Prezantohet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Himarë, z. Gjergji Goro

Prezantohet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Himarë, z. Gjergji Goro

Himara.09.05.2015

Ilir Meta: Reforma do t’i japë efektet e saj, do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të gjithë bregdetit

Meta: Do ta kthejë në një nga njësitë më të zhvilluara ekonomike dhe shoqërore të gjithë vendit, sepse të tilla janë resurset që bashkohen me Himarën e deritanishme

Meta: Gjergji ka treguar se është një njeri me mjaft pasion dhe vizion për të zhvilluar vendin. Tani do të ketë më shumë kapacitete për ta bërë këtë gjë.

Meta: T’i japim mundësinë atij si një njeri i provuar dhe njëkohësisht me një pasion të jashtëzakonshëm për t’i shërbyer këtij vendi që të çojë përpara këto projekte dhe të fillojë nga puna menjëherë pas votës suaj në 21 qershor

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në prezantimin kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Gjergji Goro në Bashkinë e Himarës.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin edhe Kryetari i PS-së, z. Edi Rama, deputeti Koço Kokëdhima si dhe drejtues të strukturave lokale të LSI-së dhe të PS-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu mbështetjen për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së re të Himarës, për z. Gjergji Goro
“Për Gjergjin ndihem vërtet shumë mirë që rikandidon, ose më saktë kandidon pasi kemi të bëjmë me një bashki të re të Himarës.

Është vërtet një ndryshim historik. Do t’i japë efektet e saj, do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të gjithë bregdetit.

Do ta kthejë në një nga njësitë më të zhvilluara ekonomike dhe shoqërore të gjithë vendit, sepse të tilla janë resurset që bashkohen me Himarën e deritanishme.

Gjergji ka treguar se është një njeri me mjaft pasion dhe vizion për të zhvilluar vendin.

Tani do të ketë më shumë kapacitete për ta bërë këtë gjë.

Mbështetjen nga qeveria e ka pasur të jashtëzakonshme në këto 18 muaj, ndaj le t’i japim mundësinë atij si një njeri i provuar dhe njëkohësisht me një pasion të jashtëzakonshëm për t’i shërbyer këtij vendi që të çojë përpara këto projekte dhe të fillojë nga puna menjëherë pas votës suaj në 21 qershor nga Kuçi e deri në Lukovë”, – tha z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij, Lideri i LSI-së tha se projekte madhore po zhvillohen dhe janë projektuar për të ardhmen e gjithë kësaj bashkie të re.

“Jam i sigurt që begatia dhe prosperiteti do të jetë i prekshëm për çdo banor të Himarës dhe besoj dhe shpresoj shumë që do të ketë plot dhe nga ata që do të kthehen dhe do ta ndërtojmë të ardhmen e tyre këtu, në vendin e prindërve dhe gjyshërve të tyre.

Prandaj të gjithë mbështetjen tonë për Gjergji Goron dhe për projektin e tij për bashkinë e re. Është një investim i jashtëzakonshëm për këtë bashki të re e cila do të çelë një perspektivë krejt tjetër nga deri tani për të gjithë ju, dhe jo vetëm për ju, por edhe për gjeneratat që do të vijnë sepse është vërtet një projekt historik.

Sa i takon Gjergjit, i sjell përshëndetjet më të flakta nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe nga Lëvizja Rinore për Integrim e cila mezi pret të rikthehet në Jalë në gusht kur Gjergji si gjithmonë do të mbajë fjalën e tij të hapjes si Kryetar i Bashkisë së re.

Suksese Gjergjit dhe të gjitha votat për Gjergji Goron dhe të gjitha votat për ‘Aleancën për Shqipërinë Europiane'”, theksoi z. Ilir Meta, Kryetar i LSI-së.

Edhe Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i PS-së, tha se Gjergji Goro është absolutisht drejtimi i duhur, i vetmi drejtim për Himarën e re, dhe i vetmi partner i mundshëm.

“Qeveria jonë e cila i ka kthyer sytë dhe vëmendjen s’i asnjëherë tjetër më parë nga bregu, duke i kushtuar gjithë kësaj zone një volum të madh investimesh, mund të ketë si partner këtu në Himarë. Në 21 qershor, nuk do të zgjidhni flamurin e një partie kur do të zgjidhni kandidatët, por do të zgjidhni njeriun që ju bën më shumë punë. E kush ju bën më shumë punë se Gjergji? Askush.

Ka dhe dy kandidatë të tjerë që këtu që nuk i duhen as dreqit dhe jo Himarës dhe mirë është që të githë himariotët socialistë, demokratë, indiferentë, çfarëdolloj qofshin, të bëhen bashkë dhe të votojnë programin tonë të përbashkët, programin e qeverisë dhe të Gjergji Goros për të rilindur bregdetin dhe për ta rikthyer gjithë këtë zonë, nga një zonë e braktisur dhe të varfër, në një motor të zhvillimit ekonomik jo vetëm për zonën, por edhe për të gjithë vendin.

Të jeni të sigurt që kjo jo vetëm është e mundur, por ne do ta bëjmë këtë realitet”, tha z. Rama.

Kandidati i përbashkët i “Aleancën për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë së re të Himarës, Gjergji Goro tha se ideja e Himarës së re është ideja e një projekti i cili i jep të gjithë zonës zhvillim dhe e kthen këtë bashki në një nga bashkitë më të rëndësishme të zhvillimit të të gjithë vendit.

“Të mundohemi që të punojmë të gjithë bashkë që të bëhemi pjesë e Himarës së re që ta bëjmë atë ashtu siç ne e kemi ëndërruar për brezat e ardhshëm. Jam i bindur që himarjotët, ashtu siç tha dhe Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit, do të votojnë për të drejtën e tyre, do të votojnë për të ardhmen e tyre dhe e gjithë kjo bëhet me punë.

Të gjithë së bashku për Himarën e re”, – theksoi z. Gjergji Goro.