Rama: I kërkoj qeverisë shqiptare të formojë sa më shpejt komisionin shtetëror për të programuar dhe për të përgatitur kremtimet e 70-vjetorit

Rama: I kërkoj qeverisë shqiptare të formojë sa më shpejt komisionin shtetëror për të programuar dhe për të përgatitur kremtimet e 70-vjetorit

LuanRama01.04.2014

Konferenca për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama

Luan Rama: 70-vjetori i Çlirimit të Atdheut meriton nderim vëmendje dhe respekt të veçantë

Rama: Kanë kaluar 2 muaj dhe ende asnjë reagim pozitiv nga ana e qeverisë për të kuptuar të gjithë se çfarë do të bëjë Shqipëria në 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.

Rama: Në themelet e Evropës së sotme qëndron vlera, sakrifica dhe heroizmi antifashist i popujve të saj, ku Shqipëria ka vendin e saj të nderit

“Më lejoni që nga kjo konferencë shtypi të sjell në vëmendjen tuaj, që gati dy muaj më parë kam dalë këtu në emër të LSI-së në emër të grupit të saj parlamentar, por edhe në emër të interesit qytetar dhe në mënyrë të veçantë në respekt të sakrificës sublime të të gjithë atyre që dhanë jetën në luftën për çlirimin e atdheut 70 vjet më parë dhe në respekt të sakrificës së të gjithë veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare dhe familjeve të tyre, t’i kujtoj qeverisë dhe të ndihmoj qeverinë gjithashtu që 70-vjetori i Çlirimit të Atdheut meriton nderim vëmendje dhe respekt të veçantë.

Kanë kaluar 2 muaj dhe ende asgjë të paktën qoftë dhe formalisht ende asnjë reagim pozitiv nga ana e qeverisë për të kuptuar të gjithë se çfarë do të bëjë Shqipëria në 70-vjetorin e çlirimit të atdheut.

Natyrisht Shqipëria antifashiste dhe Shqipëria pjesëtare e koalicionit të madh që fitoi në Luftën e Dytë Botërore është padyshim meritë në radhë të parë e gjakut të Dëshmorëve të Atdheut, e sakrificës së tyre sublime dhe e heroizmit dhe sakrificës së të gjithë popullit shqiptar që u bashkua me luftën antifashiste pa asnjë rezervë, por duke u bërë ndër popujt kontributorë me sakrifica shumë më tepër se sa shumë vende të tjera, që edhe pse nuk e kanë këtë meritë përpiqen ta shesin veten si pjesë të koalicionit antifashist botëror.

Prandaj kjo indiferencë, kjo neglizhencë është e patolerueshme ndaj jam këtu sot që sërish në emër të LSI-së, në emër të deputetëve të saj, të anëtarëve dhe të militantëve të saj, në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë, që e ndjejnë veten të nderuar dhe të respektuar prej historisë së tyre antifashiste, i kërkoj qeverisë shqiptare të formojë sa më shpejt komisionin shtetëror për të programuar dhe për të përgatitur kremtimet e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut.

Ky komision duhet të jetë padyshim gjithëpërfshirës në radhë të parë, duke bërë pjesë të tij të gjithë ata që fatmirësisht jetojnë sot dhe që kanë qenë pjesëtarë të formacioneve partizane, kontributorë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare si edhe të gjithë intelektualët, grupet e interesit, përfaqësues të botës akademike dhe shkencore me qëllim, që përgatitjet e kremtimit të 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut të jenë të denja për një shtet demokratik, antifashist, modern dhe evropian.

Më lejoni t’iu kujtoj, jo për të bërë propagandë, por sepse kështu është e vërteta, që në themelet e Evropës së sotme, të asaj Evrope ku ne duam të bëhemi pjesë qëndron vlera antifashiste, sakrifica antifashiste dhe heroizmi antifashist i popujve të saj, ku Shqipëria ka vendin e saj të nderit.

