
15 Jun Presidenti Meta: Rrëmbimi im kriminal, precedenti më i rëndë që Strasburgu do i referohet në të ardhmen
Intervistë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta për MCN TV, dhënë gazetarit Mariglen Kume
1- Z. Meta, pak ditë më parë ju u morët i pandehur nga SPAK. Jeni njohur me dosjen, a ka akuza të reja në krahasim me dosjen mbi të cilën u mor vendimi i masës së sigurisë?
Asgjë e re kundër meje nga fletërrufeja që shërbeu për rrëmbimin tim kriminal 8 muaj më parë me qëllim izolimin tim ekstrem politik dhe fizik që Edi Rama të rrëmbente përmes dhunës kundër opozitës dhe mbështetjes së bandave 83 mandate për t’i dhënë Altin Dumanit mandat të përjetshëm në kundërshtim me Kushtetutën.
2- Në një komunikim me telefon me gazetarët deklaruat se nuk do kërkoni mbyllje me procedurë të dosjes, do të thotë se nuk do kërkoni gjykim me procredurë të shkurtuar, dhe pse ky vendim?
Ne kërkojmë nisjen sa më parë të gjykimit të çështjes për t’u treguar të gjithë shqiptarëve se jo vetëm rrëmbimi im ishte criminal, por edhe hetimi që ka qenë i tillë si çdo gjë që fabrikohet nga Kryenarkomani e zbatohet verbërisht nga mercenarët e tij.
Ata po bëjnë çdo përpjekje të paligjshme dhe absurde duke shtyrë e zvarritur hetimet për herë të dytë e madje pasi kanë zyrtarizuar dy javë më parë edhe akuzat farsë të hartuara nga Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste të datës 7 maj 2022.
Nëse do ekzistonte një provë apo fakt penal ndaj meje gjykimi do ishte bërë me kohë dhe nuk do kishte patur as domosdoshmëri për të bërë atë rrëmbim barbar nga Rama dhe Dumani, për të terrorizuar opozitarët që jo vetëm denoncojnë krimet dhe korrupsionin e llahtarshëm të Edi Ramës por edhe që dënojnë Dumanin që nuk i shikon dhe kupton krimet e tij “intelektuale” si inceneratori që kupton çdo fëmijë.
Apo që pse nuk dërgon prej dy vitesh letërporosinë për mentorin e tij Charles McGonigal në SHBA.
3- Z. Meta ju, njësoj si Z. Berisha hidhni akuza të forta ndaj SPAK. Ju falenderuat dhe i quajtët heronj 8 mijë votuesit për ju, por a keni bërë ndonjë analizë nëse ka ndikuar qëndrimi i juaj ndaj SPAK në rënien drastike të Partisë së Lirisë në numrin e votave?
Fare sepse SPAK-u ka zero ndikim pasi ka zero pavarësi.
Nëse SPAK-u do kishte ndikim real elektoral, pra popullaritet “lideri” euroatlantik, përkrahësi i zjarrtë i SPAK nuk do kishte përfunduar me 1432 vota kur edhe kunati i tij ka më shumë të punësuar se kaq.
Sigurisht SPAK ndikon si vegël e verbër e Ramës siç ndikon edhe policia në zgjedhje që procedon denoncuesit e krimeve zgjedhore. Edhe SPAK firmos rrëmbime opozitareësh me urdhër të Ramës, procedime për qëllime frikësuese dhe shtantazhuese e çdo veprim e bën me regji të Ramës, madje edhe çdo lajm për mediat.
Rasti më i freskët është keqpërdorimi për zgjedhjet në Shkodër.
E thërret ish-Kryetarin e Bashkisë, Z. Bardh Spahia para zgjedhjeve disa herë për një çështje të rëndomtë dhe lajmëron gjithë mediat, ndërsa Kryetarin e Bashkisë, Z. Benet Beci e merr të pandehur 3 javë para zgjedhjeve të 11 Majit, por këtë lajm nuk e bën publik.
