Prononcimi për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili:

Prononcimi për mediat i Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili:

PetritVasili01.07.2014

Z. Vasili jemi në prag të votimit të reformës-territoriale. Cili është qëndrimi i LSI-së, kë variant mbështesni?

Sigurisht që qëndrimi ynë nuk është një qëndrim i shkëputur nga qëndrimi i mazhorancës, pra është një qëndrim në sinkron me mazhorancën dhe ka qenë ai qëndrim që është përcjellë me votën unanime të Komisionit të Reformës Territoriale – Administrative që është përcjellë nga ju kohë më parë dhe ka qenë një variant i ndërmjetëm 39 dhe 47 njësive të reja vendore.

 

Varianti i cili u zgjodh mes 5 varianteve të propozuara, por gjithsesi është hedhur për diskutim dhe është çuar në të gjitha njësitë vendore të Shqipërisë që ato të shprehen dhe të japin opinionet e tyre.

Ashtu sikurse edhe Kushtetuta e kërkon aty dhe ku ky komunikim ka qenë intensiv.

Ndërkohë, kemi qenë në komunikim edhe me të gjithë aktorët e tjerë të interesit në mënyrë që ky diskutim të jetë sa më i gjerë dhe sa më ezaurues.

Z. Vasili cili është varianti që do të mbështesni ju, apo thjesht edhe ai variant që do të bini dakord edhe me opozitën?

Ju thashë edhe një herë- tjetër që ne kemi qëndrim në sinkron të plotë me qëndrimin e mazhorancës.

Pra, mazhoranca LSI-PS ka një qëndrim të unifikuar për variantin.

Ne jemi akoma të hapur për të dëgjuar dhe ju e keni parë që ne kemi qenë edhe pjesëmarrës në aktivitetet e organizuara nga opozita.

Cili do të jetë varianti alternativ që opozita do të paraqesë sepse ka premtuar që të paraqes një të tillë? Po presim që ta shohim me shumë dashamirësi sepse së paku do të kemi mundësi të flasim mbi gjëra konkrete, por ne nuk e dimë se cili do të jetë varianti alternativ që opozita ka përgatitur.

Ju ishit pjesë e konferencës së përgatitur nga PD dhe nga shoqëria civile.

A është LSI pro një reforme administrative e cila shoqërohet dhe me decentralizim dhe me pavarësinë e pushtetit vendor?
Opozita thotë që duhet një reformë territoriale që të mbështetet edhe me decentralizim të plotë të pushtetit vendor?

Çështja qëndron kështu. E tërë mazhoranca dhe këtu nuk është momenti, vendi apo rasti i duhur për të folur për qëndrime të shkëputura, sepse e gjithë mazhoranca është në sinkron të plotë për këtë çështje.

Pra LSS dhe PS kanë bindjen e plotë, një bindje që po formësohet dhe do të konkludohet brenda muajit korrik për të pasur një ndarje të re administrative.

Gjë që jo vetëm që nuk pengon, por i hap rrugën edhe reformës së decentralizimit e cila në mënyrë të natyrshme do të pasojë këtë hap të parë.

Gjithë kushtëzimi që njëra duhet t’i bëjë tjetrës, është një kushtëzim jo normal, sepse njëra i hap rrugën tjetrës. Sigurisht që reformë decentralizuese me ndarjen e vjetër nuk do të kishte ndonjë sens të madh, sepse fragmentimi nuk do ta bënte prapë më efektive, ndërsa një reformë decentralizuese që pason një reformë territoriale, është kjo rruga logjike ku do të ecte reforma.

Në mënyrë shumë logjike, ne mbështesim si mazhorancë rrugën që mbarojmë dhe përfundojmë reformën territoriale në muajin korrik dhe në sesionin e ardhshëm të vjeshtës të futemi me ritëm shumë të shpejtë për të ndërtuar një ligj të ri lidhur dhe me thellimin e kompetencave të reja decentralizuese, të cilat natyrshëm do të ishin kostumi i duhur për një reformë territoriale kaq të thellë si ko që ne po projektojmë të zhvillojmë.

Ka zëra që ka negociata midis mazhorancës dhe opozitës. A mund të na e konfirmoni nëse ka negociata dhe sa është e mundur që të kemi një reformë territoriale konsensuale deri në fund të korrikut?

Hapi i parë dhe që është në sytë e shqiptarëve, sepse nuk jam këtu për të komentuar zërat, është që ne të tregojmë hapje.

Pra për ta çliruar ngërçin duke dhënë edhe në këtë rast një shembull të ri pozitiv si mazhorancë, pasi ka dhënë ndarjen në mënyrë të barabartë të komisioneve të reformës administrative, një shans i cili nuk u përdor nga opozita.

Pavarësisht nga mospjesëmarrja e opozitës në asnjë nga aktivitetet dhe dëgjesat, ne treguam gatishmëri për të marrë pjesë në aktivitetin e saj, ndonëse për të qenë objektiv, ata që relatuan janë dëgjuar nga komisioni i reformës administrative dhe territoriale.

Por ky ishte një demostrim i hapur dhe i sinqertë i yni që ne jemi të gatshëm, që s’kemi asnjë paragjykim që të dëgjojmë diçka pozitive dhe të ripërsëritur, sepse në fund të fundit, bën rrugë një ide pozitive për të ecur përpara, pra në një hulli komunikimi, bashkëpunimi dhe bashkëndarje të përgjegjësive.

Sigurisht që të eci më përpara dhe më shpejt në këtë rrugë bashkëpunimi, i përket gjithmonë opozitës dhe i gjithë ky komunikim bëhet në sytë tuaj për të dhënë të kuptohet që nuk kemi asnjë reformë okulte për të bërë apo interes politik për të mbrojtur.

Duam një Shqipëri të ndarë më mirë që të qeveriset më mirë.

Ne vlerësojmë se ky është interes edhe i mazhorancës edhe i opozitës.

Cilado qofshin mazhorancat e së ardhmes, sepse Shqipëria duhet të jetë me një qeverisje efektive dhe kjo është edhe sfida dhe preokupacioni i të tërëve.

Në këtë pikëpamje, ne nuk kemi nevojë që të komentojmë zëra, sepse demonstrimi ynë është i drejtpërdrejtë, është në sytë tuaj sikurse ishte të premten e shkuar në sallën e Akademisë së Arteve.

Keni patur një reagim nga komuniteti në Himarë, por dhe nga Omonia që nëse do të jetë ai propozim që është bërë, do të ketë edhe një referendum nëse Himara bashkohet me disa komuna të tjera.

Si ju duket ky reagim kaq i fortë për të shkuar edhe me një referendum?

Nuk jam njohur me këtë prononcim që ju më referoni. Kështu që nuk di as mënyrën se si është ndërtuar ky prononcim që thoni dhe as me përmbajtjen e tij.

Kështu që e kam të pamundur ta komentoj një gjë të tillë. Di që edhe në Himarë është zhvilluar një takim i gjerë nga Ministri Çuçi për të diskutuar dhe ezauruar gjithë problematikat që kanë të bëjnë me ndarjen e re territoriale dhe me sa mbaj mend është përcjellë gjerësisht edhe nga mediat tuaja një takim i tillë.

Kështu që nuk kam as se çfarë t’i shtoj dhe as se çfarë t’i heq këtij komunikimi sepse ishte transparent edhe në sytë e publikut.