Prononcim për shtyp i kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

Prononcim për shtyp i kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, z. Petrit Vasili

PetriVasili 19.02.2015

Zoti Vasili dje opozita ka kërkuar futjen menjëherë në Parlament të kërkesës së saj për ngritjen e komisionit për dekriminalizimit. Ju jeni edhe një nga firmëtarët e kësaj rezolute. Kur do të nis puna pasi është një proces që duhet të kishte nisur në janar dhe duhet të përfundojë në 30 qershor?

Po ne nëpërmjet rezolutës kemi shprehur vullnetin dhe gatishmërinë tonë. Sigurisht qartësimi i modaliteteve është një moment i përshtatshëm për të diskutuar në mënyrë konkrete për çështjen. Kështu që nuk ka pasur asnjë lloj kundërshtie, as parimore, po as edhe të shprehjes së vullnetin, sepse tashmë kjo është një çështje e bërë publike nëpërmjet një impenjimi të përbashkët politik.

Kështu që nuk shoh asnjë arsye, as për një përplasje politike, as për një debat politik. Janë instrumentet të cilat me t’u vënë në lëvizje do ta kenë predispozicionin e mazhorancës i cili tashmë është një predispozicion i shprehur.

Kështu që nuk gjej ndonjë arsye as për ngut, dhe as për një polemikë të panevojshme në këtë rast. Sapo kjo çështje të ulet, ne detyrimisht vullnetin e shprehur do ta materializojmë jo vetëm me gatishmërinë tonë tashmë publike, por dhe me ecjen përpara të saj, por sigurisht nëpërmjet instrumenteve të qarta dhe transparente, të cilat nuk i bëjnë shërbim debatit politik, i cili mund të jetë një kënaqësi për opozitën, por dhënies së një zgjidhje, e cila është një zgjidhje që shkon përtej mazhorancës dhe opozitës, por për t’i dhënë kësaj çështje një përgjigje e cila do të jetë një përgjigje e vërtetë dhe e qëndrueshme në kohë.

Z.Vasali si përfaqësues i koalicionit, a do t’i kërkoni ju Kryeministrit mosbërjen e testimit ndaj mjekësve pasi ditët e fundit ka pasur protesta thuajse në të gjitha rrethet e vendit? Ata e kanë kundërshtuar dhe e kanë cilësuar denigrues testimin që priten t’i nënshtrohen në fund të këtij muaji dhe në fillim të marsit.

Lidhur me këtë çështje, unë personalisht kam shprehur jo në një rast të vetëm, por në disa raste, kundërshtinë time lidhur me paligjshmërinë e testimit, i cili është një problem i rëndësishëm sepse tronditin atë që quhet çështja e legalitetit, veprimeve që ndërmarrim dhe ky është një problem parimor.

Nuk besoj se në asnjë rast duhet të ndërmarrim veprime të cilat i kundërvihen legjislacionit në fuqi. Ndërsa përsa i takon procesit në pikëpamjen profesionale, sepse ky është thelbi i gjësë, me bërjen publike dhe të pyetjeve të testit, besoj që procesi ka rënë tashmë dhe me bërjen publik të këtyre pyetjeve.

Sepse pyetjet nuk kanë lidhje me profesionin e mjekësisë. Kanë lidhje, sigurisht janë pyetje interesante për njerëz të cilët nuk merren me mjekësi.

Sigurisht të tillë duhet të kenë qenë ata që i kanë përpiluar dhe kushdo që do t’i konsultonte do të kuptonte që janë pyetje, ndofta interesante për ju për t’u njohur me botën e mjekësisë, por nuk kanë lidhje me profesionist në radhë të parë të Qendrës Spitalore Universitare që do t’i nënshtrohet së pari, sepse pyetjet kanë edhe një dozë të lehtë humori brenda sepse janë pyetje dhe ju mund t’i ktheni përgjigjet e tyre. Sigurisht me shumë metaforë figurative, por me asnjë kuptim profesional.