Kujt i shërbejnë këto 2 standarde? Vetëm Edi Ramës dhe grabitjes së zgjedhjeve nga ai.
Po kështu ndërhyrja vetëm pas zgjedhjeve në Durrës kur kërkesat për arrestim nga Antimafia kishin ardhur që në Mars kujt i shërbyen? Vetëm Edi Ramës.
4- Z. Berisha derimë tani nuk ka treguar asnjë sinjal se ka në plan afatshkurtër për analizë të rezultatit të zgjedhjeve, por ju i keni dhënë porosi strukturave tuaja për të bërë një analizë të rezultatit? Ju vetë keni një arsyetim për rezultatin e dobët të subjektit tuaj?
- Berisha bën shumë mirë që përqëndrohet te delegjitimimi i farsës dhe terrorit zgjedhor se Partia Demokratike ka rolin kryesor në këtë process.
Edhe ne këtë kemi prioritet kryesor.
Por sigurisht edhe analizimin e rezultateve të kandidatëve tanë pasi subjekti ynë nuk ka garuar në këto zgjedhje në kuptimin e mirëfilltë dhe logo jonë nuk ka qenë në fletën e votimit.
Ne kemi patur vetëm 4 kandidatë në listë të mbyllur dhe vetëm 8 në listë të hapur nga 140 kandidatë që kemi patur në 2021 kur është votuar me logon e LSI.
5- Ju vet, keni dalë më i votuari aty ku jeni aktualisht, duket që keni punuar edhe me personat që janë aty. Por a jeni i kënaqur me ekipin tuaj jashtë?
Jo, as kam punuar këtu dhe as kam patur mundësi të punoj se mua këtu më lejohet të takoj vetëm për ping-pong 3 shqiptarë dhe 2 të huaj dhe asnjë njeri tjetër.
Por më vjen keq realisht që kjo është qendra më e suksesshme në këto zgjedhje për mua pasi duhet të ishin shumë të tjera ku banojnë dhe votojnë drejtuesit e Partisë së Lirisë.
Për ekipin jashtë kjo ishte një përvojë e madhe për të ardhmen.
6- Z. Meta, a e justifikojnë numrin e mandateve që do të keni në shtator në Parlament, numri i votave që keni marrë më 11 Maj. (që ka marrë PL në të gjithë vendin)?
Tani është sprova e 4 deputetëve për të treguar integritetin e tyre dhe realizuar përfaqësimin e merituar të atyre dhjetëra mijëra heronjve që votuan për kandidatët tanë të mrekullueshëm në listat e hapura.
Por jam i sigurtë se Z. Tedi Blushi do ta përshkallojë opozitarizmin në Kuvendin e ri në nivele të reja.
7- Z. Meta për shkak se Z. Veliaj është duke dhënë llogari para drejtësisë, gjasat janë që rikthimi i tij në drejtimin e Bashkisë së Tiranës të jetë i pamundur. Në këto rrethana, zgjedhjet lokale të pjesshme janë në “prag të derës”. Aspironi ju Z. Meta që të kandidoni për zgjedhjet lokale të pjesshme në Tiranë?
Ne përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe pse jo ato të parakohshmet. Për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës do të mbështesim kandidatin më të mirë opozitar.
- Po me çështjen tuaj si do vijohet?
Këto ditë bëjmë ankimimin ndaj vendimit absurd të Gjykatës së Lartë në Gjykatën Kushtetuese kundër masës së arrestit dhe pastaj menjëherë drejt Strasburgut ku jam i sigurt se rrëbimi im kriminal do të jetë precedenti më i rëndë të cilit Gjykata e Strasburgut do i referohet në të ardhmen.
Qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut kundër arrestimit të Z. Thoma Gëllçi është vetëm fillimi i diskreditimit të drejtësisë së kapur dhe policeske të këtij regjimi që nuk ka asnjë lidhje me shtetin e së drejtës, Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Kjo është drejtësia që garanton vetëm pandëshkueshmërinë e Edi Ramës dhe të krimeve elektorale që mbajnë Ramën në pushtet.