Prezantohet në Elbasan kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Qazim Sejdini

Prezantohet në Elbasan kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Qazim Sejdini

IlirMeta.09.05.2015

Ilir Meta: Qazim Sejdini është njeriu i duhur për të vënë në lëvizje Bashkinë e re të Elbasanit që është shumë më e madhe se sa bashkia ekzistuese

Meta: Sejdini me përvojën e tij dhe me mbështetjen e qeverisë do ta arrijë të harmonizojë të gjitha këto resurse të jashtëzakonshme që i shtohen kësaj bashkie

Meta: Me eksperiencën e Qazim Sejdinit, bashkie e re e Elbasanit do të fillojë të funksionojë që në 22 qershor

Pasditen e sotme u prezantua në qytetin e Elbasanit, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, z. Qazim Sejdini.

Të pranishëm në këtë prezantim ishte lideri i Lëvizjes Socialiste për Integirm, z. Ilir Meta, Kryetari i PS-së, Edi Rama, ministrat z. Edmond Haxhinasto dhe Damian Gjiknuri, si dhe deputetët, z. Taulant Balla, z. Musa Ulqini, znj. Evis Kushi, z. Luan Duzha, z. Alfred Peza si dhe drejtues të strukturave lokale të LSI-së dhe të PS-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu mbështetjen më të fuqishme për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së re të Elbasanit, për z. Qazim Sejdini.

“Ju i thoni ‘Lala’, por unë e kap pak më të vështirë se nuk jam kaq prezent në Elbasan, por ai është vërtet një simbol i qetësisë, i mençurisë, dhe me eksperiencën e jashtëzakonshme që ka krijuar gjatë gjithë kësaj periudhe, jo vetëm në drejtimin e bashkisë së Elbasanit, por edhe në eksperiencat e tjera, besoj që është njeriu i duhur për të vënë në lëvizje Bashkinë e re të Elbasanit që është shumë më e madhe se sa bashkia ekzistuese”, tha z. Meta.

Lideri i LSI-së deklaroi se me eksperiencën e Qazim Sejdinit, kjo bashkie e re e Elbasanit do të fillojë të funksionojë që në 22 qershor. “Qazim Sejdini është drejtimi i duhur për Bashkinë e re të Elbasanit.

Ju jeni dëshmitar të mbështetjes së jashtëzakonshëm që ai ka siguruar gjatë këtyre 18 muajve për bashkinë ekzistuese, projekte gjithandej, projekte pafund.

Elbasani është bërë një qendër e rëndësishme e aktiviteteve kombëtare, jo vetëm për futbollin dhe për sportin, por edhe për shumë eventeve të tjera kulturore artistike.

Unë jam bindur që ai me përvojën e tij dhe me mbështetjen e qeverisë do ta arrijë të harmonizojë të gjitha këto resurse të jashtëzakonshme që i shtohen kësaj bashkie për të zhvilluar zona industriale, për të zhvilluar turizmin deri në Shpat të Gjinarit, për të zhvilluar bujqësinë dhe agrobiznesin, për ta shndërruar Elbasanin në një qendre të fuqishme, në një motor të rëndësishëm të gjithë ekonomisë kombëtare, jo vetëm të Qarkut të Elbasanit, ashtu sikurse meriton tradita juaj, por edhe vullneti i juaj për të ecur më shpejt në rrugën e ringritjes ekonomike, rrugë të cilën vendi ynë tashmë ka hyrë.

Prandaj të gjitha votat për Qazim Sejdinin, për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Elbasanit”, tha z. Meta duke shtuar se me Qazim Sejdinin, Elbasani është në rrugën e duhur.

Ndërsa, kryetari i PS-së, Edi Rama tha se Shqipëria duhet të ndjekë drejtimin e duhur. “Rruga e duhur për Elbasanin është Qazim Sejdini, kryebashkiaku që ka nisur t’i japë udhë problemit të plehrave.

Dhe Elbasani ndryshe nga qytetet e tjera është drejt zgjidhjes së këtij problemi shumëvjeçar”, – nënvizoi z. Rama duke shtuar se sot Elbasani mbart mbi supe ende disa probleme të pazgjidhura, siç është çështja e ujit të pijshëm apo transportit.

