Petrit Vasili: Një bujqësie e zhvilluar do të thotë një Shqipëri konkurruese në Evropë.

Petrit Vasili: Një bujqësie e zhvilluar do të thotë një Shqipëri konkurruese në Evropë.

petrirvasili22.03.2014

Diskutim me fermerët në Lushnjë për problematikat e bujqësisë

Vasili : Një bujqësi që lëngon do të thotë një Shqipëri që vuan

Ministri Panariti: Përmbysja e bilancit negativ import-eksport dhe promovimi i prodhimit vendas, sfida jonë e përbashkët

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Fierit, njëherazi Kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët e Lushnjës në zonën e Tërbufit për problemet në bujqësi dhe rrugët për t’i zgjidhur këto problematika.

 

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm ekspertët më të mirë për çështjet e bujqësisë në vend por edhe të huaj, ishte i ftuar dhe mori pjesë në bashkëbisedimin me fermerët edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti.

Në fjalën e tij para fermerëve z. Vasili falënderoi të gjithë të pranishmit për interesimin e tyre, sidomos ministrin Panariti, ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve vendore që merren me çështjet e bujqësisë.

Ai u shpreh se ky është një takim për të konfirmuar atë që është thënë në fushatë elektorale dhe për të mos ngelur vetëm në kuadër fushatë por të kthehen në iniciativa konkrete.

“Arsyeja pse ne jemi këtu është pikërisht ajo që na ka bashkuar në takime edhe përpara zgjedhjeve dhe erdhëm pikërisht për të vazhduar atë fjalë të thënë që në këto salla nuk vijmë për të dëgjuar ato që premtojmë se do të bëjmë por për të komunikuar në mënyrë të vazhdueshme për atë që do të bëjmë konkretisht.

Kjo sepse zakoni i keq që kemi pasur në politikë ka qenë që takohemi para zgjedhjeve dhe pastaj takoheshim prapë pas 4 vitesh.

Unë jam shumë i kënaqur që kërkesës tonë për një takim të tillë të zgjeruar ministri Panariti iu përgjigj menjëherë me të gjithë stafin e tij. Gjithashtu edhe shumë specialistë të tjerë të cilët kontribuojnë në mënyrë të përditshme për shumë çështje të bujqësisë. Këtu është vendi për t’i diskutuar problematikat të gjithë së bashku sepse këtu janë dhe njerëzit më të zotë që i njohin këto çështje”, tha z. Vasili.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se bujqësia është shumë e rëndësishme sepse një bujqësi që lëngon është një Shqipëri që vuan. Sipas tij një bujqësi e zhvilluar do të thotë një Shqipëri më konkurruese në Evropë.

“Bindja jonë ka qenë dhe mbetet që për çdo gjë të mirë që ndodh në Shqipëri është më mirë e gjithë Shqipëria. Duke qenë që shumica e popullsisë jeton në fshat sigurisht ajo që ndodh në bujqësi ndihet menjëherë në shumicën e familjeve shqiptare.

E mira dhe e keqja ndjehet atje. Produkti që shitet e sjell të mirën atje dhe e kundërta ndodh që dëshpërimi për paratë e shpenzuara që nuk sjellin produkt është shumë i madh”, tha ai.

Z. Vasili tha se ka mjaft projekte të tjera për të sjellë zhvillime të reja në bujqësi, dhe në mënyrë të veçantë edhe në zinxhirin e agropërpunimit edhe të magazinimit, sepse janë gjëra të rëndësishme që bëjnë që prodhimi të ketë mundësi të ruhet dhe të shitet, jo vetëm të mos dëmtohet por edhe të sigurohet tregu i tij.

“Po punohet ditë e natë për këto gjëra, sepse boshllëku është shumë i madh, vështirësitë janë shumë të mëdha, të akumuluara dhe të padhënë zgjidhje, por njëkohësisht siç e shikoni serioziteti është maksimal.

Jo rastësisht në një kohë shumë të shkurtër ne jemi takuar disa herë dhe do takohemi vazhdimisht dhe Parlamenti shqiptar, mazhoranca, deputetët e saj janë shumë më të motivuar e të përqendruar që t’u japin mbështetje nëpërmjet ndryshimeve të domosdoshme që ligjet kërkojnë, se po s’ndryshuam ligjet nuk bëjmë dot gjë përpara, në mënyrë që këto punë të ecin shpejt dhe shumica e shqetësimeve tuaja të marrin zgjidhje të shpejtë dhe ato që janë më të mëdha të zgjidhen nëpërmjet asaj që ne në shqip i themi ‘bashkimi bën fuqinë”, tha ndër të në fjalën e tij Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Ndërkohë që nga ana e tij ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u shpreh se rritja e prodhimit vendas dhe përmbysja e bilanci negativ import-eksport është sfida e madhe e Shqipërisë në bujqësi.

“Ne kemi një bilanc tepër negativ të eksporteve dhe importeve. Praktikisht ne eksportojmë rreth 110 milion euro, dhe importojmë 700 milion euro prodhime ushqimore, ku unë mendoj dhe kam bindjen që Shqipëria ka kapacitete të pashfrytëzuara për të nxitur prodhimin vendas, në mënyrë që ky të jetë mbizotërues në treg, dhe në këtë mënyrë për të përmbysur bilancin negativ që ne trashëgojmë.

Kjo është sfida jonë e përbashkët, dhe ne jemi këtu në këtë zonë, e cila konsiderohet si kërthiza e bujqësisë shqiptare, si zona me traditë dhe me prodhimtari të lartë në të gjitha drejtimet, qoftë të zarzavateve të freskëta, por natyrisht edhe në prodhimet blegtorale”, tha ministri Panariti.

Takimi me fermerët vazhdoi me diskutime nga ana e këtyre të fundit si dhe ekspertët e pranishëm, të cilët vlerësuan këtë nismë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, si dhe praninë e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit t Ujërave, Edmond Panariti.