Prezantohet në Delvinë kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Rigels Balili

Prezantohet në Delvinë kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Rigels Balili

Delvina.10.05.2015

Ilir Meta: Projekti ynë i Shqipërisë Europiane dhe i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” do të bëjë të mundur që në Delvinë të hapen vende të reja pune

Meta: Aleanca jonë për Shqipërinë Europiane nuk është thjesht një fuqi e jashtëzakonshme për të fituar, por mbi të gjitha për të sjellë transformime rrënjësore për të gjithë qytetarët

Paraditen e sotme u prezantua në qytetin e Delvinës, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Rigels Balili.

Të pranishëm në këtë prezantim ishte Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, Kryetari i PS-së, z. Edi Rama, deputetët z. Spartak Braho, z. Andrea Marto, z. Koço Kokëdhima si dhe drejtues të strukturave lokale të LSI-së dhe të PS-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu mbështetjen më të fuqishme për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së re të Delvinës, për z. Rigels Balili.

“Duam që Delvina të hyjë në një rrugë të sigurt të zhvillimit të progresit, të ripërtëritjes së traditave të saj më të mira dhe më të shkëlqyera, që Delvina t’i japë fund agonisë së saj si bashki.

Vetëm Rigels Balili dhe projekti ynë i Shqipërisë Europiane dhe i ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ do të bëjë të mundur që në Delvinë të hapen vende të reja pune, që Delvina të mbështetet në rrugën e progresit social dhe ekonomik”, tha z. Meta duke shprehur bindjen se Bashkia e re e Delvinës meriton një njeri të ri si Rigels Balili me kurajo, me personalitet për t’u ballafaquar me problemet dhe për të punuar me përkushtim dhe me pasion për zgjidhjen e tyre.

“Populli i Delvinës do të mbështesë masivisht Aleancën tonë për Shqipërinë Europiane, do të mbështesë masivisht kandidatin tonë të përbashkët Rigels Balili, në mënyrë që edhe ne t’ia kthejmë këtë mbështetje në mënyrën më të fuqishme , pas 21 qershorit, me projekte konkrete për të zhvilluar të gjithë këtë bashki të re. Delvina ka nevojë për këto energji të reja.

Ka nevojë për këto angazhime të reja, për projekte të reja në mënyrë që ajo ta rimarrë veten, t’i rikthehet traditave më të mira të saj, në mënyrë që Delvina të bëhet sa më e jetueshme për të gjitha gjeneratat dhe sidomos për të rinjtë dhe të rejat e saj dhe për këtë kërkohen më shumë shërbime, kërkohen më shumë punësim, kërkohet një perspektivë tjetër, ndaj të gjitha votat për Rigels Balilin”, – tha z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij në prezantimin e kandidatit të përbashkët të së majtës, z. Ilir Meta tha se “Aleanca jonë për Shqipërinë Europiane” nuk është thjesht një fuqi e jashtëzakonshme për të fituar, por mbi të gjitha për të sjellë transformime rrënjësore për të gjithë qytetarët anembanë Shqipërisë.

“Delvina është një nga ato komunitete që ka nevojë për transformime sa më të fuqishme, ndaj ajo ka nevojë për fuqinë e kësaj Aleance të bashkuar dhe jam i bindur se kjo fuqi do të shprehet në mënyrën më spektakolare me votat e Delvinës dhe të delvinjotëve në 21 qershor”, – theksoi z. Meta.

Kryeministri z. Edi Rama kërkoi mbështetjen e komunitetit të Delvinës për kandidatin e përbashkët të së majtës me qëllimin realizimin e projekteve për përmirësimin e jetës për qytetarët.

“Jepini të gjithë fuqinë e nevojshme fushatës së Rigelsit dhe jo vetëm votën, por këtë herë me të gjithë fqinjët, me të gjithë ata që janë me PD-në. Thuajuni demokratëve që vota është për çfarë do të bëhet këtu në qytet.

Nuk është për politikën e madhe. Le ta tundin flamurin e PD-së, sepse nuk prish punë, por votën ta japin për kandidatin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ që të shikojnë edhe këtu në Delvinë ndryshimin që ka filluar të përfshijë të gjithë Shqipërinë. Dhe këtë ndryshim mund ta bëjnë vetëm duke bashkëpunuar drejtpërdrejtë qeveria dhe bashkia me kandidatin e ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’.

I kemi dhënë së bashku mbështetje pa asnjë hezitim Rigelsit sepse është një djalë i ri, energjik dhe mbi të gjitha është një njeri që jam i bindur që nuk do të bëjë dallime këta edhe ata, por do t’u shërbejë njësoj edhe socialistëve dhe demokratëve edhe të gjithë qytetarëve të tjerë dhe do të lërë një emër të mirë duke punuar në shërbimin tuaj 24 orë në 24 orë”, tha z. Rama.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Rigels Balili kërkoi votën e qytetarëve të Bashkisë së Delvinës duke garantuar për përkushtimin e tij maksimal në zgjidhjen e problemeve.

“Të çojmë Delvinën në drejtimin e duhur. Ju premtoj një fushatë dinjitoze. Do të punoj dhe organizoj punën time dhe të ekipit administrativ për të bërë të mundur zgjidhjet e duhura, të cilat kanë si objekt përmirësimin e jetës, mirëqenies së të gjithë komunitetit tonë nëpërmjet bashkëpunimit me qeverinë.

Premtoj zgjidhje të çështjeve prioritare të Bashkisë së Delvinës, siç janë: uji i pijshëm, nxjerrja e Bashkisë nga kolapsi ekonomik, zgjidhja e punësimit nëpërmjet bizneseve private, duke u afruar kushte të favorshme për biznes, zgjidhja e konfliktit për pronat, kullotat si dhe hipotekimi i tyre.

Rikonstruksioni i rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve në qytet dhe në fshatra, si dhe rehabilitimin e qendrës së Delvinës, rehabilitimin e kopshteve, e shkollave, të stadiumit të fushës së futbollit të ekipit Delvina”, theksoi ndër të tjera z. Rigels Balili gjatë fjalës së tij.