Ralf Gjoni: Personalizimi i konfliktit po i prish imazhin vendit

Ralf Gjoni: Personalizimi i konfliktit po i prish imazhin vendit

ralfgjoni07022013Kokëfortësitë infantile po bllokojnë zhvillimin ekonomik të vendit.
Të kënaqur që propozimi i LSI për tatim-fitimin deri 30,000 lekë u pranua nga Qeveria.

Në një intervistë për ATSH, Sekretari Ndërkombëtar i LSI Ralf Gjoni shprehet mbi qëndrimin politik të LSI mbi konfliktin aktual, integrimin evropian, platformën për zgjedhjet dhe zhvillimet në rajon. Ralf Gjoni u shpreh se LSI është e qartë dhe e sinqertë në qëndrimin e saj larg konflikteve politike që kanë bllokuar zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij evropian. Gjoni shprehet se LSI do të vlerësohet për këtë pozitivitet nga vota e 23 qershorit dhe se kjo forcë politike do të ketë platformën dhe identitetin e saj të veçantë nga partitë e tjera. Ai shprehet se LSI është për bashkëpunim politik dhe jo konflikte të personalizuara që po i prishin imazhin vendit dhe po bllokojnë zhvillimin ekonomik të vendit. “LSI do të bashkëpunojë me të gjitha ato forca politike që duan t’i shërbejnë konstruktivitetit dhe procesit të integrimit evropian të vendit” – tha Ralf Gjoni.

1 – Cili është pozicioni i LSI-së në realitetin aktual të marrëdhënieve pozitë-opozitë?

Ralf Gjoni – Pozicioni ynë si Lëvizje Socialiste për Integrim është shumë i qartë, shumë i sinqertë dhe tepër pragmatik. Ne besojmë se çdo hap që hedh politika duhet të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik e social të vendit dhe në shërbim të procesit të integrimit evropian. Të dyja këto aspekte janë të ndërlidhura ngushtë sepse pa zhvillim të standarteve nuk mund të ketë integrim evropian, dhe pa procesin e integrimit, rruga e zhvillimit të vendit ne të gjitha aspektet është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur në këtë kontekst politik. Dhe në këtë spektër kaq të polarizuar politik, ku mbizotëron konflikti dhe personalizimi i debatit, nuk mund të ketë as zhvillim dhe as integrim evropian. Ne kemi qenë shumë të qartë përgjatë pjesëmarrjes sonë në qeverisje se Shqipëria ka nevojë për përgjegjshmëri politike dhe për përqendrim në debate konkrete që ndihmojnë zhvillimin e vendit, jo për retorikën e panevojshme të konfliktit apo të akuzave të ndërsjellta të cilat sjellin vetëm bllokim, i prishin imazhin Shqipërisë dhe penalizojnë klimën e biznesit dhe qytetarët që presin rezultate konkrete. Në terma konkretë, për shkak të kokëfortësive infantile, klasa politike shqiptare e refuzoi statusin e kandidatit, duke bllokuar kështu edhe prospektin e zhvillimeve pozitive në vend. Për këtë arsye, LSI është për bashkëpunim dhe qëndron jashtë konflikteve false, dhe jam i bindur se qytetarët do dinë ta vlerësojnë pozitivitetin tonë me votën e tyre në 23 qershor.

2 – Cilat janë pikat më të forta të platformës së LSI-së, me të cilat synoni të arrini rezultate të larta në zgjedhje?

