Prezantohet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar i Bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli

Prezantohet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar i Bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli

Vlore.08.05.2015

Ilir Meta: Shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për kandidaturën e z. Dritan Leli, por edhe gjithë mbështetjen tonë për të gjitha projektet e Vlorës

Meta: Në 18 muaj të gjithë e ndjejmë që projekte të jashtëzakonshme, që mund t’i quaja pa frikë spektakolare, po ndodhin në Vlorë dhe janë projektuar për të ardhmen

Meta: Me këtë hapësirë të re që fiton Bashkia e re e Vlorës bëhet e mundur që të kemi një zhvillim tjetër, që t’i japë një perspektivë tjetër zhvillimit të integruar kësaj bashkie të re, e cila do të krijojë mundësi punësimi

Ilir Meta: Aleanca jonë është një aleancë fitues në të gjithë vendin, por sfida jonë, nuk është thjesht për të fituar. Sfida jonë është për të dëgjuar me sa më shumë vëmendje gjithë shqetësimet e qytetarëve.

Paraditen e sotme u prezantua në qytetin e Vlorës, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Dritan Leli.

Të pranishëm në këtë prezantim ishin lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, Kryetari i PS-së, z. Edi Rama, dhe deputetët, z. Shkëlqim Selami, znj. Valentina Leskaj, z. Fatmir Toçi si dhe drejtues të strukturave lokale të LSI-së dhe të PS-së.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta shprehu mbështetjen më të fuqishme për kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së re të Vlorës, për z. Dritan Leli.
“Edhe unë dëshiroj të shpreh kënaqësinë më të madhe që marr pjesë në prezantimin e kandidatit të ‘Aleancës për Shqipërinë Europiane’ për Bashkinë e re të Vlorës, të mjekut të mirënjohur Dritan Leli.

Me këtë rast shpreh gjithë simpatinë dhe përkrahjen për këtë kandidaturë, por edhe gjithë mbështetjen tonë për të gjitha projektet e Vlorës”, theksoi z. Meta.

Z. Ilir Meta shprehu bindjen se në 18 muaj projekte të jashtëzakonshme që mund të cilësohen pa frikë edhe spektakolare po ndodhin në Vlorë.

“Të tjera janë projektuar për të ardhmen e këtij qyteti, si inaugurimi i By-Passit sot, një rrugë e jashtëzakonshme që do t’i japë një dimension tjetër krejt marrëdhënies së Vlorës, të bregdetit me të gjithë Shqipërinë.

Jam i sigurt që me këtë hapësirë të re që fiton Bashkia e re e Vlorës, bëhet e mundur që të kemi një zhvillim tjetër, që do t’i japë një frymëmarrje tjetër ekonomisë vlonjate, do t’i japë një perspektivë tjetër gjithë zhvillimit të integruar të kësaj bashkie të re, e cila do të krijojë mundësi punësimi jo vetëm për të gjithë vlonjatët të cilët duan që të punojnë, por njëkohësisht krijon edhe një bazë të fuqishme për një rritje më të shpejtë ekonomike të gjithë ekonomisë sonë kombëtare”, tha më tej z. Meta.

Në vijim të fjalës së tij, lideri i LSI-së tha se në zgjedhjet e 21 qershorit pritet një fitore shembullore në Vlorë, siç e meriton Vlora dhe e ardhmja e saj.

“Absolutisht që Aleanca jonë është një aleancë fitues në të gjithë vendin, por sfida jonë, e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, nuk është thjesht për të fituar, sfida jonë është për të dëgjuar me sa më shumë vëmendje gjithë shqetësimet e qytetarëve, qoftë edhe për këto 18 muaj të qeverisjes së deritanishme, për të lexuar gjithnjë e më mirë sa i takon shqetësimit të qytetarëve për t’u ofruar shërbime më cilësore dhe punësim duke shfrytëzuar tashmë bashkitë e reja dhe kapacitetet e tyre të cilat janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme.

