur si pasojë e një denoncimi për dhunë nga nëna e një fëmije në kopshtin shtetëror “Njomzat” në Shkodër, ka zbuluar skandalin tjetër, që bëhet me ushqimin e fëmijëve në këtë kopsht.
Sipas faturave të vëna në dispozicion nga drejtoria e kopshtit, për një javë ishin blerë 6 kg mish dhe djathë që do t’u servirej fëmijëve, por kur gazetarët kanë verifikuar gjendjen faktike të ushqimeve të deklaruara në faturë, kanë konstatuar se në këtë kopsht, 150 fëmijëve që e frekuentojnë, iu serviren vetëm makarona dhe oriz.
Pra, në kopshtet shtetërore nuk mjafton që fëmijët dhunohen dhe trajtohen në mënyrë çnjerëzore nga edukatoret, por lihen edhe pa ngrënë.
Por Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve në Bashkinë e Shkodrës nuk denjon të ushtrojë kontroll mbi institucionet që ka në varësi, e aq më pak të ushtojë kontroll mbi përfituesit e tenderit të ushqimeve në çerdhe e kopshte, për të parë nëse ata i përmbushin detyrimet e tyre kontraktuale.
Madje, Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve në bashkinë e Shkodrës, nuk ka denjuar të nisë as psikologen për vlerësimin e gjendjes psikologjike të fëmijës, dhe pse nëna kishte denoncuar në drejtori dhunën ndaj fëmijës së saj, mbi 2 javë përpara.
Mënyra kriminale e qeverisjes së Rilindjes, i shtrin efektet e saj edhe në qeverisjen vendore, ku nuk kursen as fëmijët.
Kjo tregon se si janë katandisur bashkitë e vendit, në vatra patronazhistësh dhe jo institucione që japin shërbime për qytetarët, prandaj këshilltarët e PL-së dhe të opozitës, do të denoncojnë çdo problem dhe do të ndjekin çdo çështje deri në fund, në mënyrë që bashkitë e marra peng nga Rilindja t’u rikthehen qytetarëve.