Presidenti Meta: Diktaturave u duhet uniformiteti dhe jo kreativiteti

Presidenti Meta: Diktaturave u duhet uniformiteti dhe jo kreativiteti

*Intervistë e Presidentit Meta për “Ora News” dhënë gazetarit Andi Kurti

Z.Meta po bëhen tre muaj që nga arrestimi i juaj dhe kanë mbetur më pak se 4 muaj nga 11 Maji, dita e zgjedhjeve. Si ndiheni dhe a nuk jeni i shqetësuar për fatin e Partisë së Lirisë në këto zgjedhje?

Personalisht ndihem shumë mirë si nga aspekti i shëndetit dhe parametrat fizikë dhe po kështu optimist për të ardhmen edhe pse ajo nuk është më ajo që ishte prej shumë vitesh që atëherë kur Kushtetuta e Shqipërisë u shndërrua në një dokument të parëndësishëm qëllimisht, pikërisht për t’i hapur rrugën realizimit gradual të një grushti shteti, produkti i të cilit është pikërisht instalimi i arbitraritetit dhe kleptokracisë, që e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më të korruptuar të Europës dhe të dytin në botë për ryshfetet.
Shqetësimi im kryesor është e ardhmja e vendit dhe 11 Maji është një ditë vendimtare sepse ka të bëjë me ekzistencën e kombit tonë, me forcimin apo zhbërjen e identitetit kombëtar e kulturor, me forcimin apo zhbërjen dhe degradimin e familjes shqiptare, në thellimin e luftës së re të klasave që zbaton “Rilindja” duke asgjesuar shtresën e mesme dhe varfëruar edhe më skajshëm shtresat më vulnerabël dhe të pambrojtura të shoqërisë tonë apo me rindërtimin e një kohezioni social dhe nisjen e një modeli të ri ekonomik që garanton jo vetëm ndalimin e shpopullimit, por edhe shndërrimin e Shqipërisë në një fuqi eksportuese të paktën në nivel rajonal.

Sa e dëmton Partinë e Lirisë burgosja juaj?

Kjo varet nga vetë Partia e Lirisë dhe lidershipi i saj të cilët janë përballë një sprove historike.
Është e qartë se rrëmbimi im banditesk u bë sipas një regjie mafioze të planifikuar prej kohësh që synonte asgjësimin e Partisë së Lirisë si një faktor politik i pavarur dhe me integritet që çdo vendim e merr në interes të vendit në radhë të parë dhe në mbrojtje të Kushtetutës dhe sovranitetit të tij.
Të vërtetat që thoshte dhe thotë Partia e Lirisë janë të padurueshme nga regjimi kleptokratik në fuqi dhe tutorët e tij sepse ato u hapin sytë qytetarëve shqiptarë të cilët bombardohen me gënjeshtra, mashtrime dhe sigurisht edhe me taksa të reja gjithnjë e më shumë, si në nivel vendor dhe kombëtar.
Po kështu beteja e Partisë së Lirisë për rikthimin e llogaridhënies është e papranueshme nga regjimi sepse ajo sjell përmbytjen e kleptokracisë e bashkë me të edhe ndëshkueshmërinë.

Kryeministri Rama, por edhe të tjerë thonë se arrestimi juaj apo ai i Berishës, tregojnë se ka iku koha e të paprekshmëve dhe se drejtësia më në fund po vepron

Kur kleptokrati Rama flet për paprekshmërinë time ka gjithmonë parasysh pashtantazhueshmërinë time nga regjimi i tij dhe tutorët e tij që e mbështesin për të plaçkitur copa Shqipërie.
E theksoj këtë sepse unë gjithmonë kam qenë i hapur ndaj drejtësisë madje edhe Padrejtësisë, siç ka ndodhur nga tetori 1992 kur më është hequr imuniteti për herë të parë në moshën 23-vjeçare e deri tani që po ju përgjigjem ju nga qelia Nr.5.
Asnjëherë nuk i jam shmangur drejtësisë apo kurrë nuk kam tentuar të mbyll çështje me procedurë.
Ndërsa Rama është varrmihësi i Reformës në Drejtësi duke e kapur atë për fyti me shkelje të rënda të Kushtetutës, siç unë e kam provuar botërisht edhe në Komisionin e Venecias kur isha President.
Është kjo drejtësi e Ramës përgjegjëse për rritjen në progression gjeometrik të korrupsionit në Shqipëri sidomos që nga 2017 kur ky mori i vetëm edhe timonin edhe tepsinë.
A ka gjë më të turpshme se fakti që nxënësit shqiptarë renditen të fundit në botë përsa i takon nivelit të kreativitetit?
Ky është treguesi më ogurzi për të ardhmen e një vendi, shoqërie dhe kombi.
Sepse diktaturave u duhet uniformiteti dhe jo kreativiteti.
Ndaj duhet asgjesuar opozita dhe çdo mendim kritik, ndaj duhet blerë shoqëria civile, ndaj duhen blerë apo nënshtruar mediat dhe ndaj duhet politizuar në ekstrem sistemi arsimor dhe eleminuar liria akademike dhe autonomia universitare.