Unë jam i bindur se sfida më e madhe mbetet pastaj përmirësimi i administrimit vendor dhe kuptohet që një bashkëpunim i shkëlqyer i qeverisë me bashkinë do të bëjë të mundur realizimin në kohë të shumë projekteve që presin qytetarët shqiptarë dhe aq më tepër qytetarët e Vlorës”, theksoi z. Meta, i cili në fjalën e tij uroi qytetarët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë edhe për 9 majin.

“Ju uroj 9 majin që është dita e fitores ndaj fashizmit, është dita e Europës, të gjithë vlonjatëve dhe gjithë shqiptarëve, por Vlorës në mënyrë të veçantë sepse dihet kontributi i Vlorës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare”, tha Kryetari i LSI-së.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama vuri theksin në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në përmirësimin e infrastrukturës.

“Pamë kantierin për ‘By Pass-in’ e Vlorës. Pas kaq shumë vitesh ky kantier është i hapur, 400 vende të reja pune janë krijuar dhe perspektiva është që në vijim të kemi 650 vende pune.

Nga ana tjetër kemi kantierin e Trans-Ballkaniken që më në fund do bëhet realitet dhe do lidhë Vlorën me autostradën, se deri dje ishte katandisur si xhep fals, për të na kujtuar se kush e qeverisi këtë vend për 8 vite të shkuara duke i lënë rrugët rrugëve.

Projekti i By Passit u pa nga fillimi sepse nuk përmbushte asnjë standard dhe sillte një dëm të konsiderueshëm mjedisor”, – theksoi z. Rama.

Z. Edi Rama bëri të ditur se shumë shpejt në Vlorë do të nisë edhe projekti për lumin e Vlorës. “Do të fillojmë projektin për lumin e Vlorës, për të cilin kemi marrë financimin nga Fondi Kuvajtian për Zhvillim.

Është një volum investimesh që shkon përtej 100 milionë euro nëse i marrim së bashku. Edhe unë kam një pjesë të gjakut tim nga kjo zonë dhe e di se vlonjatët janë njerëz që nuk durojnë një minutë dhe jo vite”, – tha z. Rama.

Edhe deputeti i LSI-së për Vlorën, Shkëlqim Selami, vlerësoi kandidatin e përbashkët të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Dritan Leli.

“Kjo mbështetje shumë e madhe që ne kemi këtu sot dhe pjesëmarrja e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Kuvendit tregon edhe njëherë atë mbështetje shumë të madhe që ne duhet t’i japim kandidatit tonë Dritan Leli, një djalë me vlera, një djalë i shkëlqyer dhe që të bëjmë të mundur që kjo bashki të ndryshojë faqe.

Vlorën do ta kthejmë në një qendër turistike, në një metropol për të bërë të mundur që ky qytet të ketë një zhvillim të madh dhe të ketë mundësi punësimi”, tha deputeti i LSI-së, z. Shkëlqim Selami.

Kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Dritan Leli u shpreh se gjatë katër viteve të ardhshme do të ketë një numër të madh projektesh të cilat do të zhvillojnë Bashkinë e re të Vlorës.

“Duhet edhe një mbështetje e qeverisë të cilën jua siguroj unë dhe e siguroi Kryeministri që ne do ta kemi në gjithë këto vite që vijnë. Kam besimin e patundur se Kryetari i qeverisë dhe deputeti i parë i këtij qyteti, do të na japë mbështetjen e duhur për shndërrimin e Vlorës sonë në një model të zhvillimit dhe të modernizimit. Unë do të jem i gatshëm për të gjithë qytetarët vlonjatë, pa marrë në konsideratë bindjet e tyre politike.

Të besojmë vetëm në një linjë politike, atë të zhvillimit të Vlorës sonë, sepse Vlora jonë meriton më shumë”, theksoi z. Dritan Leli.