Ralf Gjoni – LSI është në fazën përmbyllëse të hartimit të programit elektoral, i cili do të përqendrohet tek punësimi dhe zhbllokimi i situatës ekonomike në vend, për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve. Punësimi është kryefjala jonë, sepse lidhet me ekonominë e çdo familjeje dhe prosperitetin e shqiptarëve. Cdo iniciative tjetër, duke nisur nga arsimi, trajnimi profesional, legjislacioni dhe politikëbërja duhet të jenë në funksion të punësimit, veçanërisht mundësive profesionale që krijohen për të rinjtë. Në këtë drejtim, disa arritje pozitive ekzistojnë gjatë këtyre viteve të bashkëqeverisjes sonë, falë pranisë së LSI në vendimmarrje. Psh, jemi shumë të kënaqur që Qeveria ka pranuar propozimin tonë për rritjen e kuotës minimale të taksuar, duke përjashtuar nga tatim-fitimi të gjithë punonjësit që marrin rrogë mujore deri në 30,000 lekë. Gjithashtu ka arritje të dukshme dhe të prekshme edhe në sistemin e shëndetësisë, ku pavarësisht kufijve buxhetorë po punohet me seriozitet të madh. Por, ne jemi të mendimit që më shumë duhet bërë dhe se duhet ecur me ritëm më të shpejtë. Ndaj dhe LSI do të ketë programin e saj me propozime konkrete që do të prezantohen gjatë fushatës.

3 – A ka filluar të trajtohet në LSI faza e aleancave paszgjedhore?

Ralf Gjoni – Aleancat paszgjedhore nuk vendosen nga LSI por nga rezultati i zgjedhjeve. LSI do të shkojë në zgjedhje me platformën e saj të veçantë dhe me identitetin specifik që ka krijuar tek elektorati, pra si një parti e qendrës së majtë që beson në bashkëpunimin politik dhe në inicativa konkrete në interes të klimës së biznesit. Ne kemi ditur të bashkëpunojmë edhe më PS në të kaluarën, por edhe me PD aktualisht, dhe në të ardhmen do vazhdojmë të reflektojmë të njëjtën frymë, atë të bashkëpunimit me të gjitha ato forca politike që duan t’i shërbejnë konstruktivitetit dhe procesit të integrimit evropian të vendit.

4 – Kur dhe si mendoni se mund të kapërcehet pengesa në rrugën e integrimit, miratimi i tre ligjeve?

Ralf Gjoni – Atëhere kur PS dhe PD të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të shkojnë në parlament t’i votojnë ato tre ligje që duhet të ishin votuar që në Shtator. Këto parti politike kanë treguar se dinë të bashkëpunojnë më njëra tjetrën kur bëhët fjalë për interesat e tyre elektorale. Tani është koha t’a bëjnë këtë edhe për interesat madhore të vendit. Ne kemi bërë thirrje vazhdimisht që na u dha shansi për statusin në vjeshtë, dhe për fajin tonë, Shqipëria ngeli në klasë, për të tretën herë radhazi. Vlerësoj këtu vullnetin pozitiv të Komisionit Evropian dhe vëmendjen që i kushtohet Shqipërisë, dhe besoj se ende ka kohë që ti votojmë tre ligjet dhe të sigurojmë statusin e vendit kandidat në BE, para zgjedhjeve. Kjo do të ndihmonte edhe në mbarëvajtjen e një klime më pozitive e më bashkëpunuese për procesin e administrimit të zgjedhjeve.

5 – Si e gjykoni situatën në rajon, kryesisht raportet Kosovë-Serbi?

Ralf Gjoni – LSI është një parti me përqasje tepër konstruktive rajonale dhe në politikën e jashtme të Shqipërisë. Ashtu sic mbrojmë interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Maqedoni apo gjetkë, po ashtu mbështesim fort avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si një proces jetik për normalizimin e marrëdhënieve jo vetëm mes dy vendeve, por edhe për krijimin e një klime më pozitive në të gjithë rajonin. Siç është rasti në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë, ku konflikti bllokon ecurinë e vendit, ne besojmë se edhe në planin rajonal, zhvillimi i dialogut dhe bashkëpunimit, heqja e barrierave dhe largimi nga emocionet historike, do të hapte arteriet e zhvillimit ekonomik, në shërbim të qytetarëve të vendeve tona, dhe veçanërisht për rritjen e mirëqenies dhe standarteve të jetesës së mninoriteteve si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Ndaj ndryshe nga disa elementë politikë pseudo-nacionalistë, ne i qëndrojmë fort tezës sonë të konstruktivitetit dhe bashkëpunimit.