Prezantohet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj

Prezantohet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj

MonikaKryemadhi.06.05.2015

Në një atmosferë entuziaste u prezantua sot në qytetin e Lezhës kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, z. Viktor Tushaj.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Lezhës, znj. Monika Kryemadhi, Ministrja e Mbrojtjes , znj. Mimi Kodheli dhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim po në qarkun e Lezhës, z. Gjovalin Kadeli.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri i Shqipërisë dhe njëherësh Kryetari i Partisë Socialiste, z. Edi Rama theksoi se zgjedhjet për pushtetin lokal nuk janë zgjedhje për të ndryshuar Parlamentin, por për t’i dhënë zgjidhje problemeve të qytetit.

“Në 18 muaj ne bëmë për Lezhën një volum investimesh që është disa herë më i madh se ç’u bë në 20 vite të marra së bashku. Në 4 vitet e tjera me Viktorin ne do të bëjmë shumë herë më tepër se në këta 18 muaj”, tha z. Rama duke shtuar se qytetarët duhet të tregojnë përgjegjshmëri përpara se të votojnë, për të zgjedhur kandidatin që do të bëjë më shumë punë. “Po më thoshte dikush, pse duhet ta votojmë një kryetar bashkie që e kemi pasur për 8 vjet?

Në radhë të parë për një arsye të thjeshtë, se vota në 21 qershor nuk është një votë politike, por të për të vendosur se kush është njeriu që mund të bëjë më shumë punë për qytetin.

Edhe demokratët më të flaktë duhet ta mendojnë dy herë votën e tyre për arsyen e thjeshtë se nuk po zgjedhin një deputet se po ndërrojnë Parlamentin.

Qeveria nuk është kjo. Me votën e 21 qershorit duhet të mendojnë se kush është kandidati që do të na bëjë më shumë punë, pa hyrë tek cilësitë e kreut të Bashkisë”, tha z. Rama.

Kryetari i PS-së tha se mbështet rikonfirmimin e z. Viktor Tushaj pasi ai ka eksperiencën që duhet. Sipas z. Rama, kandidati Viktor Tushaj nuk është veç kandidati i LSI-së, por i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe i përfaqëson të gjithë.

“Viktor Tushaj nuk është kandidati i LSI-së, por është kryetari i Bashkisë, i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, i zgjedhur së bashku për të na përfaqësuar të gjithë së bashku. Sot ne kemi vendosur pa asnjë lloj hezitimi të mbështesim rikonfirmimin e Viktorit sepse ka gjithë eksperiencën që i duhet.

Një eksperiencë që do të jetë shumë e rëndësishme për qytete si Lezha. Viktori ka qenë i pari Kryetar Bashkie, që ka bërë përpjekjen e parë, donkishoteske për të futur ndarjen e mbeturinave dhe seleksionimin e tyre dhe për të hapur një epokë të re në jetën e qytetit.

Sot që kemi një bashki të re dhe praktikisht qyteti lidhet me detin dhe bëhet një bashki me det, problemet e vjetra mund të marrin zgjidhje të reja. Problemi i vjetër i plehrave që është një skandal në të gjithë Shqipërinë, mund të marrë zgjidhje”, u shpreh z. Rama.

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Lezhës, znj. Monika Kryemadhi shprehu besimin për fitoren në Lezhë.

“Unë kënaqem çdo ditë e më shumë sepse shikoj vajza të reja dhe gra, që në Lezhë ka qenë pak e vështirë dhe ka qenë tabu, por gjej nga rasti për t’i përgëzuar që janë kaq prezent dhe kjo do të thotë se fitorja është e sigurt, se po pate gratë dhe vajzat, i ke të gjitha. Në fakt unë do të dëshiroja të theksoja dy gjëra.

Shumëkush mund të thotë po Viktori kandidon për herë të tretë, çfarë do të bëjë Viktori, ne e kishim dhe dy herë të tjera. Dhe kjo ndoshta është edhe një nga pikat që PD-ja mendon se mund të përdorë.

Mos të harrojmë vetëm një gjë, do të theksoja se në dy mandatet e kaluara që Viktori pati me qeverisjen e Partisë Demokratike, ju jeni dëshmitarët kryesorë dhe shikoni luftën e madhe që ka bërë Viktori si Kryetari i Bashkisë së Lezhës, në qeverinë e kaluar për arsye për zhbllokimin e fondeve, për krijimin e mundësive për projektet në qytetin e Lezhës”, tha znj. Kryemadhi, ndërsa shtoi se atë që z. Tushaj me sforco shumë të madhe realizoi në tetë vite, në qeverinë ku kryeministër është Edi Rama është arritur të bëhet 10-fishin e projekteve që janë bërë në 8 vjet brenda 16 muajve.

“Kjo është një nga arsyet që unë kam një besim të patundur sepse ju e dini shumë mirë, qytetarët e Lezhës më mirë se kushdo tjetër, që Lezha që jeton mbi ujë, nuk kishte një orë ujë të pijshëm në banesat e saj.

Dhe sot, mbas shumë e shumë vitesh, po të shikoni e gjithë Lezha është kthyer në një kantier ndërtimi, ku më së fundi ne do të kemi ujin e pijshëm në bashkinë e Lezhës, në komunën e Balldrenit, që ju e keni shumë afër dhe ata janë njerëzit që kanë vuajtur më shumë, në komunën e Zejmenit dhe në të gjithë rrethinat e Lezhës.

Kjo është një pikë e vogël në oqeanin e madh të investimeve që e presin Lezhës dhe të zhvillimin që e presin Lezhën, këtë qytet kaq të mrekullueshëm që me thënë të drejtën, jam krenare dhe e nderuar që jam deputetja juaj”, tha znj. Kryemadhi.

