19 Mar Reagimi i Kryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare pas deklaratave të ish-Kryeministrit
Spartak Braho: Berisha ka detyrim ligjor të dëshmojë në Prokurori, jo shkallëve
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, z. Spartak Braho në një prononcim për mediat i kërkoi deputetit Sali Berisha që të dëshmojë në Prokurori në lidhje me çështjen “Doshi” dhe jo të lëshojë akuza shkallëve të selisë së PD-së. Z. Spartak Braho i kujton z. Berisha se fshehja e informacioneve përbën një vepër penale.
“Sali Berisha ka detyrim ligjor të dëshmojë në Prokurori, jo shkallëve. Berisha duhet ta dijë që pasja dijeni dhe fshehja dënohen”, theksoi z. Braho.
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare i kërkoi Prokurorisë që të administrojë deklaratat e bëra nga z. Berisha dhe të punojë për zbardhjen e çështjes.
“Prokuroria menjëherë të administrojë deklaratat e Sali Berishës për zbardhjen e çështjes. Doktori të ruajë qetësinë, pasi të enjten kam surpriza për të në Kuvend”, tha z. Spartak Braho, Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.