Është shumë mirë dhe unë e përshëndes aktin human dhe simbolik të restaurimit apo rikonstruktimit të zyrave apo të selisë së ish-të përndjekurve politike, që në një farë mënyre janë veteranët e persekutimit të sistemit totalitar, por është e pafalshme që ende nuk ka asnjë shenjë për rikonstruktimin, rregullimin, restaurimin e Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë dhe të të gjitha monumenteve, shenjave të kujtesës historike, që sjellin edhe në ditët e sotme madhështinë dhe lavdinë e heroizmin partizan.

Prandaj nga pozita krejt luajale dhe partneriteti e ftoj në mënyrë të veçantë Kryeministrin të mbledhë, të organizojë, të formësojë menjëherë komisionin shtetëror mundësisht brenda 15 prillit për t’i dhënë kohës vetes, pra qeverisë, por edhe të gjithë shoqërisë shqiptare të bëhet pjesë e angazhimit dhe e kontributit për të festuar dhe përkujtuar me madhështi këtë datë lavdishme, sepse Çlirimi i Atdheut dhe shpallja e Pavarësisë janë dy ngjarje më të lavdishme, më të ndriturat të historisë së Shqipërisë, që prej epokës së Skënderbeut.

Nga ky këndvështrim dhe nga kjo pamje e vlerave të kësaj ngjarjeje të madhe duhet të orientohet i gjithë angazhimi shtetëror publik dhe qytetar për të kremtuar ashtu siç e meriton 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut dhe për të nderuar ashtu siç e meriton gjakun dhe sakrificat e partizanëve dhe të Dëshmorëve të Atdheut.
Pyetje nga gazetarët

Z. Rama, ju thatë se keni bërë publikisht kërkesë para dy muajve. A ka pasur negociata mes koalicionit për këtë çështje dhe përse ende nuk ka një përgjigje?

Pikërisht jam këtu për të kërkuar përgjigjen në kuptimin e reagimit pozitiv dhe të veprimit konkret dhe jo përgjigje formale. Më lejoni të plotësoj përgjigjen për të shuar, jo vetëm kureshtjen tuaj, por edhe vëmendjen e qytetarëve, që dalja ime përpara dy muajsh ka qenë kërkesë zyrtare publike në emër të LSI-së, por e thashë dhe po e ripërsëris edhe në emër të të gjithë atyre që nderojnë dhe ndjehen krenarë me Luftën Nacional Çlirimtare, që qeveria shqiptare të programojë gjithçka duhet për të kremtuar me madhështi 70-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.

Natyrisht nëse ndokujt i ka mbetur ende ora te Ekrem Bej Vlora apo te koha e qeverisë kuislinge, kjo nuk është çështje e LSI-së. Ne gjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur kontakte të vazhdueshme në mënyrë të veçantë me organizatat e veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare me organizatat që përfaqësojnë familjet e dëshmorëve dhe bashkë me ta kemi përgatitur një draft të detajuar të cilën do t’ia vëmë në dispozicion komisionin shtetëror sapo të krijohet dhe nëse nuk do të krijohet ne do të ndërmarrim edhe nisma të tjera korrekte ligjërisht dhe transparente publikisht për ta ndihmuar qeverinë të kuptojë se nderimi i 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut nuk është respekt dhe nderim vetëm për 1 milion votat që ka marrë kjo mazhorancë, por është respekt dhe nderim për çdo shqiptar që jeton në Shqipëri, për çdo shqiptar që jeton në çdo vend tjetër të botës dhe që ndjehet krenar për vlerat antifashiste, të cilat kultivoi Shqipëria në një kohë të vështirë dhe për të cilat sakrifikoi Shqipëria më shumë se sa shumë vende të tjera të Evropës në raport me kushtet e saj me popullsinë dhe me territorin.

Pikërisht, sot është mbushur plot një vit nga krijimi i koalicionit LSI- PS. Si e vlerësoni këtë marrëdhënie me PS-në dhe si ka qenë ky vit?

Është një vit punësh ndryshimesh rezultatesh dhe mbi të gjitha një vit ringjalljeje, shprese dhe besimi për një Shqipëri më të mirë. Për një Shqipëri që ëndërruan edhe ata që dhanë jetën 70 vjet më parë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.