Në fjalën e saj, deputetja e qarkut të Lezhës u shpreh se ky ishte takimi i parë i prezantimit me kandidatin për Bashkinë e Lezhës, ndërsa theksoi se secili nga qytetarët duhet të bëjë një punë bindëse që të votojnë edhe ata që janë të pavendosur.

“Dashuria që kemi për njëri-tjetrin të vazhdojë dhe të shpërndahet më shumë në këtë qytet të mrekullueshëm. Lezha vërtet është renditet tek qytetet e kategorisë së dytë, por me thënë të drejtën z. Kryeministër, është qytet i kategorisë së parë sepse i ka që të gjitha, ka dhe detin, ka dhe lumin, ka dhe lagunën.

Përveçse turizmit, ka dhe një histori shumë të madhe. Ka vendin “Besëlidhjen” ku në fakt të gjithë princat e Arbërisë lidhën besën këtu me njëri-tjetrin dhe ne kemi lidhur besën me njëri-tjetrin për ta çuar këtë qytet përpara.

Ky ishte takimi i parë i prezantimit me kandidatin ose Kryetarin e Bashkisë dhe do takohemi në takime të tjera nëpër komuna, shtëpi më shtëpi, dhe mos harroni që secili nga ju duhet të bëjë pesë vota të tjera të cilat nuk kanë pasur në mendje që të votuojnë, por që do të ndryshojnë me programin dhe me planin konkret që do të kemi ne për Bashkinë e Lezhës”, tha znj. Kryemadhi.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Viktor Tushaj, falënderoi Kryeministrin e Shqipërisë për besimin që i është dhënë për një tjetër mandat për të përfaqësuar koalicionin e majtë në këto zgjedhje vendore, ndërsa vlerësoi qeverinë e re të majtë për vëmendjen kushtuar ndaj njësive vendore.

“Dua t’ju kujtoj këtu se vetëm për të marrë një kredi për transformimin e qytetit, për të ndërtuar një infrastrukturë afër shkollave, për të ndërtuar rrugën përpara Katedrales së qytetit, u deshën 6 vjet tentativa dhe përpjekje për të bindur Ministrin e Financave për të më akorduar këtë kredi dhe që nuk arrita asnjëherë.

U desh qeveria e re, u desh Ministri i ri i Financave që ta akordonte këtë kredi në harkun e 15 ditëve dhe të merrte jetë projekti në atë vend i cili ishte shumë i domosdoshëm për cilësinë e jetës së këtyre banorëve, edhe projekte të tjera të cilat janë realizuar.

Por më lejoni të falënderoj qeverinë shqiptare për ndryshimin e qasjes, për instalimin e vëmendjes, të energjive të saj në projekte të standardeve.

Projekti i kualifikimit të qendrës së qytetit , është modeli unik,është modeli më i mirë sot për sot në Shqipëri. Unë ia
them me mburrje Kryeministrit të Shqipërisë sot që do të jetë dhe do të mbetet një ndër projekte më të bukura në vend edhe sepse është një ndër projektet më të bukura edhe në Europë”, tha z. Tushaj .

Kryetari aktual i Bashkisë së Lezhës dhe njëherësh edhe kandidati i së majtës për një tjetër mandat , tha se garancia për realizimin e projekteve është edhe besimi që donatorët e huaj kanë te Bashkia e Lezhës. Z. Tushaj vlerësoi edhe reformë e re administrative-territoriale që, sipas tij, do të përmirësojë shërbimet për qytetarët.

“Reforma administrative-territoriale na dha mundësi që ne shqiptarët të kalojmë një moment historik, një moment historik sepse është besoj kyçi i reformave që i duhej këtij vendi.

Është kyçi i reformës sepse standardizon njëherë e mirë shërbimet që i duhen qytetarëve.

Bën të mundur që me efikasitet të përdoren taksat e taksapaguesve, bën të mundur kursimin e energjive, luftën kundër korrupsionin e bën shumë më efikase. Besoj se Lezha me resurset e jashtëzakonshme që ka, një histori prej 3 mijë vjeçare, me një zonë arkeologjike të pasur, me bukuri natyrore të mahnitshme dhe një klimë të mrekullueshme të jep mundësi që turizmi të shërbejë për rritjen dhe për fuqizimin ekonomik të qytetarëve të tij”, theksoi z. Tushaj.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” tha se krijimi i vendeve të reja të punës do të jetë fokus i punës së tij në mandatin e ardhshëm.

“Nuk ka formë tjetër për të arritur mirëqenien e banorëve tanë përveçse punësimit. Nuk ka formë tjetër për të tërhequr energjinë e të rinjve, mendore, fizike, intelektuale përveçse përmes punësimit dhe imagjinoni sikurse ne në këto resurse të jashtëzakonshme, të mahnitshme që kemi të thithim energjitë dhe potencialet e kësaj rinie, do të prodhonim mirëqenie jo vetëm për 120 mijë banorëve të Bashkisë së re të Lezhës, por për 3 milionë banorët e gjithë Shqipërisë.

Kështu që unë jam i bindur se Bashkia e re e Lezhës me këtë potenciale njerëzore që ka, me këto resurse të mahnitshme, me një qeveri dhe me një mazhorancë e cila tashmë po investon në mënyrë të jashtëzakonshme kudo, me këtë mbështetje që Kryeministri i Shqipërisë tashmë ia akordon edhe Lezhës, unë jam i sigurt se mbështetja e Kryeministri të Shqipërisë, ashtu siç një ëndërr timen të mbetur në sirtar që në vitin 2007, do ta bëj realitet edhe ecurinë dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë Bashkisë së Lezhës”, tha z. Viktor Tushaj.