Thënë gjithë kjo, zgjidhja e vetme besoj, inteligjente por dhe gjakftohtë do të ishte një tërheqje e menjëhershme lidhur me këtë çështje dhe ecja përpara dhe perfeksionimi gjithnjë e më shumë i sistemit të edukimit në vazhdim pikërisht për të përmirësuar performancën e punës së personalitetit mjekësor, por absolutisht vëniet e tij në kushtet e paligjshmërisë dhe pse jo, të një poshtërimi profesional sepse ky nivel, dhe i testit të propozuar, demonstronte edhe atë që ishte dyshimi ynë i fortë i kahershëm, që degradimi profesional do të udhëhiqte dhe jo më profesionalizmi.

Kështu që besoj që në një test të paligjshëm, tërheqja nga ai nuk është gjë tjetër veç se kthimi në normalitet dhe nuk ka lidhje me protestat. Protestat janë një reagim i fortë ndaj mospranimit, të refuzimit të dekualifikimit profesional sepse testi mund të konsiderohet jo një test kualifikues profesional, por një test dekualifikues profesional.

Pse mendoni se po e ndërmerr këtë iniciativë Ministri i Shëndetësisë?

Nuk mund të futem në hamendësime që ju pyesni me këtë rast. Unë kam detyrën të mbaj një pozicion në radhë të parë profesional përpara se sa politik, sepse testi synon te profesionalizmi. Dhe përderisa e konsideroj edhe në rang profesional një test dekualifikues, pra që ul kualitetin profesional, hapi i vetëm dhe i pashmangshëm është tërheqja, largimi nga një praktikë e tillë sepse profesionistët e mjekësisë, në radhë të parë ata të mjekësisë elitare, sepse Qendra Spitalore është në nivel terciar dhe këtë nivel ka, kërkojnë të tjera prerogativa për të ecur përpara dhe jo kthime të rënda dhe të rëndësishme pas, të cilat përveçse demotivojnë personelin mjekësor, nuk bëjnë asgjë tjetër dhe njëkohësisht publikun e gjerë e vë në vështirësi që duhet të përballet me profesionistë të niveleve të ulët të cilët duhet t’u përgjigjen, sipas asaj që morëm vesh, testeve që mund të jenë shumë të dobishme edhe për ju si gazetarë, por jo për profesionistë të mjekësisë.

Keni ngritur disa herë çështjen e testimit të mjekëve. Ju jeni një parti në qeveri, a e keni ngritur shqetësimin edhe brenda mazhorancës dhe perse nuk kërkoni një interpelancë me Ministrin në Parlament?

Unë nuk kam ndonjë arsye që të kërkoj interpelancë në Parlament sepse shqetësimi im i bërë publik, por që nuk është thjesht publik, në mënyrë institucionale është kryer dhe në seancë dëgjimore që Komisioni i Shëndetësisë ka kryer, ku qartësisht dhe pa ekuivok është shprehur dhe nga grupet e profesionistëve, por dhe të atyre që kanë detyrë ligjore ta bëjnë këtë punë, që janë urdhrat përkatës, të cilët nuk e kanë mbështetur me shumë të drejtë.

Sepse ata nuk mbështesin dekualifikimin, por mbështesin kualifikimin. Ndaj besoj se rruga institucionale është konsumuar tërësisht. Sigurisht, vendimmarrësit kanë detyrë që të reflektojnë sepse kokëfortësia është një udhëheqës i keq në marrjen e vendimeve dhe jo një udhëheqës i mirë.

A është vetëm kjo njëra nga çështjet që ju keni pakënaqësi ndaj Ministrit të Shëndetësisë, apo ka dhe çështje të tjera?

Nuk kam asnjë lloj pakënaqësie, as ndaj Ministrit të Shëndetësisë dhe ndaj as kërrkujt. Kam vetëm preokupacionin e madh që mjekët dhe infermierët të bëjnë përpara dhe të mos detyrohen të kthehen pas me testime aprofesionale dhe antishkencore.