Prezantohet në Gjirokastër kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetare e bashkisë, znj. Zamira Rami

Prezantohet në Gjirokastër kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetare e bashkisë, znj. Zamira Rami

Gjirokastra.10.05.2015

Ilir Meta: Dua të shpreh besimin tim që Zamira do të dijë të vazhdojë të gjithë ato projekte të cilat do t’ia ndryshojnë krejtësisht pamjen Gjirokastrës

Meta: Zgjerimi i hapësirave të Gjirokastrës do t’i japë mundësi kryetares së re të bashkisë që të bëjë të gjitha ato politika që kanë qenë të pamundura të bëhen deri më tani

Meta: Çdo investim në Gjirokastër është plotësisht i merituar e i motivuar, sepse sjell një vlerë të shtuar jo vetëm për gjirokastritët, por sjell një vlerë të shtuar për të gjithë zhvillimin ekonomik të Gjirokastrës

Meta: Ne jemi krenarë si ‘Aleancë për Shqipërinë Europiane’ që kemi dhënë mbështetje maksimale promovimit të grave e të vajzave në detyra kaq të rëndësishme, duke treguar besimin që ne kemi tek aftësitë e tyre

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në prezantimin në qytetin e Gjirokastrës të kandidates së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetare të bashkisë, znj. Zamira Rami.

Të pranishëm në këtë prezantim përveç z. Meta ishin edhe Kryetari i PS-së, z. Edi Rama, Ministri z. Arben Ahmetaj, deputetët z. Anastas Angjeli, z. Vangjel Tavo, kryetari aktual i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime si dhe drejtues të strukturave lokale të LSI-së dhe të PS-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu mbështetjen më të fuqishme për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së re të Gjirokastrës, znj. Zamira Rami.

“Dua të shpreh besimin tim që Zamira do të dijë të vazhdojë të gjithë ato projekte të cilat do t’ia ndryshojnë krejtësisht pamjen Gjirokastrës në funksion të pasurimit të atyre vlerave të shkëlqyera të trashëgimisë kulturore dhe historike që ky qytet ka, por edhe në funksion të rritjes së standardit të jetesës dhe të mirëqenies të gjithë qytetarëve gjirokastritë”, – tha z. Meta.

Lideri i LSI-së vlerësoi potencialet e mëdha që ka Gjirokastra për t’u zhvilluar ekonomikisht.
“Pata kënaqësinë para disa ditësh të shikoja parkun e Viroit, një projekt tjetër i cili është në zhvillim e sipër dhe që do t’i japë një frymëmarrje, një hapësirë krejt tjetër gjithë bashkisë së re të Gjirokastrës e ambienteve të jashtëzakonshme të cilat do t’u shërbejnë gjithë gjeneratave, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit. Në këtë drejtim jam i bindur që zgjerimi i hapësirave të Gjirokastrës do t’i japë mundësi kryetares së re të bashkisë dhe këshillit të ri të bashkisë që të bëjnë të gjitha ato politika që kanë qenë të pamundura të bëhen deri më tani, pasi shtohen resurset, shtohen kapacitet dhe njëkohësisht sepse mbështetja e qeverisë dhe e Kryeministrit Rama, ka qenë e jashtëzakonshme dhe do të jetë akoma edhe më e fortë në të ardhmen.

Çdo investim në Gjirokastër është jo vetëm i vonuar në pikëpamjen e detyrimeve që të gjithë qeveritë kanë ndaj këtij qyteti, ndaj një braktisje që ka të bëjë me historinë tonë kombëtare, me kulturën tonë kombëtare, me trashëgiminë tonë kombëtare, por çdo investim këtu është plotësisht i merituar dhe i motivuar, i justifikuar, sepse sjell një vlerë të shtuar jo vetëm për gjirokastritët, por sjell një vlerë të shtuar për të gjithë zhvillimin ekonomik të Gjirokastrës”, tha z. Meta.

Kryetari i LSI-së tha se jo rastësisht Gjirokastra është destinacioni kryesor për të gjithë turistët që vizitojnë Shqipërinë dhe gjithnjë e më shumë po bëhen më e kërkuar.

Duke shprehur vlerësimin maksimal për kandidaturën e znj. Zamira Rami, Kryetari i LSI-së tha se “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ndihet krenare që i ka dhënë një mbështetje maksimale promovimit të grave dhe të vajzave në detyra kaq të rëndësishme.

“Unë e çmoj shumë Zamirën për atë eksperiencë bashkëpunimi që kam me të. Për arsye sepse është jashtëzakonisht sociale, jashtëzakonisht njerëzore edhe gjithmonë pozitive në marrëdhënie me të gjithë.

Por njëkohësisht Zamira është edhe shumë e saktë, duke qenë se ka qenë edhe pedagoge e shkencave të sakta, dhe jam i bindur se e tillë do të jetë edhe në të ardhmen dhe në detyrën që ju do ta mbështesni.

Elementi tjetër që dua të theksoj është që kjo mbështetje që ju do të jepnin për Zamirën është tregues i një emancipimi të gjerë të gjithë komunitetit tuaj të mrekullueshëm dhe qytetar.

Ne jemi krenar si ‘Aleancë për Shqipërinë Europiane’ që kemi dhënë një mbështetje maksimale promovimit të grave dhe të vajzave në detyra kaq të rëndësishme, duke treguar besimin që ne kemi tek aftësitë e tyre dhe tek ajo që ato mund të bëjnë për komunitetin.