“Sfida jonë është të kemi një linjë transporti unike. Uji i pijshëm. Elbasani po përpëlitet se nuk ka 24 orë ujë të pijshëm, por si mund të kishte ujë të pijshëm me atë hartë territoriale me 400 komuna e aksionerë që e morën peng sistemin e shërbimit me ujë të pijshëm.

Me reformën territoriale është e qartë se të gjitha bashkitë do të kenë ujësjellësin e tyre dhe s’do të kenë më varësi nga komunat, çka do ta bëjë më të lehtë menaxhimin e këtij sektori”, – tha më tej z. Rama.

Edhe Ministri Edmond Haxhinasto deklaroi se kandidati i përbashkët i së majtës ka mjeshtërinë se si ta zhvillojë Elbasanin në drejtimin e duhur.

“Edhe unë dëshiroj të shpreh në fakt mbështetjen e plotë dhe dëshiroj të shpreh edhe kënaqësinë që i japim një mbështetje për ‘Lalën’, për kryetarin aq simpatik do të thosha, gjithmonë elegant, gjithmonë i urtë, gjithmonë i dashur i cili shquhet për një marrëdhënie të jashtëzakonshme me njerëzit e di mirë gjuhën se si të komunikoj me njerëzit.

Por përveç kësaj ka edhe mjeshtërinë se si ta zhvillojë Elbasanin ën drejtimin e duhur.

Prandaj edhe këtë radhë zgjedhja e duhur me qëllim që Elbasani të vazhdojë të jetë në ato rrjedha zhvillimore që ka marrë Shqipëria, rrjedha që e kanë thyer Shqipërinë në një vend ku janë hapur shumë kantiere ndërtimi dhe padiskutim që këto kantiere do të vazhdojnë edhe në Elbasan me qëllim që jeta e qytetarëve të Elbasanit, një qytet me tradita historike të jashtëzakonshme në Shqipëri, të vazhdohet e të përmirësohet.

Elbasani të japi kontributin e vet me gjithë potencialet e veta të jashtëzakonshme në zhvillimin e të gjithë vendit”, theksoi z. Haxhinasto.

Ministri Damian Gjiknuri theksoi se Qazim Sejdini i jep siguri qytetarëve të Elbasanit për vijimin e zgjidhjes së problematikave të qytetit. “Zgjedhjen e keni shuam thjeshtë. Doni siguri apo doni eksperiment? Sigurinë e keni se qytetarin këtu e keni. Eksperimentin Elbasani se pranon, prandaj Lala është drejtimi i duhur”, – tha z. Gjiknuri.

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, z. Qazim Sejdini duke marë fjalën u shpreh se qeveria e “Rilindjes” do ta konsiderojë Elbasanin si kryeqytetin e zhvillimit dhe të progresit.

“Ne sot i kërkojmë qeverisë që ta konsiderojë dhe fshatin që ndodhet në pozicionet më të largëta me të njëjtën vëmendje që ka pasur edhe për qytetin tonë.

Ne jemi të bindur se kjo qeverisje është qeverisja e fjalës së mbajtur, qeverisja që i do shqiptarët së pari të jenë të integruar mes njëri-tjetrit, për ta bërë më pas shumë më të lehtë bashkimin integrues me familjen evropiane.

Kjo qeverisje është drejtimi i duhur.

Në Elbasanin e ri, me mbështetjen e qeverisë së “Rilindjes” dhe me kontributin dhe ndjeshmërinë e secilit prej jush që ndihet pjesë e këtij komuniteti, do të hedhim të tjerë hapa të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e jetesës si të atyre që jetojnë në zonat urbane të Elbasanit, dhe të atyre që jetojnë në fshatrat më periferikë.

Unë ju garantoj se përkushtimi ndaj tyre do të jetë mjaft i ndjeshëm, sepse ne kemi përvojë, ne jemi konkretë sepse vizioni i “Rilindjes” është drejtimi i duhur”, tha z. Qazim Sejdini.