16 Nov Rama-Politika të lerë zhargonet, të bashkëpunojë për interesat e vendit
Mirëdita të gjithëve! Më lejoni që në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim të shpreh keqardhje dhe indinjatë për gjuhën e rëndë dhe për zhargonin vulgar të përdorur dje gjatë seancës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit të Shqipërisë, çka për fat të keq dëshmon sërish se standardi i reflektimit me përgjegjshmëri dhe në përputhje me frymën që kërkon i gjithë procesi i integrimit evropian lë për të dëshiruar. Lëvizja Socialiste për Integrim distancohet nga sjellje të tilla që nuk kanë asgjë të përbashkët me etikën parlamentare, me etikën qytetare dhe me frymën evropiane të partneritetit midis faktorësh dhe aktorësh të rëndësishëm politikë në jetën parlamentare. Jemi në një moment të rëndësishëm, jemi në një moment historik, jo thjesht dhe vetëm nga fakti se jemi në vigjilje të 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë por edhe prej detyrimit që lidhet me angazhime prioritare dhe të rëndësishme që ka marrë Shqipëria në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ne, politika shqiptare duhet të distancohet, duhet të lërë mënjanë gjuhën e vjetër, mentalitetin e vjetër dhe të shfaqet me përgjegjshmëri të plotë në përputhje edhe me mesazhet që vijnë nga partnerët tanë ndërkombëtarë, me mesazhet që vijnë nga Bashkimi Europian, me mesazhet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar që pret nga Shqipëria, dhe në mënyrë të veçantë nga klasa politike sjellje, qëndrime dhe veprime dinjitoze në përputhje me interesat europiane të vendit. Është padyshim e rëndësishme dhe shumë bukur që Kuvendi i Shqipërisë duartroket Sekretaren e Shtetit, znj. Clinton, kur flet në sallën e Kuvendit por vetëm duartrokitja nuk mjafton.
Duhet të reflektojmë me shumë përgjegjshmëri nën frymën e mesazheve të rëndësishme që kemi marrë dhe është padyshim jashtë etikës, jashtë traditës, jashtë trendit evropian të zhvillimeve shqiptare që sapo znj. Clinton ikën nga Shqipëria të rikthehemi tek gjuha e vjetër, tek fyerjet, tek zhargoni dhe tek mungesa e etikës më elementare parlamentare ndërkohë që flasim për partneritet, ndërkohë që flasim për mundësi konsensusi, bashkëpunimi dhe që palët, pavarësisht në opozitë apo në mazhorancë, të gjejnë pikat e takimit, të gjejnë të përbashkëtat që i kontribuojnë procesit të integrimit evropian të vendit. Prandaj edhe një herë, me shumë përgjegjshmëri, i ftoj të gjithë aktorët politikë në vend.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim i apeloj të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve në sallën e Kuvendit të ngrihen në nivelin e përgjegjësive të mandatit që përfaqësojnë, të ngrihen në nivelin e misionit të rëndësishëm që kanë që t’i kontribuojnë krijimit të një klime politike bashkëpunimi dhe partneriteti jashtë çdo paragjykimi dhe larg zhargoneve, fyerjeve, shpifjeve apo gjuhës që nuk ka asgjë të përbashkët me standardet e sjelljes evropiane. Europa nuk është vetëm një bashkësi apo institucioni ku ne duam të integrohemi. Europa para së gjithash është standard, standard qytetarie, standard etik, është standard përgjegjshmërie për të punuar në raport dhe në përputhje me interesat e qytetarëve. Shqipëria evropiane ka nevojë për sjellje evropiane edhe të politikanë të saj.