12 Mar Prononcimi i Kryetarit të LSI-së, z. Meta pas takimit me përfaqësuesit e Misionit të ODIHR-it për vlerësimin e nevojave përpara zgjedhjeve të 23 qershorit
Z. Meta cilat janë pritshmëritë e ODIHR-it lidhur me procesin zgjedhor dhe çfarë garancish keni dhënë ju si forcë në qeverisje?
Ne mirëpresim angazhimin e ODIHR-it dhe vlerësuam të gjithë punën që është bërë dhe që synon ODIHR-i të realizojë në të ardhmen, në bashkëpunim me të gjitha autoritetet shqiptare, për të garantuar një transparencë maksimale të vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve përpara, gjatë dhe pas ditës së votimit. Ne nënvizuam angazhimin maksimal të Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhje të standardeve më të larta evropiane më 23 qershor, sepse janë të gjitha mundësitë. Njëkohësisht nënvizuam besimin tonë se përfaqësuesit tanë, të cilët janë në të gjitha nivelet e procesit të administrimit zgjedhor, do të sillen gjithmonë në mënyrë konstruktive, bashkëpunuese dhe në respekt të zbatimit të ligjit. Nënvizuam gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë forcave politike, pavarësisht programeve, dallimeve dhe qëllimeve të tyre elektorale për të garantuar një klimë pozitive për sa i takon mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Njëkohësisht edhe nxitjen që të gjitha partitë, sidomos ato të cilat kanë përgjegjësitë e përfaqësimit në të gjithë piramidën e administrimit të zgjedhjeve, që përfaqësuesit e tyre të shkëputen nga interesat e politikës së ditës dhe t’i shërbejnë bashkëpunimit në zbatim të ligjit dhe të kodit konsensual.
Si e keni pritur edhe propozimin e Kryeministrit Berisha, kryetarit të mazhorancës, për të ndryshuar kodin zgjedhor dhe Kushtetutën lidhur me mundësinë për t’i dhënë të drejtën 16-vjeçarëve për të votuar? A është ky momenti dhe a duhet të votojnë?
Lëvizja Socialiste për Integrim mendon se 16 vjeçarët e meritojnë të votojnë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për arsyen sepse ata kanë të gjithë informacionin e duhur për të bërë dhe vlerësimin dhe gjykimin e duhur. Ju e dini se LSI është e para forcë politike që ka ndryshuar statutin për tu dhënë mundësi 16 vjeçarëve që të kenë të drejtë të barabartë të votës brenda kësaj force politike. Natyrisht që është një çështje konsensusi e të gjithë palëve për të realizuar këtë gjë. Megjithatë unë jam i bindur se edhe nëse ky konsensus nuk do të gjendet për momentin, që uroj të gjendet, patjetër që në të ardhmen 16 vjeçarët do të kenë një rol më të madh se sa deri më sot.
Ditën e djeshme ju keni qenë në Korçë dhe keni deklaruar atje se Korça është një ndër qytetet që po përjeton vështirësitë ekonomike më të mëdha në vend. Pra, jeni dakord edhe me vlerësimin e z. Rama që Shqipëria ka 1 milion të papunë.
Në rast se z. Rama do ta besonte se Shqipëria ka një milion të papunë jam i bindur se në programin e tij do të vendoste objektin për të hapur një milion vende të reja pune në katër vitet që vijnë. Por, përsa i takon Korçës, ka disa specifika të cilat e kanë vështirësuar dhe rënduar çështjen e punësimit dhe gjithë problemet sociale sepse Korça ka qenë një qendër e rëndësishme e biznesit fason në të kaluarën, por për shkak të krizës mjaft të madhe që po përjeton Greqia, edhe Korça dihet që është qyteti më i rëndësishëm kufitar me Greqinë, shumë biznese të cilat punonin për llogari të tregut grek apo përmes Greqisë në vendet e tjera janë mbyllur dhe ndryshe nga shumë zona të tjera të Shqipërisë, sidomos qyteteve dhe zonave bregdetare ku janë shtuar vendet e reja të punës në këtë aktivitet, në këtë biznes, atje ka një specifikë tjetër që kërkon edhe politika të tjera për të kompensuar dhe lehtësuar këto probleme.
Z. Meta po përflitet shumë se cilët do të jenë kandidatët për deputetë të socialistëve dhe demokratëve. Ku është LSI-ja në këtë proces dhe a ka një udhëzim nga ana e strukturave të kësaj partie lidhur me bashkëpunimet me forca të ndryshme politike edhe në terren, meqë jemi edhe në prag të një konfirmimi të aleancës parazgjedhore?
Përsa i takon orientimit të votuesve, të gjithë e dimë se nuk votohet për koalicionet sipas Kodit tonë, votohet për subjektin. Pra, është vetëm një votë dhe kjo është vetëm për subjektin, pavarësisht koalicionit ku ndodhet. Ne jemi të bindur që të gjithë votuesit tanë janë të orientuar drejt në këtë proces. Ndërsa, përsa i takon bashkëpunimit ne mendojmë se ky duhet shtrirë në të gjitha nivelet dhe bashkëpunimi më i mirë që duhet të realizojmë sot është ai për integrimin evropian, për votimin e tre ligjeve në Parlament dhe së dyti, për një klimë sa më pozitive dhe mirëbesuese përsa i takon procesit të zgjedhjeve, gjë që do të ishte në interesin e rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në këto zgjedhje. Po kështu edhe për të mos cenuar padrejtësisht standardet e tyre që duhet të jenë më të lartat, jo të arritura ndonjëherë por më të lartat në Europë.
Kryeministri Berisha, në konferencën për shtyp, duke u vënë edhe në pozicionin tuaj në një farë mënyre, deklaroi se si kryetar i LSI-së ai do të zgjidhte midis një partneri luajal dhe një njeriu të pabesë, duke e cilësuar kështu kryetarin e opozitës. Ju jeni akoma të vendosur të qëndroni akoma në këtë maxhorancë?
Qëndrimi ynë ka qenë bërë i njohur në mënyrë të qëndrueshme dhe ne do të respektojmë çdo marrëveshje. Ajo që është më e rëndësishme dhe emergjente sot është miratimi i tre ligjeve dhe vendosja e një bashkëpunimi imediat që kjo gjë te realizohet në Parlament, pasi përndryshe çështja e marrjes së statusit të vendit kandidat mund të shtyhet për në kalendat greke.