Prandaj ju ftoj të gjithëve të votojmë për Zamira Ramin, sepse është një kandidate vërtet me shumë vlera, ashtu sikurse do të votojmë për ‘Aleancën për Shqipërinë Europiane’ sepse ne jemi një fuqi e madhe, jo thjesht për të fituar, por për të transformuar bashkitë tona dhe vendin tonë”, – theksoi z. Meta.

Kryetari i PS-së, z. Edi Rama tha se e majta ka të gjitha arsyet që të kërkojë dhe një mbështetje më të madhe se 23 qershori 2013, pasi me votën e dy viteve më parë, u krijua mundësia për fillimin e kthesës në drejtimin e duhur pas shumë vitesh braktisje, rrënim dhe izolim të Gjirokastrës.

“Ju jeni dëshmitarë si shembeshin shtëpitë dhe rrënoheshin rrugicat, sepse gjithë ato vite që Shqipëria u qeveris nga një qeveri armike dhe Gjirokasta mori peshën e një padrejtësie të madhe të pamerituar. Gjirokastra nuk është vetëm e gjirokastritëve, por e të gjithë shqiptarëve dhe më gjerë.

Prandaj projektin për rindërtimin e Gjirokastrës do t’i besojmë kandidates për kryetare bashkie, Zamira Rami.

Bashkia e re zgjerohet dhe hapet rruga e resurseve të reja ku qyteti dhe fshati janë një e ku edhe të gjithë ato burime të rëndësishme për bujqësinë e blegtorinë, kthehen në burime mirëqenie për të gjithë Gjirokastrën.

Para pak ditësh ne i dhamë jetë një projekti për Antigone, që do të thotë se ky është një shembull i thjesht që tregon se projektet qe kanë nisur në qendrat e qyteteve do të shtrihen në të gjithë vendin, sepse këto projekte lindën nga reforma historike administrative territoriale e që nuk është thjesht një ndarje në hartë, por një koncept zhvillimi urban dhe social, një koncept i ri për të rritur mirëqenien, prandaj vota për aleancën e majtë është dhe drejtimi i duhur”, – theksoi z. Rama.

Kandidatja e përbashkët e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, znj. Zamira Rami tha se rrugëtimin e saj si kryetare e ardhshme e bashkisë së Gjirokatrës do e bazojë duke u mbështetur fort te qytetarët.

“Do të jeni ju partnerët e mi kryesorë në projektin më të madh, atë të zhvillimit të mëtejshëm në të gjithë aspektet e Gjirokastrës sonë. Komunikimi dhe bashkëbisedimi i vazhdueshëm do të jetë çelësi ynë i suksesit. Jam e bindur se bashkë do të realizojmë projekte të shumta që kanë nisur tashmë në Gjirokastër dhe që do të vijnë duke u shtuar.

Garancia jonë më e madhe për këtë projekt janë treguesit e vlerësimit që po i bëhet nga faktorët ndërkombëtare pasurisë sonë. Gjirokastra është një nga destinacionet më tërheqëse turistike të këtij viti”, – tha znj. Rami.

Gjithashtu, znj. Rami tha se duke vënë në shfrytëzim të gjitha resurset, do të bëhet e mundur që Gjirokastra të jetë destinacioni më tërheqës i çdo viti.

“Në shërbim të këtij qëllimi, ne do të përmirësojmë ndjeshëm infr
astrukturën që lidh çdo monument të zonës sonë duke filluar nga Kalaja e Kardhiqit e deri të qyteti antik i Antigonesë. Do të nxisim turizmin familjar, eko-kulturor e atë alternativ.

Artizanati, ky elementi rëndësishëm i traditës, përmes projekteve që ne tashmë i kemi gati, do të kalojë nga duart e mjeshtërve tek të rinjtë. Do të mbështesim prodhimet bio të zonës që janë të kërkuara jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj.

Rinia do të jetë prioritet për bashkinë duke u krijuar mundësitë e duhura për një jetë më të mirë, por dhe shanse kualifikimi dhe punësimi”, – tha znj. Rami, ndërsa kërkoi nga qeveria edhe riaktivizimin e aeroportit të Gjirokastrës.

Edhe Ministri Arben Ahmetaj shprehu mbështetjen e tij për kandidaturën e përbashkët të së majtës.

“Premtimet tona janë të drejtpërdrejta, janë për të gjithë qytetarët dhe janë për zhvillimin e ekonomik të Gjirokastrës. Shpëtimi i Gjirokastrës është të kthehet në perlën që është në mendjen dhe në zemrat tona.

Me Zamirën kemi mundësinë që ta kthejmë Gjirokastrën në një perlë që ka për të qenë gjithë kohës qendra e destinacionit turistik shqiptar. Të votojmë për Zamirën është në nderin tim personal, të punojmë për të me mish dhe me shpirt është në nderin tonë dhe të çdo gjirokastriti, të çdo anëtari të PS-së, të PD-së, të çdo anëtari të LSI-së, që të punojmë për t’i dhënë asaj një fitore spektakolare dhe Edi Ramës dhe Ilir Metës gjithashtu një shembull si ai i vitit 2013″, – tha z. Ahmetaj.