Rama gëzon përkrahje ndërkombëtare pavarësisht pretendimeve të opozitës. A keni një koment?

Tashmë është provuar se si Rama i realizon blerjet e ndërkombëtarëve dhe rasti McGonigal është një ekzemplar në nivel global.
Ashtu sikurëse për herë të parë kemi tre rezoluta ndërkombëtare shumë të rëndësishme që tregojnë reflektim i cili ka ardhur më shumë si rezultat i qëndresës opozitare në vend e cila duhet të përforcohet më tej.
Sa më vendosmërisht të përballet opozita me regjimin aq më shumë ndërkombëtarët do jenë të detyruar të pranojnë dhe denoncojnë devijimet e rënda që sollën instalimin e këtij regjimi antidemokratik.
Për Ndryshimin faktor vendimtar do të mbetet vendosmëria dhe lufta e opozitës dhe vetë shoqërisë.
Për ndërkombëtarët një demokraci fasadë që pranohet nga shqiptarët nuk përbën shqetësim.
Po kështu për europianët largimi i të rinjve tanë drejt BE nuk përbën shqetësim sepse ata do të preferonin më mirë shqiptarë e ballkanas sesa bangladeshas apo sudanë.
Po këto që s’janë problem i madh për ndërkombëtar janë çështje ekzistenciale për kombin tonë.

Avokati juaj ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë kundër arrestit tuaj me paraburgim. A keni besim në një vendim pozitiv?

Unë nuk jam naiv që të besoj në një sistem drejtësie gjerësisht të kapur. Por ne jemi të detyruar të shterojmë të gjitha hapat brenda vendit në mënyrë që ta ndjekim këtë çështje në Gjykatën Europiane.
Aq më tepër që unë i kam denoncuar si askush tjetër edhe për shkak të pozicioneve (si Kryetar Kuvendi dhe President i Republikës) të gjitha momentet kyçe të kapjes së Reformës në Drejtësi, që nga zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota e deri te betimet te “Lana” të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Para pak ditësh dëgjova një lajm shumë korrekt në media se një person i vetdorëzuar në Shqipëri dhe pjesëtar i një grupi të strukturar kriminal me urdhër të SPAK-ut ishte arrestuar nga forcat RENEA.
Lind pyetja si shpjegohet që Presidenti i forcës së dytë opozitare rrëmbehet në mes të ditës nga persona me maska pa iu paraqitur asnjë urdhërarrest apo shkresë zyrtare sipas ligjit dhe futet në makinë private?
Çdo gjë është e qartë se kemi të bëjmë me një regjim mafioz ku ligji, Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk kanë pikë rëndësie.
Po kështu duhet “mirëkuptuar” edhe sjellja e SPAK-ut. Ata nuk janë vetëm në shërbim të Edi Ramës për të garantuar një tjetër mandate 4-vjeçar përmes arrestimeve të opozitës por janë në fushatë edhe për veten e tyre për të garantuar mandatet e përjetshme në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Por sado të zgjasë nata, agimi është i pashmangshëm.
Ne jemi një vend që jemi mësuar me fatkeqësi të zgjatura por unë jam shumë optimist se 12 vitet e “Rilindjes” janë të mjaftueshme për ta gjykuar atë si fatkeqësinë më të rëndë se çdo pushtim që në një kohë të tillë përgjysmoi popullsinë aktive të Shqipërisë.
Jam besimplotë edhe te reagimi i Diasporës tonë që ka një mundësi historike për të shpëtuar vendin e të ardhmen e tij.
Vota e tyre është shumë më e rëndësishme se remitancat e tyre që dërgojnë për prindërit, vlera e të cilave është përgjysmuar për shkak të zhvlerësimit kriminal të euros dhe dollarit.